Shihni vazhdimisht ngjyra në ëndrra, ja çfarë fshehin dhe simbolizojnë ato
Zakonisht, njerëzit i shikojnë ëndrrat “bardhë e zi”, por në ato raste kur i shikojnë me ngjyra, simbolika e tyre del më e qartë dhe shpjegohen më lehtë.
Zakonisht, njerëzit i shikojnë ëndrrat “bardhë e zi”, por në ato raste kur i shikojnë me ngjyra, simbolika e tyre del më e qartë dhe shpjegohen më lehtë. Sipas një studimi të bërë nga disa psikologë amerikanë, secila ngjyrë në ëndërr ka kuptimin e vet të veçantë dhe tregon një gjendje të caktuar emocionale të atyre që e shikojnë. Duke u nisur nga ngjyrat e sfondit ku zhvillohen ngjarjet në ëndërr, nga ato të interierit dhe të veshjes së “personazheve”, duke ditur kuptimin simbolik të secilës ngjyrë, mund të përcaktosh qëllimet dhe karakteret e atyre që të dalin në ëndërr. Psikologët amerikanë e kanë klasifikuar simbolikën e këtyre ngjyrave në këtë mënyrë:
1-E bardha: Tregon pafajësi dhe pastërti shpirtërore, fisnikëri, aftësi për ta ndarë gënjeshtrën nga e vërteta (vetëm në disa vende të Orientit, kjo ngjyrë është simbol i zisë dhe vdekjes. Po kështu, ajo simbolizon asketizëm dhe izolim).
2-Bojëqielli: Tregon se mbartësi i rrobave ose ambientit rreth tij ka një perceptim mistik ndaj jetës. Kjo ngjyrë është njëkohësisht simbol besnikërie, shprese, qetësie shpirtërore, etj.
3-E verdha: Kjo ngjyrë është shprehje e optimizmit, shpresave, e arsyes dhe realizmit, por në ëndrra simbolizon shpesh xhelozi, zili, ndarje. Është një ngjyrë që shpesh paralajmëron tradhti.
4-Ngjyra e blertë, jeshile: Simbolizon shërimin nga një e keqe, lulëzimin, qetësinë dhe ekuilibrin shpirtëror, por shpesh, ajo tregon se bartësi është ende i papjekur… Në rastet kur ka nuanca që anojnë për nga jeshilja e errët, kjo ngjyrë simbolizon regres, etje për t’u pasuruar në çdo rrugë.
5-Ngjyrë ari, okre, me shkëlqim dielli: Simbolizon inteligjencën, entuziazmin, lavdinë. Ajo është njëkohësisht simbol pjekurie dhe përvoje, aftësie për t’u orientuar në jetë, si dhe besim për stabilitet, madje edhe rritje të prestigjit.
6-Ngjyra kafe: Simbolizon aspektet materiale të jetës, racionalitet, deri diku, konservatorizëm, por ajo simbolizon njëkohësisht një njeri nostalgjik dhe melankolik. Jo rrallë, ajo tregon depresion, zhgënjim, vartësi…
7-Ngjyra e kuqe: Është ngjyra që tregon një qëndrim aktiv në jetë, simbolizon gjakun dhe zemrën, mirëpo shpesh paraqitet si simbol agresiviteti, urrejtjeje, pasionesh e rreziqesh dhe sidomos për disa gra, është simbol i “rënies dhe degjenerimit”.
8-Ngjyra portokalli: Është simbol i lumturisë, i forcimit të shoqërisë dhe miqësisë, por nuk janë të rralla rastet kur parashikon etje për ndryshime, entuziazëm dhe ngrohtësi. Kjo ngjyrë tregon se mbartësi është i dhënë pas seksualitetit. Kur ajo është e ndezur, tregon se ai dëshiron të nxjerrë në pah vetveten.
9-Ngjyra e purpurt: Është ngjyrë karakteristike aristokratike, simbol i dinjitetit dhe pushtetit…
10–Ngjyra gri: Kjo ngjyrë është simbol i melankolisë, indiferentizmit, i meditimeve që sjellin mërzi, i një alarmi të brendshëm shpeshherë të pajustifikuar, por edhe simbol i qëndrimit mosbesues, simbol i vetmisë dhe i dobësisë shpirtërore, sidomos kur kemi të bëjmë me flokë të thinjura, etj.
11-Ngjyra e zezë: Simbolizon agnosticizëm dhe fshehtësi mendimesh e veprimesh, simbol i një pushteti të fshehur, simbol i zyrtarizmit ceremonial, simbol i një shpirti sfidant dhe i një force të papërmbajtur seksuale, sidomos kur është i kombinuar me të kuqen.