Shpellari i kohëve moderne
Pedro Luca ka 40 vite që jeton në një shpellë, në Argjentinë. 79-vjeçari mbijeton pa elektricitet në shpellën e tij që ndodhet në një mal të provincës veriore Tucuman. Kur e merr uria, ai vendos në krahë çiften e tij dhe del për gjah, ndërsa ujin e merr nga një përrua afër vendbanimit të tij. “Është uji më i pastër dhe më i mirë në botë”, thotë Pedro. Dita e tij nis duke ndezur një zjarr, pasi, sipas tij, “zjarri është magjik”. Luca është bërë shumë i famshëm në San Pedro de Colalao dhe kur i bie rruga pranë shpellës, banorët i çojnë ushqime dhe gjëra, për të cilat ka nevojë. Me pensionin e qeverisë (150 dollarë) ai blen qirinj, ndërsa pajisja e vetme teknologjike që zotëron është një radio e vogël, por e ka të vështirë të kapë stacione, pasi në mal nuk ka shumë valë. Luca thotë se, që kur ishte i vogël dëshironte të jetonte në kushte të tilla dhe shprehet se kurrë nuk e ka pyetur veten pse jeton në shpellë. Thjesht, ka dëshirë.