Si ta kuptosh që je lidhur me një abuzues

Si të dalloni nëse keni të bëni me një abuzues para se të jetë vonë?! Disa nga shenjat më tipike, janë këto të listuara më poshtë:

1- Janë më shumë se ç’duhet romantikë – por vetëm në fillim ama

Që në fillim romanca është në kulm. Kjo përfshin gjeste të mëdha, dhurata dhe shfaqja e një përkushtimi të tepruar ndaj jush. Kjo nuk është aspak romantike. Por, lidhet me idenë e sëmurë për t’ju zotëruar. Ju jeni çmimi që ai kërkon të arrijë për të kënaqur egon e vet. Meshkujt abuzivë priren drejt angazhimeve serioze që në fillim, duke ju thënë “Të dua”, ju kërkojnë të jetoni bashkë, të bëni fëmijë etj. E gjithë kjo mbaron pas muajit të mjaltit. Vëmendja e tyre ndja jush bie. Bëhen posesivë në një moment, të distancuar në një tjetër. Ai kërkon ta bëjë partneren të varur prej tij.

2- Ata duan kontroll të plotë mbi personat që ju takoni

Një pjesë e kësaj shpjegohet si xhelozi. Bëhen posesivë dhe kërkues. Ata duan të dinë çdo detaj rreth jush. Kjo nënkupton telefonata dhe mesazhe të shpeshta. T’i kërkoni leje para se të takoni dikë. Sipas tyre kjo bëhet për të mirën tuaj, sepse “ata duan t’ju mbrojnë nga bota e egër”.

3- Nuk pëlqejnë familjen dhe miqtë tuaj

Një tjetër shenjë se ai është abuziv vihet në pah kur fillon të kritikojë rrethin tuaj shoqëror. Krijohet një diskutim “ata ose mua”. Pak nga pak fillon t’ju largojë nga të gjithë, derisa të bëhet personi i vetëm me të cilin mund të dilni dhe të bisedoni.

4- Nuk ju lejojnë të keni privatësinë tuaj

Sidomos në rrjetet sociale do të jeni gjatë gjithë kohës nën vëzhgimin e tij. Historia e veprimeve tuaja dhe mesazhet që shkëmbeni do të bëhen targeti i tij kryesor. Ai do ju kërkojë kodin dhe detaje të tjera të adresave tuaja. Kjo sipas tyre është një provë “besimi”. Por, edhe këtë herë, kjo bëhet vetëm për t’ju kontrolluar.

5- Ju quajnë egoiste

Përveçse kontrollojnë shoqërinë tuaj, ata fillojnë të kontrollojnë edhe mënyrën se si ju i shpenzoni paratë. Kjo nuk do të thotë se i duan paratë për vete. Kjo ka të bëjë me vetëbesimin tuaj. Ata do ju kritikojnë se ju i keni shpenzuar paratë për dikë tjetër, përveç atij. Pra, duan t’ju ulin besimin për veten.

6- Ata janë gjithmonë viktima

Ata kurrë nuk e pranojnë se e kanë gabim dhe asnjëherë nuk janë përgjegjës për gjërat e këqija që u ndodhin. Madje edhe për sjelljen e tyre abuzive jua vënë fajin juve. Justifikimet e tipit “E bëj sepse të dua shumë” janë të zakonshme.

SHKARKO APP