Si u bë 1 janari dita e parë e vitit
Në shumë vende, viti i ri fillon më 1 janar. Megjithatë, nuk ka qenë gjithmonë kështu. Në fakt, për shekuj me radhë, data të tjera shënonin fillimin e kalendarit, duke përfshirë 25 marsin dhe 25 dhjetorin.
Caktimi i 1 janarit si Dita e Vitit të Ri erdhi falë mbretit romak Numa Pompilius. Gjatë mbretërimit të tij (715–673 para Krishtit) Numa e rishikoi kalendarin republikan romak në mënyrë që janari të zëvendësonte marsin si muajin e parë. Ishte një zgjedhje e përshtatshme, pasi janari u emërua sipas Janusit, perëndisë romake të të gjitha fillimeve; ndërsa muaji mars ishte në nder të perëndisë së luftës, Marsit. Por 1 janari nuk u bë fillimi zyrtar i vitit romak deri në vitin 153 para Krishtit.
Në vitin 46 p.K Jul Cezari prezantoi më shumë ndryshime, megjithëse kalendari Julian, siç u bë i njohur, e mbajti 1 janarin si datën e nisjes së vitit. Me zgjerimin e Perandorisë Romake u përhap gjithashtu edhe përdorimi i kalendarit Julian.
Në vitin 1582, përveç zgjidhjes së problemit me vitet e brishta, kalendari Gregorian rivendosi 1 janarin si fillimin e Vitit të Ri. Ndërsa Italia, Franca dhe Spanja ishin ndër vendet që pranuan menjëherë kalendarin e ri, kombet protestante dhe ortodokse ishin të ngadalta në miratimin e tij. Britania e Madhe dhe kolonitë e saj amerikane nuk filluan të ndiqnin kalendarin Gregorian deri në vitin 1752. Përpara kësaj, ata festonin Ditën e Vitit të Ri më 25 mars.
Me kalimin e kohës, vendet jo të krishtera gjithashtu filluan të përdorin kalendarin Gregorian. Kina (1912) është një shembull i shquar, megjithëse vazhdoi të festonte Vitin e Ri Kinez sipas një kalendari hënor. Në fakt, shumë vende që ndjekin kalendarin Gregorian kanë edhe kalendarë të tjerë tradicionalë ose fetarë. Disa kombe nuk e përvetësuan kurrë kalendarin Gregorian dhe kështu e fillojnë vitin në data të tjera përveç 1 janarit. Etiopia, për shembull, feston Vitin e Ri (i njohur si Enkutatash) në shtator.
KOHA JONË SONDAZH
Si ishte viti 2025 për ju?
Results
Vota totale: 7231

