Spanja në protestë kundër detyrave të shtëpisë
Mijëra prindër në Spanjë nisën një grevë kundër shkollave shtetërore këtë javë, për shkak të sasisë së madhe të detyrave të shtëpisë që u jepen fëmijëve.
Si pjesë e grevës, nxënësve të 12 mijë shkollave në vend do t’u kërkohet që të mos bëjnë detyra shtëpie në fundjavë, gjatë gjithë muajit nëntor.
Aleanca spanjolle e Shoqatave të Prindërve, e cila organizoi grevën, tha se detyrat e shtëpisë janë të dëmshme për fëmijët.
Sipas një raporti të vitit 2012 nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), Spanja është një nga vendet që cakton më shumë detyra shtëpie për nxënësit.
Raporti i “Pisa”-s zbuloi se fëmijët dhe adoleshentët spanjollë kanë 6.5 orë detyra shtëpie në javë, në krahasim me 4.9 orë të mesatares së 38 vendeve.
Spanja ishte e 11-a në listën me 64 vende për ngarkesë detyrash shtëpie. Por, ngarkesa me detyra shtëpia nuk përkthehet detyrimisht në rezultatet më të mira dhe nxënësit spanjollë, tradicionalisht kanë pasur rezultate të dobëta në matematikë, shkenca dhe lexim.
Në kontrast, Finlanda dhe Koreja e Jugut, dy vende me performancat më të mira studentore, u japin më pak se 3 orë detyra në javë nxënësve.
Kritikët në Spanjë thonë se arsimi në vend bazohet ende te metoda e mësimit përmendësh, diçka që pranohet gjerësisht si e dështuar në fushën e arsimit.