Synon kalimin me not të Oqeanit Atlantik
Ben Hooper, është njeriu që dëshiron të bëjë “çmendurinë” e radhës, kalimin e Oqeanit Atlantik përmes notit, që do të ishte personi i parë që do ta përfundonte këtë mision me sukses. I lindur në Londër, Hooper do të fillojë aventurën e tij prej 120 ditëve, që të arrijë të kalojë plot 2000 kilometra, transmeton BBC. Më shumë ka njerëz që kanë zbarkuar në hënë sesa që kanë notuar hapësirën e plotë të një oqeani, dhe Hooper shpreson që ta shtojë emrin e tij në atë listë. Ai do të flejë në një anije gjatë natës, në mënyrë që të shmangë rrezikun nga peshkaqenët dhe rreziqet e tjera të mundshme. Në intervistë për BBC ai ka shpalosur se është i shtyrë paksa nga egoja e tij për të arritur këtë gjë. “Është paksa një ego e imja. Do të gënjeja nëse do ju thosha se nuk ka një element brenda meje që të më shtyjë dhe të shohë se çfarë jam në gjendje të bëjë, por mendoj se kjo është diçka shumë më e madhe, kjo është për të treguar se asgjë nuk është e pamundur”, ka thënë Hooper për BBC. Hooper do të nisë aventurën e tij në Senegal për të arritur në shtetin e Brazilit. Ai do të notojë në dy sesione gjatë ditës, paradite dhe pasdite. Për të arritur që me sukses ta përfundojë këtë qëllim që i ka dhënë vetes, Hooper është duke u trajnuar prej dy vitesh, duke punuar 90 orë në javë. “Kam punuar për këtë nga 90 orë në javë për dy vjet, duke planifikuar, ushtruar dhe kërkimin e sponsorëve, nuk është aspak e lehtë”, ka shtuar më tutje Hooper. Ai do të fillojë këtë mision në nëntor të këtij viti, ka konfirmuar ai në intervistën dhënë për BBC.