Të gjithë në “veting”…
Fejton nga Thoma Goga – Se si u hap llafi, kjo nuk është çudi. Po një gjë është e sigurt. Ai “i gjati” na paskej thënë se të gjithë do kalojnë në veting. “O do bëj shtet, o s’ka bir nëne a bir ku(rv) nate të më ndalojë”. Të gjithëve u shkoi naaa, nga shtatë…
Një mëngjes tek shatërvani i qytetit, ku mblidhen pensionistët, kishte pak frekuentues të zakonshëm. Nga tavolina në tavolinë ku kërcet “dopio gjashta” apo “fanti spathi”, thashethemet morën dhen’. Ca thanë se pensionistët që mungonin, kishin marrë “lejen e përjetshme”. Të tjerët shkonin e vinin te lajmërimet e funeraleve.
– Edhe pensionistët do hyjnë në veting, – hapi llafe njëri që kurrë nuk thotë të vërtetën.
Lajmi u drodh e përdrodh si i vërtetë e “trokiti” në derën e shtetit.
– Po ç’na mundoni kot, a derëzinj, – pëshpëritnin ca që “i hanë” kollaj gënjeshtrat. – Ne qullin që lënë çiliminjtë hamë. Ç’do të deklarojmë?!
– A, me shtetin s’bëhet shaka.
– Po si do të jetë vetingu për ne?
Këtu filluan “pyetësorët”. Edhe këto formuloheshin sipas hamendjeve dhe sipas oreksit. Nga një tavolinë në tjetrën dëgjoje modele të ndryshme. Në një nga këto ku kërciste dominoja, dikush tha:
– Do na pyesin: Sa tokë ke?
– Dy metra në varreza,- hidhet tjetri.
– Sa rob shtëpie?
-Unë kam një mace, një qen dhe një plakë…
– Pse ne nga sa kemi?- ia pret ai që kishte dopio gjashtën.
– Nuk e di, vëlla ‘re. Përgjigjem për veten time. Ti përgjigju për atë “ve(të)tingun” tënd…
– Ku e shpenzon gjithë atë pension “të majm” që merr?
– A lëre mos e pyet, o Tajar. Edhe këta u këputën në tajare.
– E di, e di, -ia kthen tjetri. – Atë që na japin me një gisht, na e marrin me të dyja duart. Paguajmë dritat, ujin e bashkë me to edhe taksat. Do ta bëjmë këtë mut shtet apo jo?!…Kafenë e kam lënë se më bën dëm për tensionin. Marrim miell kafshësh, se është i lirë. Bëjmë ndonjë kulaç. E pjekim në diell, se korenti…
– Ti zoti Besnik je “kundërshtari im politik”, prandaj flet kështu. Pa na thuaj; si i konsideron partia jote këto reforma?
– Shko ‘re pirdhu me gjithë ato parti! Nuk më plasi fare…
-Kur thua ti kështu, mua s’më plasi e s’më plasi – ia priti xha Tasi.
Në një tavolinë tjetër debati ishte ndezur edhe më keq.
– O Tajar, nesër ke radhën për të dhënë llogari në veting, – bëri shaka ortaku i dominosë.
– Unë jam trim dhe i pakorruptuar, a derëbardhë. Edhe në kohën e luftës plumbin e kam pritur në ballë…
Po të nesërmen tavolina e Tajarit ishte në zi. Tajari, në vend që të shkonte te vetingu, kishte “prerë biletën” për te “parkingu” i përjetshëm…
– Gjynah, – u hodh dikush nga një tavolinë tjetër. – Mezi po e priste kampionatin botëror. Ishte tifoz i çmendur me sovjetikët…
Në tavolinën e “komandant” Teki Maliqi loja nuk fillonte. Po prisnin shokun Faik, që ka qënë sekretar i parë në një tjetër film. Në vend të shokut Faik u ul një lojtar i ri.
– Mos e prisni shokun Faik, – tha ai. – Iku dhe Faiku. Nuk e kaloi “vetingun”. Pasnesër ka të tretat. I ziu, do bënte gosti kur të hapeshin negociatat me BE…
– Obobo, -ulëriu ai që përziente dominotë, – ta kishte zbythur edhe ca ditë i uruari. Sot kishte radhën për të paguar kafetë…
Të jemi realistë. Të themi atë që është. Qeveria ka bërë shumë për pensionistët. Ja, u shtoi pensionet. Dhe atë ditë që doli ky lajm, sheshi te shatërvani gumëzhinte. Si kryefjalë ishte pyetja “Sa të ngrihet ty?”.
– Lëre, mos e nga, – hidhet xha Nasi, që vuan nga tensioni i lartë. – Kur m’u ngrit një herë vajta me vrap te doktoresha. I thashë: “Ç’të bëj kur më ngrihet?”. “Ta uli plaka!”, ma priti. “O doktoreshë, ai që ulte plaka nuk ngrihet më…”.
Të gjithë qeshën. E kuptuan ku e vërviti llafin xha Nasi.
Edhe një gjë tjetër të mirë e bëri qeveria. Nuk i futi pensionistët në veting. Janë shtresë e pakorruptuar. Se “vetingun” për pensionistët e ka në dorë ZOTI… Sa më shumë “të ngecin” në këtë “veting”, fërkon duart qeveria. Pse?! Arsyen gjejeni vetë…