Të nisesh drejt portave të ferrit, cilët janë aeroportet më të këqij në botë?
Ashtu si orët e shtrenjta, të cilat nuk prishen kurrë duke u kthyer në diçka të mërzitshme, edhe aeroportet më të mira në botë mund të jenë të mërzitshëm, shkruan The Economist. Pasi uleni në aeroportin e destinacionit që keni zgjedhur, keni kaluar edhe kontrollin e pasaportës, brenda pak minutash ju do të jeni nisur drejt hotelit që keni rezervuar. Një përvojë e tillë është e këndshme, por jo e paharrueshme. Ndërsa përvoja në aeroportet më të këqija të botës është ajo që të mbetet gjatë në kujtesë. Duke përshtatur disi shprehjen e Tolstojit mund të themi se aeroportet e bukura janë të gjitha njësoj, por ama çdo aeroport i mjeruar është i mjeruar sipas mënyrës së vet.
Shembulli tipik që mund të veçonim këtu është ai i Aeroportit të Jubas. Aeroporti në kryeqytetin në jug të Sudanit i ngjan më shumë një tende të zhurmshme sesa një aeroporti të vërtetë. Aeroplanët në pjesën më të madhe të rasteve vonohen, prandaj pasagjerët janë të detyruar që të presin për orë të tëra në kushte aspak të përshtatshme. Salla e nisjeve nuk ka tualete, asnjë restorant apo supermarket ku mund të blesh diçka për të ngrënë apo qoftë edhe një shishe me ujë duke qenë se temperaturat aty janë shumë të larta, dhe më e keqja, aty nuk funksionon sistemi i mbajtjes së radhës. Konsiderohet me fat ai pasagjer që gjen një karrige që është gjysmë e thyer për t’u ulur. Situata këtu është vërtet e mjerueshme, duke marrë parasysh edhe sëmundjet e kësaj zone të cilat fatkeqësisht konsiderohen si të zakonshme.
Të gjithë pasagjerët këtu janë në mëshirë të fatit, sepse siguria është e rastësishme. Disa shërbëtorë, në pamje të parë gjigantë, si pasojë e staturës së trupit, mbajnë çantat e disa personave që konsiderohen si të rëndësishëm. Por më e keqja është se duke qenë se makineria e skanerit nuk punon në pjesën më të madhe të kohës, këto çanta apo valixhe nuk skanohen, duke u shndërruar kështu në një prej objekteve kryesore të sulmeve terroriste. Sudani i Jugut është në luftë, prandaj mund të shihen aq shumë avionë të OKB-së që largohen nga Juba duke marrë me vete shumë punonjës socialë që kanë shkuar atje për të dhënë ndihmën e tyre.
Por në pjesën më të madhe të rasteve, zyrtarët vendas, të cilët janë agresivë, kënaqen duke i penguar ata, duke ia zgjatur sa më shumë të munden procedurat e kalimit. Juba ka tre terminale, por vetëm një është në përdorim. Pasi Sudani Jugor shpalli Pavarësinë e tij në vitin 2011, qeveria planifikonte të ndërtonte një aeroport me një strukturë më të ajrosur prej qelqi, çeliku dhe betoni. Puna filloi në vitin 2012, por ndaloi menjëherë në momentin kur faturat nuk po paguheshin më. Në 2016 qeveria vendosi të ndërtonte një terminal më modest. Por edhe ky nuk u përfundua plotësisht. Zakonisht, pasagjerëve që i duhet të shkojnë në këtë aeroport i këshillohet të marrin me vete një libër të trashë për të lexuar, se do të kenë kohë mjaftueshëm.
Ndeshesh vetëm me fytyra të mërzitura
Përcaktimi se cili është aeroporti më i keq në botë nuk është aspak i lehtë. Përpjekja më e mirë e pandërprerë në këtë drejtim është ajo që bën faqja online “The Guide to Sleeping in Airports”, që publikon çdo vit një anketë të bazuar në përshtypjet më të këqija të pasagjerëve. Ajo i rendit aeroportet duke u bazuar në cilësi si shërbimi i dobët, ushqimi i keq, procedura të ndërlikuara të emigracionit e shumë të tjera. Midis të gjithë përshtypjeve të lëna në këtë faqe online, Juba u cilësua si aeroporti më i keq i vitit 2017. Duke qenë se bërja e çdo fotografie në aeroportin në jug të Sudanit dënohet me arrestim, përshtypjet që pasagjerët e ndryshëm lënë në këtë faqe janë një prej prezantimeve të vetme në këtë aeroport, ku mbizotërojnë ato që shprehen se era e keqe dhe papastërtia janë mbizotëruesit në këtë mjedis.
Aeroporti Jeddah, në Arabinë Saudite, renditet i dyti dhe jo sepse është një prej aeroporteve më të këqij në botë, por për shkak të fluksit të lartë të pelegrinëve që shkojnë në Mekë, duke e tejkaluar numrin e pasagjerëve që ai mund të përballojë. Pasagjerët në pjesën më të madhe të këtyre aeroporteve vlerësojnë disa gjëra, të cilat për disa pasagjerë të tjerë duken të paimagjinueshme që mund të ndodhin në ditët e sotme. Këtu mund të përmendim uljen në tokë të aeroplanëve pa u përplasur apo shërbimin Wi-Fi të ngadaltë. Ishte pikërisht mospërputhja midis pritshmërive dhe realitetit të gjetur, ajo që i çoi pasagjerët që të rendisnin brenda dhjetëshes më të keqe në botë edhe Aeroportin e Kretës, Santorinit dhe Rodosit.
Turma të mëdha pasagjerësh nga Europa e Veriut fluturuan drejt Greqisë në 2017-n për të kaluar pushime sa më të lira, por realiteti me të cilin u përballën ishte shumë zhgënjyes. Vonesat e aeroplanëve këtu ishin diçka më se e zakonshme, dhe për të mos përmendur zhurmën dhe situatën kaotike që kishte përfshirë të gjithë aeroportin.
Për të vënë në dukje disa prej mangësive më të mëdha të këtyre aeroporteve, “The Economist” kreu një sondazh, rezultatet e të cilit ishin befasuese, sepse çdo përgjigje e dhënë dukej shumë e vërtetë nëse do të krahasohej me përgjigjet e sondazheve të kryera më parë. Më poshtë do të njiheni me përshkrimet e situatës në sallat e nisjes së aeroporteve të ndryshme, ku disa janë në gjendje shumë herë më të keqe se ai në Juba. Dhe këtu bëhet fjalë për aeroportet në zonat ku është duke u zhvilluar luftë, ku sallat e nisjes së aeroporteve konsiderohen ndryshe si nisja drejt portave të ferrit.
Një prej korrespondentëve të “The Economist” në Afrikë, citon Aeroportin e Banguit, në Republikën e Afrikës Qendrore. Këtu situata është kaotike dhe tejet e rrezikshme, sepse edhe gardhi rrethues që ndan pistën ku ulen avionët është hequr dhe pilotët duhet që, përveçse të tregohen të kujdesshëm për t’u ulur në aeroport, t’i bëjnë sytë katër në rast se ndonjë pasagjer shkon drejt pistës (e cila ndodhet midis një kampi refugjatësh dhe qytetit, prandaj është një zonë me shumë trafik).
Edhe pse çdo aeroport i mjeruar është i veçantë në mjerimin e tij, katër janë cilësitë që i bashkojnë këto kategori aeroportesh: rreziku, ngacmimet dhe pengesat e shkaktuara nga zyrtarët vendas, vjedhjet dhe vonesat. Më e keqja është se shpeshherë këto karakteristika përforcojnë njëra-tjetrën. Për shembull, në Aeroportin Lubumbashi, në Republikën Demokratike të Kongos, të duket sikur duhet të kalojnë shekuj të tërë përpara se të kalosh radhën për të shkuar drejt kontrollit të pasaportës, sepse personat përgjegjës për sigurinë i ngadalësojnë qëllimisht gjërat me shpresën se pasagjerët do t’u japin atyre “një ryshfet”, në mënyrë që ata t’i përshpejtojnë procedurat.
Nëse ju u jepni atyre qoftë edhe 1 dollar, ata ju lejojnë të kaloni në anën tjetër, pa ju bërë asnjë kontroll. Janë pikërisht këta persona përgjegjës, ata që e bëjnë fluturimin për në vende të tilla si Kongoja, me procedura të tejzgjatura, shumë të rrezikshëm, me kosto të lartë dhe mbi të gjithë të pakëndshëm. Pasagjerët shpeshherë në këto vende shihen edhe si shënjestra e hajdutëve, sepse ata janë persona të pasur që po udhëtojnë në një shtet larg vendlindjes dhe mbi të gjitha, nuk janë aspak familjarë me rregullat vendase.
Në aeroportet e Manilës, situata është edhe më e rëndë. Disa prej personave përgjegjës për kontrollimin e bagazheve të pasagjerëve vendosin qëllimisht brenda tyre disa plumba apo sende të palejueshme, një mënyrë kjo që u lejon atyre që t’i kërcënojnë pasagjerët me dhënien e një ryshfeti të caktuar në rast se nuk duan që të arrestohen në atë shtet. Kjo gjë njihet me termin vendas si Tagalog “laglag bala” (vendosje e qëllimshme e plumbave).
Në Aeroportin e Johanesburgut vjedhjet janë disi më të fshehta, por gjithsesi në nivele shumë të larta. Një prej korrespondentëve tanë në Aeroportin e Johanesburgut u shpreh se ai asnjëherë nuk merr me vete diçka me vlerë kur udhëton drejt këtij aeroporti, sepse është i sigurt që bagazhet e secilit pasagjer hapen. Atij vetë i ka qëlluar dy herë që valixhen ta gjejë të hapur, madje një herë edhe i kishin thyer çelësin. Ndërsa një herë tjetër i ka qëlluar të gjejë në valixhen e tij të hapur, syzet e diellit të dikujt tjetër. Mbase zyrtarët-hajdutë janë ngatërruar -shprehet ai. Disa pasagjerë ngacmohen nga personat përgjegjës në aeroport vetëm e vetëm nga frika se mos një ditë edhe ata do të zëvendësohen nga makineritë, ashtu siç edhe ka ndodhur në aeroportet moderne të vendeve të zhvilluara.
Pasagjerëve për shembull, u kërkohet që t’i kontrollohen dokumentet më shumë sesa një herë, ndërsa disa zyrtarë të tjerë sillen arrogantë me pasagjerët, vetëm nga pushteti që i jep posti që kanë. Një tjetër korrespondent në Kajro shprehet se pasagjerët janë të ndarë në radhë të ndryshme, sipas kombësisë dhe kastës. Nëse jeni një punëtor i thjeshtë, atëherë është e sigurt që ju duhet të kaloni orë të tëra duke pritur në dysheme, dhe më e keqja është se shpeshherë, persona të kësaj kategorie tallen rëndë dhe madje edhe rrihen nga policët. Cilindo që rrezikon ta zërë gjumi, është e sigurt që do të shohë se do t’i mungojë diçka. Rregullat ndryshojnë nga kufiri në kufi, por më e keqja është se zyrtarët i zbatojnë ato sipas dëshirës së tyre.
Një korrespondent tjetër në Aeroportin e Santiagos në Kili, u mbajt dy orë sepse nuk kishte deklaruar se kishte me vete një qese me bajame të hapura. Më pas, kur ai refuzoi që të shprehte pendimin e tij për këtë incident (duke plotësuar një formular), ata e kërcënuan se do ta arrestonin. Një tjetër pasagjere në të njëjtin aeroport u mor në pyetje se mos po merrej me kontrabandë bananesh, sepse i gjetën në çantë disa banane. Nuk duhet harruar edhe fakti se aeroportet më të këqija janë një reflektim i rregullave të qeverive që ato kanë.
Në aeroportin e PyongyangUT në Republikën e Koresë, situata është edhe më dramatike, sepse aty mbizotëron frymë totalitare. Sipas përshtypjeve të një korrespondenti tjetër në këtë aeroport, pasi nisej avioni, stjuardesat shpërndanin disa prej gazetave vendase, duke u kërkuar në mënyrë të vazhdueshme pasagjerëve që të mos i palosnin ato, sepse në faqe të parë ishte lideri i vendit, Kim Jong II. Qeveria gjysmë-marksiste, gjysmë-gangstere dhe tërësisht jokompetente e Venezuelës, e cila ka bërë që një numër i madh qytetarësh të shtresës së mesme të emigrojnë, nuk e bën aspak të lehtë dhe të këndshëm udhëtimin. Bagazhet e dorës kontrollohen mbi dy herë dhe më shumë detaje nga garda kombëtare, të cilët janë kontrabandistët më të mëdhenj të drogës dhe që hiqen sikur po e luftojnë atë). Vonesat e fluturimeve ishin diçka e zakonshme në këtë aeroport, por situata më e keqe ishin rastet kur nga vonesat e gjata, fluturimet anuloheshin fare.
Aeroportet e mjerueshme edhe mund të justifikohen në vendet e varfra, por në vendet e pasura, ato nuk justifikohen aspak. Kjo është një prej arsyeve se përse pasagjerë të ndryshëm ndihen shumë të irrituar kur duhet të shkojnë në Aeroportin e Charlero në Bruksel. Aty ushqimi është shumë i keq, avionët vonohen duke qenë se përdoret për fluturime tranzit dhe e vetmja mënyrë për t’u larguar nga aeroporti në qytet, është një autobus i cili pothuajse gjithmonë është i tejmbushur, edhe pse të gjithë pasagjerët presin biletë. Më e keqja është se ai vjen çdo 30 minuta dhe mua m’u desh të prisja në shi teksa ai largohej, u shpreh një nga korrespondentët e “The Economist”. Shumë korrespondentë kanë shprehur ankesat e tyre për aeroportin e Berlinit, ku ndërtimi i një terminali të ri që ka filluar prej gjashtë vjetësh ende nuk ka përfunduar. Një tjetër aeroport, për të cilin shumë pasagjerë kanë pakënaqësi është ai i Luton, fare pranë Londrës. Për këtë aeroport shumë shprehen se të kthehesh në këtë aeroport pasi ke kaluar pushime të mrekullueshme, është si të zgjohesh nga një ëndërr e bukur dhe të përballesh me realitetin e hidhur.
Por në ditët e sotme, aeroportet në të gjithë botën po përballen me turmat në rritje të pasagjerëve. Numri i pasagjerëve pothuajse është dyfishuar që prej vitit 2005, duke shënuar një numër rekord prej 4 miliardë pasagjerësh në 2017. Sipas këtij sondazhi, aeroportet e Singaporit, Seulit dhe Mynihut janë ato që kanë shënuar rritjen më të lartë. Aeroportet amerikane, në përgjithësi, nuk kanë shënuar rritje. Kjo nuk është thjesht sepse siguria është rritur shumë më shumë që nga viti 2001, por sepse kontrollet e sigurisë janë bërë më të bezdisshme dhe më të ndërlikuara seç duhet.
Punonjësit e shërbimit janë të pasjellshëm, dhe të paktë në numër. Referuar sondazheve të ndryshme, çdo vit miliona turistë largohen nga vendi më i madh në botë, vetëm e vetëm sepse hyrja në të është “shumë e tmerrshme”. Udhëtarët nga Europa në Amerikën Latine që ndryshojnë aeroplanët në Shtetet e Bashkuara duhet të kalojnë përmes kontrollit të imtësishëm të emigracionit, duke rrezikuar kështu që të humbasin fluturimin e tyre. Pasagjerët që janë tranzit në Singapor ose Najrobi nuk humbasin kohë siç ndodh me ata që shkojnë në aeroportet e Amerikës, ku mund të përmendim Aeroportin ndërkombëtar, Washington Dulles dhe atë të John F. Kennedy. Por Aeroporti i Majamit kryeson listën e aeroportit më të keq në Amerikë, sepse radha për kontrollin e pasaportave këtu është aq e gjatë, sa të duhet pa frikë saç iu desh Leif Erikson për t’i rënë me varkë mes përmes të gjithë Atlantikut.