Teksas, studentët mund të shkojnë të armatosur në shkollë
Një ligj i ri i lejon studentët mbi 21 vjeç që kanë leje arme, që tashmë t’i mbajnë ato edhe në klasë. Ky është ligji i ri që ka hyrë në fuqi në Teksas të Amerikës, në bazë të të cilit studentët mund të mbajnë armë me vete në universitet, por pa i ekspozuar publikisht. Teksasi bëhet shteti i tetë amerikan që lejon studentët të mbajnë armë me vete në mjediset universitare. Mbështetësit e ligjit thonë se ky është një hap i madh për vetëmbrojtjen dhe respektimin e të drejtave kushtetuese. Sipas republikanëve, armëmbajtja me leje e studentëve mund të parandalojë vrasjen masive të radhës. Megjithatë, kritikët e ligjit thonë se armëmbajtja në kolegje mund të jetë një zgjidhje e gabuar, e cila mund të sjellë më tepër dhunë.