Toka është e sheshtë/ Konspiracionistët hedhin poshtë ligjet e Isak Njuton, graviteti nuk ekziston

Tokë-sheshtit u mblodhën në konferencën e radhës dhe prej andej del një perlë e vërtetë, që hedh poshtë të gjithë ligjet e fizikës që njihen deri më sot.

Rreth dyqind persona që besojnë se Toka është e sheshtë u mblodhën në Birmingham në Konventën e parë (Jo)shkencore të këtij lloji në Britaninë e Madhe.

Mes tyre ishte edhe David Marsh, një emër i njohur mes tokë-sheshtëve, që bëri zbulimin e madh: graviteti nuk ekziston dhe ai mund ta provojë këtë.

“Puna ime kërkimore shkatërron teorinë e big-bangut dhe mbështet idenë që graviteti nuk ekziston dhe e vetmja forcë natyrore që ekziston është elektromagnetizmi”, deklaroi ai.

Për ta provuar këtë “shkencërisht”, Marsh përdor një kamera Nikon dhe një aplikacion. “Eksperimentin” thotë se e kreu nga “bahçja” e tij, duke e drejtuar kamerën në drejtim të Hënës dhe duke e ndjekur atë përgjatë gjithë kohës, falë aplikacionit të përdorur. Përfundimi, sipas Marsh, nëse graviteti do të ekzistonte, kamera nuk do të mund ta ndiqte Hënën përgjatë gjithë udhëtimit të saj.

Ndërkohë, Darren Nesbit dha përgjigjen e shumëpritur për pyetjen që të gjithë presin: pra, nëse Toka është e sheshtë, pse nuk rrëzohemi kur shkojmë në fund të saj, apo pse nuk përplasemi në fund të saj me një mur.

“Të gjithë e dimë që udhëtimi pambarim nga lindja në perëndim dhe anasjelltas është një realitet. Një përgjigje logjike për ata që vërtet janë të lirë të mendojnë, është fakti që ndodh një efekt Pac-Man”, thotë Nesbit.

Pra, sipas tij, sa herë që në i shkojmë në fund Tokës së sheshtë, rikthehemi edhe një herë aty ku jemi nisur, njësoj si Pac Man tek loja e famshme elektronike.

SHKARKO APP