Trafikantit i gjenden 79 mijë euro në bark
Një trafikant nigerian u arrestua në lindje të Francës me 79 mijë euro në stomak dhe 13 mijë franga zvicerane të fshehura në veshje dhe këpucë, bëri të ditur dogana. Ai u arrestua rastësisht, ndërkohë që po udhëtonte në një autobus të qytetit në afërsi të stacionit të autobusëve në Strasburg, trafikanti ka deklaruar për agjentët e doganave se ai banonte në Spanjë dhe se jetonte me të ardhurat që fitonte si pjatalarës në një restorant në Baleares. Ai dha shpjegime të tjera për doganierët për origjinën e parave. Qeni antidrogë ka ndjerë aromën e kanabisit në kartëmonedhat që kishte fshehur. Dorëzuar policisë gjyqësore, personi i është nënshtruar një radiografie që ka treguar praninë e nëntë prezervativëve të mbushur me kartëmonedha. Policia ka zbuluar përmbajtjen e tyre, prerje 200 dhe 500 euro që arrinin vlerën e 79 mijë eurove.