Treni i parë pa shofer nis udhëtimin, ecën me 350 km/h
Teksa vijon puna për organizimin e Lojërave Olimpike Dimërore në Pekin 2022, Kina ka shënuar një tjetër moment historik.
Shteti aziatik ka ndërtuar një hekurudhë të shpejtësisë së lartë, me trenin që nuk ka makinist për ta drejtuar (shofer). Linja e re ka një gjatësi prej 108 kilometrash dhe lidh kryeqytetin me qytetin pritës të Lojërave Olimpike, Zhangjiakou.
Hekurudha është vënë menjëherë në shërbim të qytetarëve, duke shkurtuar kohën e udhëtimit midis të dy qytetëve nga tre orë në 47 minuta. Treni mund të kapë një shpejtësi që shkon deri në 350 kilometra në orë dhe është i pari në botë që udhëton pa shofer. Për ndërtimin e tij janë dashur 4 vite. Udhëtimi do të ndalet në 10 stacione, përfshirë Badaling Chang Cheng, seksioni më i njohur i Murit të Madh të Kinës.
Linja e re hekurudhore filloi operacionet në 30 dhjetor, me trenin e parë që shkonte nga Stacioni Hekurudhor i Pekinit në Veri deri në Stacionin hekurudhor Taizicheng.
Biletat variojnë nga RMB77 (11 dollarë) deri në RMB231 (33 dollarë) për një tren normal me shpejtësi të lartë dhe RMB90 (12 dollarë) deri në RMB270 (38 dollarë) nëse udhëtoni me një tren të zgjuar. Biletat për trenat inteligjentë duhet të rezervohen dy ditë para.
Por, çfarë i bën ata “të zgjuar”? Karrocat janë të pajisura me sinjale 5G, ndriçim inteligjent dhe 2.718 sensorë për të mbledhur të dhëna në kohë reale dhe për të zbuluar ndonjë anomali operative. Ndërkohë, çdo vend individual ka panelin e tij të kontrollit me ekranin me prekje dhe vend për të karikuar telefonin.
/Ora News