Turku synon rekordin botëror si njeriu me më shumë bletë në trup
Bletari Abdulvahap Semo nga qarku Catak në provincën turke Van, ka javë që tenton të thyejë rekordin botëror duke tërhequr në trupin e tij miliona bletë, raporton AA.
Duke folur për AA-në, Semo tha se kishte rastisur të shohë në internet Librin e Rekordeve Gines ku qëndron edhe kategoria për “njeriun me më shumë bletë në trup”, për çka kishte vendosur të shënojë emrin e tij në këtë rubrikë.
I ndihmuar nga vëllai i tij Hadi, gjithashtu bletar, ai disa herë kishte tentuar të thyejë rekordin, ndërsa tentimi i fundit i tij është regjistruar me kamerë të telefonit celular, një video kjo që ka tërhequr vëmendjen e opinionit në Turqi dhe më gjerë.
“Me secilën përpjekje e kemi rritur numrin e bletëve dhe herën e fundit unë kisha mbi trupin tim bletët nga gjashtë arka. Bëhet fjalë për miliona bletë. Komentet e marra ishin kryesisht pozitive, por ka shumë të tillë që më thonë se e vë veten në rrezik të madh”, tha Semo.