Ushqimet që duhen larë me patjetër para se t’i konsumoni

Larja e perimeve, frutave dhe barishteve është e një rëndësie thelbësore për sigurinë ushqimore.

Megjithatë, ka shumë njerëz që e neglizhojnë këtë aspekt.

Në këtë artikull do të mësoni për listën e ushqimeve që duhen larë patjetër përpara konsumit.

Avokado

Fakti që lëkura e avokados është e pangrënshme nuk do të thotë që ajo nuk duhet larë.

Nëse ka baktere në lëkurë, ato do të transferohen shumë shpejt në pjesën e tulit.

E njëjta llogjikë vlen edhe për portokallin dhe fruta të tjera si: molla, shalqini, pjepri, frutat e pyllit, limonin e verdhë dhe limonin jeshil.

Barishtet

Nëse blini sallata me barishte të paketuara, ekspertët këshillojnë t’i shpëlani por nëse i keni blerë direkt nga tufa në tezgat e shitësve atëherë duhet të siguroheni që t’i lani barishtet me ujë të rrjedhshëm dhe me pak uthull ose sodë buke.

Kësisoj do të mbroni veten dhe familjen si fillim nga helmimi e më pas nga probleme të tjera.

I njëjti rregull duhet të zbatohet edhe me erëzat e freskëta siç janë majdanozi, kopra, etj.

Patatet

Edhe nëse keni ndërmend ta qëroni pataten, ajo duhet larë.

Larja është e domosdoshme për të shmangur transferimin e baktereve nga lëkura në pjesën e brendshme të patates.

Legumet e Konservuara

Legumet e konservuara ku përfshihen edhe paketimet e fasuleve të ndryshme janë perfekte për një vakt të shpejtë por përpara se t’i hidhni direkt nga kavanozi në tenxhere, shpëlajini me ujë.

Lëngu ku konservohen këto legume mund të ketë shumë kripë dhe përbërës të tjerë që tjetërsojnë shijen e gatimit tuaj.

Orizi

Amvisat shqiptare e kanë pasur gjithnjë traditë shpëlarjen e orizit para gatimit të pilafit.

Përveç pastërtisë, shpëlarja e orizit ka si qëllim heqjen edhe të niseshtesë së tepërt dhe për të lejuar që kokrrizat të mos ngjiten me njëra tjetrën.

E njëjta llogjikë vlen edhe për kinoan dhe drithëra të tjerë përveç makaronave./AgroWeb.org

SHKARKO APP