Vendimi, Parisi rrezikon të humbë titullin “Qyteti i Dashurisë”
Qindra mijëra drynë të vendosur nga të dashuruarit në urën e artit në Paris janë hequr nga punëtorët, pasi pesha e rëndë e simbolit të njohur tashmë të dashurisë nga romantikët rrezikon shembjen e strukturës së ndërtuar në shekullin e 19.
Ura e këmbësorëve është bërë një vend i shenjtë për turistët e dashuruar dhe parisianët githashtu, të cilët kërkojnë të dëshmojnë dashurinë e tyre, duke vendosur një dry me inicialet e tyre apo edhe me mesazhe dashurie. Shpesh herë çifte të dashuruar udhëtojnë drejt kryeqytetit francez vetëm për t’u bërë pjesë e këtij riti, i cili edhe pse është bërë popullor në vende të tjera, mbetet një simbol parisian.
Por një pjesë e madhe e banorëve të qytetit mendojnë se vendosja e drynëve është shumë e rrezikshme, pasi një pjesë e urës u shemb nga ngarkesa e madhe verën e kaluar. Bashkia e kryeqytetit të Francës në një deklaratë thotë se drynët, edhe pse simbol i të dashuruarve prishin estetikën e urës dhe gjithashtu rrezikojnë që ura të bjerë mbi lumin Senë.
Por nuk mendojnë njësoj turistët, të cilët janë të tronditur nga ky vendim i fundit i autoriteteve parisiane. Australiani Wang Xu, turist, shprehet i tronditur nga heqja e drynëve, por shpreson që të paktën të gjithë simbolet e të dashuruarve të vendosen në muze.
“Kam dëgjuar se do të hidhen. Unë mendoj që të paktën të vendosen në një muze që njerëzit të kenë mundësi t’i shohin, medoj se nuk duhet të hidhen,” deklaron ai.
Ndërkohë një çift nga Washingtoni është i zhgënjyer nga vendimi
“Kjo është shumë e trishtuar. Ne erdhëm këtu me shpresën për të vendosur drynin tonë të dashurisë atje, po morëm vesh që tani është e paligjshme. Por, gjithsesi ne do të shkojmë të vendosim drynin tonë, thotë Kethrine.
Kangjellat ekzistuese do të zëvendësohen me panele të artit të rrugës dhe më vonë gjatë vitit do të vendoset një material transparent me ngjyra. Kjo, sipas zëvendëskryetarit të bashkisë së Parisit, Bruno Julliard, do të parandalojë vendosjen e drynëve të tjerë në kangjellat e urës. Një arkitekt britanik ndërkohë, resident në Paris, Kolin Kovac, propozoi një ide për të përmbushur dëshirën e turistëve të dashuaruar. Ai thotë që në çdo bar kafene të vendosen kangjella për të lejuar të dashuruarit të vendosin drynët e tyre të dashurisë.
“Kjo gjë është shumë e këndshme dhe shumë romantike. Njerëzit mund të vendosin drynët e tyre të dashurisë në kangjellat e urës dhe kjo nuk dëmton dizajnin e saj. Pastaj këto mund të hiqen dhe metali mund të riciklohet dhe të përdoret për ndonjë qëllim tjetër,” thotë ai.
Megjithatë, turistët nuk duhet të shqetësohen kaq shumë, pasi në Paris ka dhjetëra ura të tjera që respektojnë traditën e famshme të drynëve të dashurisë dhe të gjithë të dashuruarit mund të shprehin ndjenjat e tyre në qytetin e dritave, të paktën tani për tani.