Vetëm 4 vjeç, dënohet me burgim të përjetshëm

Një 4-vjeçar në Egjipt është dënuar me burgim të përjetshëm për krimet që thuhet se i ka kryer ende pa festuar ditëlindjen e tij të dytë.

Tashmë, Ahmad Mansour Karni është shpallur në kërkim nga policia egjiptiane pikërisht për katër vrasje, 8 tentativa për vrasje dhe dëmtim të pronës publike.

Ndërkaq, ekziston një aludim se 4-vjeçari mund të ketë të njëjtin emër me një të rritur, porse është bërë ngatërresë me çertifikatat e lindjes.

Ahmed është dënuar në mungesë, ndërsa zyrtarët nuk e kanë vënë re se bëhet fjalë për një person që kur ka kryer krimet e supozuara nuk ka qenë më i madh se 2-vjeç.

Nga ana e tij, avokati mbrojtës i 4-vjeçarit, Faisal al-Sayd, ka deklaruar për “Jerusalem Post” se ky vendim vërteton se juria as nuk e ka lexuar fare çështjen.

Rasti ka bërë bujë në Kairo, ndërsa avokati Mohammed Abu Hurira tha se “nuk ka drejtësi në Egjipt, pasi vendi drejtohet nga një tufë të çmendurish”.

Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që drejtësia egjiptiane “skuqet nga turpi” për shkak të vendimeve absurde, pasi në vitin 2014 dy meshkuj u dënuan me vdekje, pavarësisht se ata kishin vdekur prej vitesh.

SHKARKO APP