Home Bota Kush do të kr...

Kush do të kryesojë në Intelegjencën Artificiale në vitin 2030: Kina apo SHBA?

20
0

-Botuar në radion gjermane DW-

Kina ka si synim që deri në vitin 2030 të dominojë në fushën e inteligjencës artificiale në të gjithë botën. A do t’ia dalë?

Gjigantët kinezë të teknologjisë po shpejtojnë të kapin rivalët e tyre amerikanë në krijimin e chatboteve të inteligjencës artificiale (IA). Ekonomia e dytë më e madhe në botë është duke shpenzuar vetëm këtë vit, 15 miliardë dollarë (13.5 miliardë euro) vetëm për projektet e IA. Kjo është një rritje prej gati 50% brenda dy vjetësh. Para daljes së modeleve të mëdha gjuhësore si ChatGPT, që mbështetet nga kompania amerikane Microsoft, disa ekspertë të teknologjisë nuk mund ta thoshin me siguri se Perëndimi do të dominonte garën për IA, pavarësisht se laboratorët më të avancuar të IA ndodhen në SHBA dhe Britani të Madhe.

Kai-Fu Lee, një informaticien dhe biznesmen tajvanez, parashikoi në vitin 2018 se Kina do ta kalonte shpejt SHBA si një superfuqi e IA, duke këmbëngulur se teknologjia tashmë e kishte kaluar fazën e inovacionit. Lee tha se bota ishte tani në fazën e zbatimit të IA, ku Kina ka një avantazh, për shkak të spiunimit që shteti i bën popullsisë prej tashmë shumë vitesh.Vëzhgimi i vazhdueshëm i popullsisë i ka krijuar mundësi Kinës të grumbullojë sasi të mëdha të dhënash të cilat i shfrytëzojnë platformat e IA për të përmirësuar procesin e mësimit.

Përparësia e Perëndimit: Larmia e të dhënave

Por, ndërsa më shumë se gjysma e rreth 1 miliard kamerave të vëzhgimit në të gjithë planetin janë vendosur në Kinë, kritikët e Lee argumentojnë se revolucioni i IA është ende në fillimet e tij dhe se është Perëndimi ai që e ka çelësin e kësaj teknologjie.

“Risitë e mëdha në IA nuk kanë ardhur ende… Dhe SHBA aktualisht ka avantazh në atë fushë,” thotë për DW, Pedro Domingos, profesor emeritus për shkenca kompjuterike në Universitetin e Uashingtonit. Ai shpjegon se përparësia e SHBA qëndron te larmia e të dhënave që grumbullon:  “Edhe larmia e të dhënave është e rëndësishme. Unë do të preferoja të kisha më shumë të dhëna nga Evropa, le të themi, se nga Kina, sepse e para është më e larmishme dhe prej saj mund të mësosh më shumë.

Roboti Humanoid ka pamjen e një gruaje. Çaçkën e kokës e ka të prerë, në majë të kaptinës duken çipat. Roboti Humanoid ka pamjen e një gruaje. Çaçkën e kokës e ka të prerë, në majë të kaptinës duken çipat.

Problem për Kinën: Frenimi i eksportit të çipave

SHBA është e shqetësuar për ambiciet teknologjike të Pekinit, veçanërisht pasi politika zyrtare e qeverisë kineze është që deri në vitin 2030 ta bëjë vendin lojtarin dominues të IA në botë. Marrëdhëniet gjithnjë e më të përkeqësuara midis Uashingtonit dhe Pekinit kanë bërë që SHBA ta frenonte eksportimin e çipeve më të përparuara të memories, për të cilat kanë nevojë firmat kineze për modelet e tyre të avancuara të gjuhës me IA.

“Sistemet më të fundit të IA kërkojnë sasi të madhe hardueri – me mijëra çipe shumë të specializuara që funksionojnë për javë ose muaj të tërë”, tha për DW Paul Scharre, zëvendës-president dhe drejtor i studimeve në Center for New American Security (CNAS). Frenimi i eksportit të çipeve përbën një pengesë për zhvillimin e teknologjisë IA në Kinë, thotë ai.

Por firmat kineze të teknologjisë mund të gjejnë mënyra të tjera për të dalë nga ky problem: Tregu vendas i gjysmëpërçuesve mund të përjetojë një bum investimesh, ndërkohë që edhe prodhuesit vendas po garojnë për të përmirësuar çipet e tyre.

Problem për Perëndimin: Modelet janë të hapura për këdo

Një tjetër vrimë që Uashingtoni mund të kërkojë ta mbyllë është se platformat amerikane të mësimit të makinerive të IA  janë ende me burime të hapura – pra, ato mund të kopjohen dhe modifikohen nga kushdo. “Kur ke akses në modelin e trajnuar të IA nuk ke nevojë për çipe të avancuara. Pra, ekziston një rrezik real që ky frenim i eksportit të çipeve të mos bëjë efekt,” paralajmëron Scharre, autori i librit “Katër fusha beteje: Pushteti në epokën e inteligjencës artificiale”.

Versionet kineze të ChatGPT, të krijuara nga kompani, si gjiganti i e-commerce, Alibaba, dhe platforma e mediave sociale, Baidu, u shfaqën për herë të parë në prill të vitit 2023, vetëm disa muaj pas produkteve perëndimore.Fotografi: picture alliance/CFOTO

Në fakt versionet kineze të ChatGPT, të krijuara nga kompani, si gjiganti i e-commerce, Alibaba, dhe platforma e mediave sociale, Baidu, u shfaqën për herë të parë në prill të vitit 2023, vetëm disa muaj pas produkteve perëndimore.

Censura shtetërore frenon zhvillimin e Inteligjencës artificiale

Por Kina ka shumë pengesa të tjera për të kapërcyer, përpara se ajo të bëhet dominuese e IA në të gjithë botën. Presidenti Xi Jinping i ka dobësuar vitet e fundit gjigantët e teknologjisë. Karman Lucero, një studiues në Paul Tsai China Center, në Yale Law School, thotë se obsesioni i qeverisë kineze për të censuruar mund të jetë thembra e Akilit për teknologjinë e inteligjencës artificiale: “Në Kinë, ka një listë të gjatë me tema [të censurueshme], e cila vazhdimisht ndryshon. Një temë që sot mund të lejohet, nesër mund të ndalohet, për asgjë nuk mund të bëhen parashikime.”

Problem tjetër për Kinën: Ikja e trurit

Por Kina ka edhe probleme me specialistët. Pavarësisht nga përpjekjet e shumta për të ndërtuar një ushtri talentesh të IA, mbajtja e specialistëve të lartë të teknologjisë është një sfidë më vete. “Shkencëtarët më të mirë të IA largohen nga Kina. Dhe ata nuk shkojnë jashtë vendit vetëm për të studiuar dhe punuar, ata preferojnë një mënyrë jetese më demokratike,” thotë Scharre. Por pavarësisht nga këto çështje, ai mendon se laboratorët e IA në Kinë janë vetëm 18 muaj prapa laboratorëve kryesorë të IA në Perëndim.

Mos po e nënvleftëson Perëndimi Kinën?

Ndërsa disa në Perëndim ende janë duke pyetur, se mos duhet ta ndalin përdorimin e IA për shkaqe sigurie, Domingos thotë se Kina po ecën përpara në këtë sektor, sepse IA është një “instrument për të cilin ëndërron çdo autokrat.” Për ne në botën demokratike, është me rëndësi që SHBA të përparojë në këtë fushë. Nëse këtë luftë e fiton Kina, do të kemi shumë probleme — politikisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht,” paralajmëron Domingos/DW/

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Kryesore

Me shume nga Kryesore

Lajmet e Fundit

Te Fundit