“1 milion shuplakat ishin për të korruptuarit, apo qytetarët”
Letra në Redaksi
Z. Kryeministër, një mesazh i juaji në prag të fushatës elektorale të vitit 2013 më shtyu tu dërgoj një reagim publik. Po e ripordhojë pikë për pikë mesazhin tuaj: “Sot ishte dita e fundit e ankthi tuaj për vendin e punës. Pasnesër është dita e Rilindjes! Rilindjes tuaj si shërbëtorë të shtetit e qytetarëve dhe jo pushtetit e oborrit të katragjyshit. Vota juaj për PS e nr.29 është shuplaka e merituar ndaj atyre që po ikin për cënimin në nderin e dinjitetin tuaj. Unë ju garantoj se ata nuk do ikin pa marrë dhe shuplakën e ligjit dhe ju premtoj shpërblimin e merituar për punën fisnike qe kryeni. Edi Rama/ 21/06/2013 20:04:16”
Po bëhen pothuaj dy vjet nga data e këtij mesazhi dhe në një pikë kishit shumë të drejtë… nuk kam me ankth për vendin e punës, sepse prej një muaji jam i papunë. Rilindja erdhi me datë 25 Qershor të 2013 pasi shumë njerëz besuan vërtetë se mund të ndryshonte diçka për mirë në jetën e tyre, në një vend që ka gjithçka dhuratë nga ZOTI, por që e rrjepin bijtë e tij. Pas dy vitesh, përveç një pjese të vogël të oborrit, bijtë e vendit ndjehen, në mos më keq njëlloj, si laraska dhe sorra që dhe kur lodhen të këndojnë nuk jua dëgjon kush zërin sepse është çjerrë këto 24 vite tranzicion.
E morët votën Z. Rama dhe ku është ajo shuplaka! Apo ajo është për në qytetarët e këtij vendi të stërlodhur? Ku është nderi dhe dinjiteti im dhe i çdo qytetari që punonte fort për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për familjen dhe rrjedhimisht për shoqërinë duke zbatuar ligjin dhe vetëm ligjin. Ku është nderi ynë, kur ai cenohet pikërisht nga ata që thyejnë ligjin të emëruar në poste, pikërisht nga Ju dhe Rilindja juaj.
Si ka mundësi qe në poste drejtuese janë dy lloje karakteresh… Të parët janë ata që po tu besh një test inteligjence të thjeshtë, jam mëse i sigurt që do vendosnin një rekord të ri Guinness për nivelin më të ulët në administratën botërore. Në këtë pikë jeni baras me të gjthë paraardhësit tuaj. Të dytët janë ata që e kanë postin në një mënyrë apo tjetër duke bërë që të gjithë njerëzit që vërtetë punojnë, apo duan të punojnë të jenë nën presionin e pushtetit të parasë.
Së fundmi, dua t’Ju falenderoj personalisht për shpërblimin për punën e kryer duke qëndruar 12 orë në ditë në shërbim të qytetarëve, në shi, në të ftohtë, në diell e në vapë dhe për çfarë? Për t’u flakur tej, pa asnjë shkak të ligjshëm nga ata që keni emëruar Ju, pavarësisht se kam dy fëmijë të vegjël 6 vjeç dhe 4 muajsh për të mbajtur, pavarësisht se kam shtëpinë me kredi prej më shumë se 20 000 euro, pa folur për borxhet e vogla që ju marrim përditë familjareve. Kam dhe në pyetje për Ju: Çfarë do të thotë në shqip Rilindje, se termin ringjallje e kam hasur në shumë libra, por Rilindjen si proces nuk kam arritur ta kuptoj?!
Aleksandër Gjidodaj