1 Qershori i fëmijëve dhe disa shqetësime për sjelljen e tyre..

Nga Entela Binjaku/Rastet, kur fëmijët shfaqin sjellje agresive të formave nga më të ndryshme, nuk janë të pakta. Prindër, mësues, aktorë të ndryshëm të shoqërisë flasin për fëmijë që ushtrojnë dhunë, fizike, emocionale e psikologjike ndaj bashkëmoshatarëve të tyre.

Ekspertët që merren me analizën e sjelljes njerëzore e shpjegojnë dukurinë psiko-sociale të agresivitetit, sipas disa këndvështrimeve.  Ndër teoritë kryesore mund të përmendim ato që lidhen me impulsivitetin e lindur, frustrimin apo tolerancën e ulët ndaj mungesave (që janë kryesisht të natyrës materiale dhe shpirtërore) dhe të mësuarit të sjelljeve shoqërore. Ushtrimi i sjelljes agresive të fëmijëve ndaj fëmijëve që lind kryesisht nga pabarazitë fizike dhe të prestigjit shoqëror mes të barabartëve, njihet me termin “bullizm” në themel të të cilit qëndron agresiviteti.  Ndaj lind nevoja të kuptojmë burimin e agresivitetit dhe shkaqet e paraqitjes së tij edhe kur kërkojmë të shpjegojmë “bullizmin”, këtë formë që po e ndeshim shpesh.

Sjelljet agresive tek fëmijët vihen re që kur ndjekin ciklin e ulët fillor.  Agresiviteti  në këtë grupmoshë paraqitet në një mënyrë të caktuar, gjë, e cila  të nxit të kërkosh shkaqet dhe fillesat e kësaj sjelljeje. Me qëllimin që të parandalojmë rastet e përsëritura ose të kthyera në  kronike të agresivitetit fizik dhe emocional tek fëmijët e kësaj grupmoshe, duhet të përqendrohemi te mënyra e zhvillimit në fazën e parë të jetës,  që në vitet e para pas lindjes, sepse në këtë fazë vendosen bazat e sjelljes agresive të mëvonshme.

Në vetvete agresiviteti ka të bëjë me anën tonë instinktive, sepse bën pjesë në emocionet tona bazë dhe është mekanizmi parësor i mbrojtjes. Ai lidhet me një trashëgimi të përcjellë gjenetikisht dhe është sjellje shoqërore e mësuar.

Situatat e jetës shoqërore që rrethojnë fëmijën janë përcaktuese në të mësuarit e kësaj sjelljeje. Fëmijët e  mësojnë agresivitetin që në vitet e para të jetës nga prindërit, nga të afërmit dhe nga fëmijët e tjerë me të cilët ndërveprojnë; e mësojnë prej filmave që ndjekin, vizatimorë ose jo, programeve televizive që shfaqin këto lloj sjelljesh. Kur fëmija sheh se sjellja agresive është model që sjell përfitime, ai e përvetëson atë si model të cilin e vë në zbatim në mënyrë të amplifikuar kur përballet me situata të papëlqyeshme, me sjellje që e mundojnë ose e lëndojnë dhe kur sheh që edhe të tjerët veprojnë po njëlloj.

Fëmijët kanë nevojë për një nivel të caktuar agresiviteti, sepse pa të, fëmija  mund të shndërrohet në tabelë shënjestrimi për të tjerët, gjë e cila kur ndodh,  sjell pasoja afatgjata.

Shkaqet kryesore që shpërthejnë agresivitetin tek fëmijët që gjejnë studiuesit janë mungesat dhe kërkimi i vëmendjes. Mungesat krijohen në ato situata në dukje të thjeshta, p.sh., kur fëmijës i kërkohet të ndalë lojën, por ai dëshiron ta vazhdojë atë, apo kur nuk merr  atë që dëshiron. Ndërsa vëmendjen ai e kërkon prej njerëzve të cilëve ju ka falur dashuri. Në rastet kur prindërit apo të tjerët rreth tij, pra njerëzit me rëndësi për të, nuk japin apo nuk ja ofrojnë vëmendjen, ai përgjigjet me sjellje agresive.  Kjo ndodh për shembull kur fëmija i madh sheh që motra apo vëllai më i vogël,  merr më shumë vëmendje dhe kujdes krahasuar me të.

Megjithatë studiuesit e sjelljes njerëzore falë përvojave të ndryshme të studiuara, kanë përpiluar metoda  për t’u ardhur në ndihmë fëmijëve të tejkalojnë problemet e lidhura me  agresivitetin.

Për këtë ata sugjerojnë të shmangen ndëshkimet fizike. Ndëshkimet e ashpra janë shkaqet kryesore për sjelljen agresive. Prindërit në veçanti dhe të rriturit në përgjithësi janë modele që fëmijët i ndjekin. Kur  prindi bërtet dhe godet në shtëpi, atëherë çfarë modeli mund t’i japë ai  fëmijës? Kur fëmija sheh se prindi në situata të vështira reagon në këtë mënyrë, edhe ai  do të ndjekë po të njëjtin  model. Në kushtet kur familja shqiptare përballet me vështirësi të ndryshme, kushtet për mirëedukimin e fëmijës bëhen gjithmonë e më të vështira.

Ndaj ju kërkohet prindërve të tregojnë kujdes ndaj situatave që shkaktojnë agresivitet, të jenë të vëmendshëm sesi reagon fëmija ndaj tyre dhe të kuptojnë mirë atë kontekst familjar që e bën fëmijën agresiv. Studiuesit thonë se familja është celula më e rëndësishme e shoqërisë sepse prindi duhet të bëhet profesori i parë i rëndësishëm në jetën e fëmijës. Por fëmija ka nevojë për model të përshtatshëm, ku prindi apo i rrituri ka kontroll mbi emocionet, mban nën fre zemërimin dhe shmang agresivitetin. Është prindi ai që duhet ta mësojë fëmijën  si të shprehë emocionet, si ato pozitive ashtu dhe ato negative duke dhënë vetë  i pari shembullin që kontrollon nervozizmin dhe inatin në çdo situatë.

Kur këto  këshilla nuk tregojnë përmirësim këshillimi me psikologun jep zgjidhje dhe strategji praktike për edukim  prindëror funksional.

Mbështetja dhe ngrohtësia janë dy përbërës të rëndësishëm në përcaktimin e të ardhmes si i rritur. Të gjithë fëmijët kanë nevojë për këto dy elementë për të ndërtuar marrëdhënie  ndërpersonale sa më të drejta dhe në harmoni. Ky rregull është i rëndësishëm dhe i vlefshëm sidomos për fëmijët e mëdhenj, pra ata që kanë edhe motra apo vëllezër më të vegjël. Fëmija i parë e ka të vështirë të kuptojë se me ardhjen në jetë të fëmijës tjetër duhet të ndajë me të vëmendjen dhe dashurinë prindërore. Nëse nuk i merr mjaftueshëm këto dy elementë ndjehet i izoluar, i refuzuar dhe do të nisë të zhvillojë sjellje negative ndaj të tjerëve. Për këtë duhen edukuar prindërit me nevojën për të njohur zhvillimin e psikologjisë moshore.

Sot shumë prindër I lënë fëmijët para ekranit  dhe merren me punë të tjera. Prindërit duhet të monitorojnë programet televizive dhe lojërat me të cilat luan fëmija. Ka një lidhje të caktuar midis programeve televizive dhe agresivitetit të fëmijëve edhe pse hera-herës kjo lidhje është mbivlerësuar ose trajtuar në mënyrë të përciptë. Prandaj prindi duhet të ndërhyjë dhe ta orientojë fëmijën drejt aspekteve të tjera të jetës civile, sepse nëse nuk ndërhyn fëmijës i përcillet mesazhi se dhuna është e pranueshme dhe e tolerueshme nga shoqëria.

Edhe pse një për një shumicë qytetarësh tashmë prindër,  këto koncepte janë të panjohura, ose të paedukuara në fëmijërinë e tyre, është parë se janë vendimtare për një të rritur të edukuar me vlerat e jetës civile.

Prindi duhet ta nxisë fëmijën të flasë për  ndjenjat dhe emocionet që përjeton. E folura hapur për përjetimet i tregon fëmijës metodën për të shkarkuar inatin dhe zemërimin. Fëmijët kanë   nevojë të njohin  dialogun  dhe negociimin si mënyrat e duhura për të trajtuar situatat e vështira. Duke ja mësuar këtë kemi ndihmuar jo vetëm që fëmijët t’u qëndrojnë larg sjelljeve agresive, por edhe mbarë shoqërinë për t’i dhënë asaj një brez tjetër të rriturish me koncepte të shëndosha dhe të kultivuara që herët, në kohë.

SHKARKO APP