10 minuta origjinale me rojen!

Nga Irfan Rama

Me bashkëshorten time shkuam të hënën në muzg të datës 23 shkurt 2015, në një bankë të nivelit të dytë këtu në kryeqytet, për të kryer një veprim bankar. Sapo kapërcyem pragun e derës, sytë më shkuan drejtazi tek polici në të djathtë të derës hyrëse të xhamtë. Ishte i ulur në një karrige me lartësi 40-50 centimetër nga sipërfaqja e mermertë. Syprina e ndenjëses së rehatë për policin, ishte e përkuqtë në të ndezur. Kur hymë ai, vetëm na hodhi një kundrim të shpejtë sekondësh dhe uli kokën sërish. Ime shoqe shkoi në të majtë ku e priste me honorifikim komunikues financierja. Ora ishte 17 e 50 minuta kur pashë orën dhe u ula në një karrige si të policit dhe rreth 4-5 metra larg tij. Kishte një veshje policore të blutë me një pullinë që siglonte “security” pak mbi mesin e dorës. Më kundroi një herë vetëm me një lëvizje të shpejtë të syve paralelisht me syrin tim çift dhe vijoi punën e tij. Kishte punë me celularin e tij! Seç vështronte aty si të kish zbuluar në lundrimin internetas vendodhje diamantesh! Nuk e mora vesh për minutat që qëndrova me sytë që ia kisha ngulur pa rëndim të ndonjë pune tjetër. A thua thash me vete ky është abonuar në ndonjë kompani librash jashtë vendit, në ndonjë Bookstore në Londër si ajo në Canaryworf, në një supermarket shumëkatësh në Qendrën financiare të famshme të Londrës që pasi porosit libra me para – si ish-kryeministri shqiptar pasionant i thekur librash artistik e ku ta di unë – i ke në celularin tënd. Por kundova sërish me vëmendje celularin, por ishte i vockël. Galaxi 4,5,6 janë të mëdhenj. E po vijova të vështroj e të numëroj sekondat pa lëvizur shumë buzët dhe duke përcjellur njëkohësisht thembrën e njërës këmbë, të së djathtës sime siç bëj zakonisht kur dëgjoj muzikë të bukur. Si çdo qenie tjetër në këtë rruzull. Fillova: 1,2,3,4,5,6,…20,.. 35,…70. Ngriti kokën në sekond u “këshillua” me derën e vijoi me sytë e gjithë qënien në celular. Dhe unë vijova numrimin 71, 72, 90, 100… 120. Ngriti kokën vetëm 2-3 sekonda se hynë dy djem të rinj dhe një burrë, e ai vazhdoi me sy e kokë poshtë celularit. Unë vijova këndimin nga sekondi i parë dhe për 90 sekonda, Watch dog (figuracion: roja)nuk e çoi kokën. Dikush hyri nga dera dhe e thirri në emër. Ai i zgjati dorën me përplasje dhe ky pa luajtur thuajse fare nga vendi me harkim dore bëri një piskamë. Ndaloi për pak dhe futi gishtin tregues në hundë e ngriti vertikalisht lart dhe mendoj ta hiqte me shpejtësi të ngurtën duke ju kthyer sërish celularit. Epo thashë me vehte sa mesazhe i dërgokan këtij shalgjati me fytyrë të imët?  Ç’bukuri kishte në to, që ai tundohej aq shumë. Rishtaz numërova deri në 37 dhe ai u shkëput papritmas! Vendosi dorën e krahut të majtë në kokë. U kruajt me lëvizje të shpejta të gishtërinjve me thonj dhe la celularin për disa sekonda në të djathtë të tij, ku kishte një kalorifer të ngjitur apo të rrasur atypranë murit. E po mendova se tani ai do të mbaronte punën me celularin e do t’i vihej vërtet punës së tij, për të parë jashtë derës se mos afrohej ndonjë i dyshimtë. Apo nga 4-5 vetë që merreshin me punonjësit e bankës natyrisht, për një njeri jo fort të vëmendshëm ai duhej të kishte çdo qelizë e ndjesë të syrit, veshit e të gjithë trupin e tij me lëvizje shumë të shpejta në të katër anët e zyrës rreth 60 metër katror. As nuk kishte ruajtje, as vëzhgim, as gjurmim, as përgjim, as ndjekësi me vëmendje, as… E mori sërish celularin e vijoi punën, pasi bëri një “plasje” të dorës me një të njohur tjetër. Kaluan 37 sekonda dhe ngriti përsëri kokën dhe i futi një të gozhduar gishtit me hundën sa hamendësova tashmë çurgun e gjakut, por jo, dhe me këmbët njëra mbi tjetrën u përcoll tek celulari. Thash të çohem e ti qasem, për ta trembur pak, por thashë po më nxjerr revolen – që s’mu duk që e kishte gjëkundi – por mendova me vrig se kot po më kap si kapuçan pa maskë e po lajmëron policinë… Numrova rishtazi si sahat Swis se mu përduk se isha automatizuar në numërimin e sekondave dhe ai për 87 sekonda mendjen e kishte aty në të zezën e mpakët celularike Samsung, si të timen, nga ato që të rinjve të sotëm i duket vërtet demode. Përsëri 1,2,3,4,… 60… 90…120… Hyri dikush dhe ai nuk ngriti kokën e unë nuk mërzitesha 150,… 180… 200. Ime shoqe përfundoi me punonjësen në orën 18, dhe pasi bëri disa hapa deri tek unë më tha: Mbarova Irfan, hajde ikim. Unë vazhdova numërimin, kalova derën dysh e harpova me sy, por ai vijoi me të tijën. Ecja me kokë prapa duke numëruar. Numrova deri në 210 e ai vijonte e vijonte dhe unë përsëfundi e sosa robotimin tim. Eca përrreth 30 metra në mermer dhe kapërceva derën e ngrehinës për të shkuar në shtëpi, duke kujtuar me çudi “misterin” e rojës e celularit të tij…       

SHKARKO APP