10 nga 12 qarqe janë në rritje, Rama: Shqipëria ka tani momentin historik për t’u bërë pjesë e BE-së
Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i PS-së, zhvilloi këtë të premte një takim në asamblenë e Partisë Socialiste në njësinë 3 në Tiranë. Rama vlerësoi rezultatet në këtë njësi, ku theksoi se është një rezultat me rritje dhe jo me rënie. Ai falënderoi socialistët për punën e bërë, duke shtuar se nga 12 qarqe të Shqipërisë, 10 janë në rritje, ndërsa vetëm 2 kanë pësuar rënie. Rama u ndal edhe tek procesi i integrimit evropian, ku tha se vendi është përpara një mundësie historike për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian.
”Sot Partia Socialiste, ka barrën që të realizojë një mundësi që për herë të parë Shqipërisë i ka ardhur në dorë. Mendoj se në historinë tonë asnjëherë fati nuk i ka buzëqeshur shqiptarëve si tani”, u shpreh Rama. Kreu i qeverisë vuri në dukje rëndësinë e procesit të integrimit dhe të institucioneve të forta, të cilat, sipas tij, do të garantojnë një demokraci të qëndrueshme në Shqipëri.
”Ndodh që Shqipëria merr një asikuracion demokratik, sepse bëhet një vend i BE-së ku pavarësisht e çfarë thonë njerëzit që ankohen për gjëra që nuk shkojnë, por harrojnë se sa shumë gjëra të tjera kanë falë atij mekanizmi. Është një vend me garanci për institucionet. Për këtë arsye është gjithë ky proces me drejtësinë, pasi janë institucionet që vendosin për njerëzit. Ne duhet të jemi të vetëdijshme për një gjë që na ka ardhur ne në dorë që ne të bëjmë histori këtu”, tha Rama.
Në vijim të fjalës së tij, Rama ironizoi edhe opozitën, teksa theksoi se suksesi i arritur i PS-së është si rezultat i punës dhe angazhimit të strukturave të partisë. ”Ky proces gjithashtu lidhet dhe me fillimin e punës për zgjedhjet e ardhshme. Ku janë ata në këtë orë që flasim ne? Mos janë duke fjetur gjumë?! Ose janë në kafe ose janë në shtëpi, me siguri nuk janë duke bërë një takim sesi do të organizohemi. Pastaj thonë jo patronazhistë. Ja ju jeni patronazhistë. Suksesin nuk ne a fal njeri ne”.
KOHA JONË SONDAZH

