12 mijë familje dalin jashtë skemës së ndihmës ekonomike

 

Numri i familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike ka rënë me 12 mijë e 191 familje në tremujorin e parë të 2015, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit, duke arritur në rreth 75 mijë familje.

Ndërsa në raport me tremujorin e parë 2013 numri i familjeve që trajtoheshin më këtë ndihmë ra me rreth 27%, apo rreth 27 familje më pak, sipas të dhënave te INSTAT të raportuara në Buletinin Statistikor. Në tremujorin e parë 2013 kishte rreth 102 mijë familje që trajtoheshin me ndihmë ekonomike.

Gjatë tremujorit të parë të vitit 2015 numri mesatar i familjeve të trajtuara me ndihmë ekonomike është 74.933 familje, nga të cilat 43.744 familje u trajtuan me ndihmë ekonomike të pjesshme dhe 31.189 familje me ndihmë ekonomike të plotë.

“Numri mesatar i familjeve që përftuan ndihmë ekonomike gjatë tremujorit të parë 2015 është ulur me 1,5 % krahasuar me tremujorin e katërt 2014. Si rrjedhim, dhe fondi mesatar mujor i ndihmës ekonomike është ulur me 1,1 %” raporton INSTAT.

Sipas INSTAT, qarqet Dibër, Shkodër, Elbasan dhe Kukës kanë numrin më të madh mesatar të familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike. Sa i përket madhësisë së familjes, si në bashki ashtu edhe në komuna, familjet me nga katër pjesëtarë përbëjnë pjesën më të madhe të familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike.

Në marrëveshjen aktuale me FMN, konsolidimi fiskal do të vijojë më 2016 me elementin kryesor racionalizimin e fondeve për ndihmën ekonomike nëpërmjet pastrimit të skemës nga abuzimet./Monitor

SHKARKO APP