120 kambanat me thumb të Ben Blushit

Nga Kristo Mërtiri

Nuk na është bërë ende mendja livadh dhe as e kemi humbur fillin duke fluturuar në qiell, por llafin tënd së paku për një nga 10 letrat e Blushit po e presim bashkë me erën e gjethit nëpër Grykën e Këlcyrë-Mezhgoranit. Sepse ajo, sipas nesh, nuk u drejtohet vetëm socialistëve me tesera, o miku ynë në kryeqytet. Dhe mos u trego kaq tepër modest: 25 vjet më parë ti ishe delegat me mandat në atë Kongresin themelues të qershorit. Si nuk po bëzan për gazetën historike “Zëri i Popullit” që kohët e fundit humbi tinëzisht e djallëzisht nga qarkullimi? Gazetë ku u shpalosën me dinjitet mjaft firma të shquara në vite, talente e personalitete jo dosido. Është tjetër gjë se si dridhet e përdridhet ndonjë shejtanbudalla sot. Gjatë studimeve të larta, ti na ke pohuar me gojën plot se ke mësuar jo pak nga ato pena të mprehta. Aq më tepër kur deklaron shpesh jo pa krenari se nuk ke frikë nga e kaluara, e sotmja dhe e nesërmja. Kush i trembet emrit të pagëzuar jo nëpër studio e zyra luksoze, por në zjarrin e Luftës së shenjtë Antifashiste Nacionalçlirimtare? Sepse gazetën tënde me emrin e dashur “Bashkimi”, ethebutët dhe çakejtë “pluralistë” e kafshuan dhe e groposën herët! Por ti, miku ynë, nuk e hodhe penën në qilarët e errët të dëshpërimit. Si këtu edhe në udhët rënkimrënda të refugjatit fatgremisur. Fjala vjen, Foto Gjoka ynë, kërkohej çdo pasdite te Bregu në kërthizë të fshatit, bashkë me një magnetofon të vogël që dukej se lehtësonte sadopak pleqërinë. Ashtu syrrëmbushur dëgjonim të ulur këmbëkryq zërin drithërues të regjisorit Xhelil Aliu, nga një kasetë e siguruar në Radio-Tirana. Ky burrë i zoti nga Kalivaçi, i bëri vargjet e tua që të rrëqethej edhe guri e druri. Kur i the Dritëroit në shtëpinë e tij se ato janë më tepër si bejte mërgimi, ai të kundërshtoi: “Nuk janë të tilla, jo. Mos e harro, pas një dhimbjeje të madhe, mund të shpërthejë edhe poezia e vërtetë…”. Rrodhën mjaft ujëra mbi tokë e nën tokë…

A e di sa probleme gëlojnë vetëm në letrën e dytë të Blushit? Janë 120 pyetje të shkoqitura e shoshitura mirë që nuk bëjnë mbi udhë e nën ujë. Janë 120 të vërteta therëse e të parrumbullakosura. Dhe as duken e nduken thjesht si fishekzjarrë apo vetëm për bulmet elektoral. Aq më pak tullumbace partiake që plasin në një tubim të rëndomtë. Sipas gjykimit tim, ato nuk janë e as bien si një kambanë katundi të harruar mes maleve nga Perëndia e…Qeveria. Dhe as ndonjë kambanë pa thumb që flet qesimce a brenda korit të heshtanakëve e servilëve të përjetshëm. Shkrimet dhe ligjërimet e Ben Blushit nuk kanë nevojë për avokatë me dhe pa pagesë. Nëse adhuron sinqerisht mendimin ndryshe të njerëzve të mençur e trima, të atyre që nuk kulpërohen rreth trupit të Kryetarit të radhës ose ata që e kanë zët memecllëkun, grykësinë pushtetore e memurllëkun në parti e në shtet, nuk mund t’u varësh vjega mediore, bishta e batuta hipokrite. Gjer më sot, asnjë socialist i thekur, intelektual a njeri i thjeshtë nuk më ka thënë se Blushi gënjen. Edhe ky fakt më detyron të ulem e të shkruaj në gazetë fare hapur, pa iniciale e pa pseudonime këllira. Miqtë e mi vërsnikë e aspak menefrego, atje, në gjunjët e Golikut e të Trebeshinës, sot me siguri do të këmbejnë kutitë e duhanit, do lëçisin dhe do kuvendojnë pa qibër. Në fund, do i bien celularit… Po le të mos e këpusim fillin e bisedës ku ata jo më kot ngulin këmbë. Sepse s’janë nga ai sua që nuk i ka vrarë kurrë këpuca dhe as e kërcejnë nxitimthi gardhin nga inati e takati.

Pyetja e parë: Ç’u bënë tufat e djeshme me kukuvajka e skifterë egërshanë përballë të burgosurit politik, Fatos Nano dhe si u “shartuan” kaq shpejt në pëllumba e shelegurë gojëkyçur rreth Edi Ramës? Janë po këta sojsëzë që hidhen përpjetë e langarepsen përballë të vërtetave hidhësirë të Blushit. Janë kryesisht ata që verbohen nga shkëlqimi i rremë i privilegjeve rilindiste krejt të pamerituara, ama dhuruar me dorë nga vetë kryetari hovarda ! Ky “miell hua” e pa asnjë pikë djerse nëpër strukturat e PS-së, zuri pa cak e pa bam qoshetë dhe qerestetë e pushtetit lokal e qendror. Mirëfunksionimit statutor i vunë bërrylin. Asnjë kërkesë e llogari kolegjiale. Asfiksi mbytëse e ulëritëse. Disa premtime hutuese për punësim e investime po fluturojnë ende nëpër qiejt e euforisë marramendëse. Po shikojmë vetëm një tablo, jo nga ato varur në korridoret e kryeministrisë : Populli në gomone, Qeveria në koncesione !…Fshatin dhe shpopullimin e tij biblik e tragjik, e kanë hedhur pas krahëve. Ikin nga sytë këmbët fukarenjtë, por edhe të kamur (!).

-A e di se asgjë nuk e rrezikon më shumë një popull të vogël, sesa braktisja dhe emigracioni ?,-pyet me të drejtë Blushi.

Mirëpo mjaft aguridhe që me punën e parë në jetë shijuan majat e larta të institucioneve shtetërore, kanë zero haber për fshatin shqiptar halleshumë! Le të na thonë : Gjatë 3 vjetëve, në sa fshatra të Shqipërisë shkuan dhe a fjetën ndonjë natë atje ? Mos qeshni. As vizualisht nuk po e prekin dot mjerimin migjenian! Njohin më mirë kryeqytetet dhe aeroportet europiane e perëndimore, sallat e hotelet yjekëputur, por aspak Dragobinë e Hasin, Lumën e Kalanë e Dodës, Mokrën e Çermenikën, Gorën e Dangëllinë, Shpiragun e Zagorinë, Rrëzomën e Theollogon,Vermoshin a Konispolin…(?!). Veçse nuk shkulen për kiamet nga ekranet vezulluese e mashtruese përqark bulevardit të Tiranës. Më thoni, kush ia shtroi gunën kësaj kohe të gëkmëkut në parti e në shtet ? Deri dje socialistët i kishin zili nga e majta dhe nga e djathta…

Pyetja e dytë: Ca kokrra të pashkulura nga “garda e vjetër” drejtuese e që janë katandisur si ai kau plak “syfajkua” e gjuhëlidhur përballë Rilindistëve Mjaftistë, kur do përgjigjen publikisht se ku kanë përfunduar pas 3 vjetëve mjaft socialistë e eurosocialistë të vërtetë ? Apo të tjerë punuan e u munduan, të tjerë pehlivanë në sofër u shtruan ! Peqelepëria rreth “biçimnjëshit” sot duket e zhveshur dhe si e sëmurë nga prostati, por realisht pshurren nga frika. Dhe nuk e njohin hiç aktin demokratik të dorëheqjes. E aq më pak daljen me “nder” në pension me mbi dhjetëfishin e pagës së mijëra pensionistëve të thjeshtë në Shqipërizën tonë. Kot paska thënë i lashti se “tahmaja e madhe ha të zonë”! Koka e tyre është grisur e boshatisur herët dhe sot ngjajnë shumë me ata bandillë që u ka ngrënë pula kapsollën. Apo shfajësohen cipëplasur e të pagajasur sipas avazit të vjetër: “Kur nuk ke pulën, ha edhe sorrën (?!). Vegjëlia shikon Parlamentin dhe patakset nga injoranca e pasanikëve kokëtulë e tepër të dyshimtë.

Nga kush matufepsen dhe shullëhen të përgjumur përballë Blushit energjik e me kurajë të admirueshme qytetare e intelektuale ? Të jetë thjesht hipokrizi, paaftësi mercenare apo karaktere plastelinë në duart e çdo Shefi? Sepse në ekonominë e tregut, qengji i urtë jo gjithmonë mund të pijë dy nëna. Ndërsa servilët me patenta e diploma, mund të pinë tërë kopenë…

-A e di se nuk ka më asnjë qeveri në botë që financon pishina, kulla, trena turistikë, pista patinazhi, stadiume dhe ishuj mbi lumenj ?…(Në një kohë kur nuk po pakësohen “listat e mëshirës” në dyqanet ushqimore, shpenzohet pa u dridhur dora për pudrën e fytyrës ! ).

Pyetja jonë e fundit : Përse e besojnë Blushin përgjithësisht socialistët e vërtetë e sidomos shumica e tyre pa ofiqe e spaleta (jo ata pak “VIP”-a e rripa që maten vetëm me hijen e Kryetarit që dhuron karriget sejmene), ata që e shikojnë në sy e plot dhimbje, trishtim e zhgënjim partinë e zemrës që nuk po rreh majtas ? (Po zengjinëve hajdutë, ku u rreh vallë ?!)… Dhe jo rastësisht lëshojnë thirrjen : Mos e largoni Benin dhe të tjerë kokëplotë si ai!… Sepse në fund të fundit, ky djalë i mençur, penëhollë e orator mbushamendës, nuk erdhi në PS pas daulleve të shpuara të ish lëvizjes së “pavarur” Mjaftiste apo nga G 99 dhe nga zyrat e Bashkisë së madhe e jo pak telendare. Folera ku thurej me marifet e mysybet rrjeta e merimangës së “ramskarenjve” dhe intrigat neveritëse të “fatligxhafërisë”. Rezultati: 8 vjet në opozitë!…

Ben Blushi nuk ka shkuar e nuk shkon asnjëherë shpinëthyer e kuturu pas berihasë. 120 të vërtetat e tij, miqtë e mi, nuk mund të digjen në turrën e ca druvarëve trutharë. Atij dhe neve na dhemb shumë arratia e mijëra fëmijëve që ikin çdo vit për të studiuar jashtë vendit. Konkurset u bënë qesharakë. Sepse “pyetja e parë që bëhet është sa lekë ke ?”. Dilemë supengritur edhe për t’u bërë kryebashkiak e deputet “vetëm nëse vret, nëse vjedh, nëse je i pashkollë apo nëse je i pasur” me e pa pisllëqe. – A e di që të pasurit vetëm zgjidhen kurse të varfrit vetëm zgjedhin ?…Administrata është një plaçkë që ndahet çdo ditë mes partive dhe prandaj kemi administratën më të degraduar dhe më mediokre të Europës.

Shkurt, 120 kambanat me thumb të këtij deputeti dinjitoz nuk kërkojnë qiqra në hell. Por rilindistët fodullë nuk dëgjojnë nga ky vesh. Këtyre u bëhen bigë e pipëz vetëm para Shefit. Për shembull, i ndoqët ca episode tronditëse në burgje ? Politikani rebel Blushi na e tregoi herët burimin e tyre, duke mbetur varur e pa përgjigje institucionale 3 pyetje të thjeshta që nxirrnin lakuriq Administratën e Burgjeve kur po ndahej si bakshish mes partive në koalicion, bashkë me parcelizimin politik të cdo të burgosuri. Mirëpo sot e gjithë ditën, askush nuk u prononcua nga Qeveria. Dhe ja ku po arrin kapardisja mujshare e shtirake. Kapardisje që nuk ia qep dot gojën dhe as ia thyejnë dot penën. Qindra socialistë të ndershëm e mjaft të tjerë që po provojnë realisht hidhërimin e zhgënjimit, nuk e pranojnë largimin e kësaj vlere përtej PS-së :

– Le të dalin “qiraxhinjtë” e paftuar e me zero kontribute, ai është në shtëpinë e vet me kauza e parime që sfidojnë pastër edhe “shoferin e autobusit” të plasaritur e nevojtar për “remont kapital” ! Në betejat e tij demokratike nuk mund të jetë e nuk është “dhe i vetëm trim në luftë”. 120 kambanat me thumb nuk i honepsin buzëthartuar vetëm një grusht pasanikësh shend e verë dhe një tufë me servilë derdimenë që velen e gogësijnë duke mjelë djallëzisht “lopën” e kësaj force politike në pushtet. Ndërsa të keqen, zakonisht e kërkojnë dhe e gjejnë “tek ata që na thonë të vërtetat”(?!)…Mbllaçiten si nga maja e thanës. Dhe harrojnë atë aforizmën e bukur agolliane: “E larta e tepërt bie, e gjata e tepërt këputet…”

 

SHKARKO APP