126 firma të mëdha në faliment, tatimet i çojnë në gjykatë

Administrata tatimore ka dërguar në gjykata për faliment plot 126 shoqëri, një pjesë e mirë e të cilëve me emra mjaft të njohur në tregun shqiptar e me peshë në jetën ekonomike të vendit.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka bërë publike listën e subjekteve ndaj të cilave kanë nisur procedurat e falimentit ku bien në sy subjekte si “CITY PARK”, “BELLE AIR”, “ALBATROS AIRWAYS”, “TAÇI OIL” apo “TV ALSAT”.

Një pjesë e mirë e këtyre bizneseve janë në pritje që prej dy apo tre vitesh për përfundimin e procedurave të falimentit. Ndërkohë që numri I kompanive që kanë aplikuar për faliment është shumë i madh.

Aktualisht, Kuvendi po miraton ligjin e ri për falimentin, një prej shkaqeve që ka shtyrë në kohë procedurat për shumë kompani.

Ligji i ri parashikon procedura më fleksibël në nisjen e procedurave dhe likuidimin e ndërmarrjeve.

Sipas ligjit aktual, Administrata tatimore kërkon në gjykatë fillimin e procedurës së falimentimit për tatimpaguesit 2 vjet pas kalimit në statusin pasiv nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit dhe në rastet kur detyrimi i tyre tatimor deklarohet i pa mbledhshëm.

Kështu që edhe kompanitë të kenë rezultat me humbje të kapitaleve të veta për të paktën 3 vite rresht. Po ashtu shoqëritë nuk duhet të kenë kryer veprimtari tregtare për një periudhë prej të paktën 2 vitesh. /shqiptarja.com/

SHKARKO APP