14 deputetët e rinj të opozitës në Kuvend
Në zgjedhjet e 11 Majit, Partia Demokratike dhe opozita fituan 50 mandate deputetësh. Por vetëm 14 prej tyre ulen për herë të parë në Kuvend. Pjesa dërrmuese e grupit parlamentar opozitar në legjislaturën e ardhshme janë ose të rikthyer, ose të rikonfirmuar për një mandat të radhës.
Në mesin e këtyre 14 emrave të rinj, jo të gjithë janë rishtazi në politikë, pasi pjesa më e madhe e tyre prej vitesh janë të angazhuar ose te Partia Demokratike ose te aleatët që i propozuan. Gjin Gjoni deputet i zgjedhur i Lezhës dhe Arjan Ndoj i zgjedhur në Durrës nga radhët e demokratëve janë figura që vijnë nga sistemi i drejtësisë.
Nga qarku i Durrësit për herë të parë në parlament ulen edhe Manjola Luku, farmaciste dhe Artan Luku, një sipërmarrës durrsak. Nga fusha e biznesit vjen edhe deputeti i ri i Shkodrës Kliti Hoti. Mjeku Zija Ismaili, deputet i Beratit vjen pas një sërë angazhimesh në PD, deputetja e zgjedhur në Dibër Denisa Vata mbajti deri vonë postin e kryetares së PD në Mat.
Nga qarku i Elbasanit, PD çon për herë të parë në parlament dy emra, ish-kreun e degës lokale Blendi Himçi dhe Klodiana Çapja, drejtoreshë e një kompanie të njohur ndërtimi. Korça çon në Kuvend dy ligjvënës të rinj. Ivi Kaso, jurist, që ka mbajtur për vite të tëra peshën e përfaqësuesit ligjor dhe Fidel Kreka, më i votuari mes listës opozitare, me viteve të tëra angazhim në PD.
Nga qarku Tiranë janë Besart Xhaferri, kryetari i Forumit Rinor në PD dhe Tedi Blushi, ish gazetar, ish këshilltar i Ilir Metës në Presidencë dhe numri dy i Partisë së Lirisë. Mësuesja Brunilda Haxhiu, pjesë e PL-së futet për herë të parë në Kuvend dhe do të përfaqësojë qarkun e Fierit.
KOHA JONË SONDAZH

