16.4 milionë lekë financim 5 projekteve në turizëm

Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, znj. Milva Ekonomi nënshkroi kontratat me pesë përfaqësuesit e projekteve fituese që konkuruan për mbështetje financiare të projekteve në turizëm.

Përpara nënshkrimit ministrja Ekonomi bëri këtë deklaratë për median nga ku theksoi se “kjo lloj mbështetje ndodh për herë të parë në vendin tonë ndaj, bashkëpunimi midis iniciativës private dhe Qeverisë Shqiptare ka nevojë për mbështetje dhe përmirësim. Shuma që këto projekte përfitojnë sot është 16.433.715 lekë”.

 

Deklarata e plotë

“Faleminderit shumë që keni ardhur. Sot është një ditë e veçantë, sepse duam të promovojmë dhënien e disa granteve për disa sipërmarrje në sektorin e turizmit. Dua t’ju bëj me dije se Qeveria Shqiptare është e angazhuar për të promovuar mbështetjen e sipërmarrjes turistike dhe për këtë arsye, në prill të këtij viti, u miratua nga Këshilli i Ministrave vendimi që përcaktonte kriteret dhe afatet e  kërkesave për mbështetje financiare të projekteve në turizëm. Kjo mbështetje e qeverisë u bë nëpërmjet një thirrjeje të hapur, ku u paraqitën  15 projekt ide, të cilat u vlerësuan me kujdes dhe sot kemi fitues 5 iniciativa. Dëshiroj të falënderoj të gjithë pjesëmarrësit në këtë iniciativë. Ata që nuk janë fitues janë të mirëpritur të vijnë në ditët dhe muajt në vazhdim, sa herë që ne të hapim garat, sepse aplikimet e tyre ishin me të vërtetë inovative dhe pozitive, megjithatë është e nevojshme përmirësimi i mëtejshëm i paraqitjes së projekt ideve dhe sidomos i outpteve/ të idesë. Kjo lloj mbështetje ndodh për herë të parë në vendin tonë ndaj, bashkëpunimi midis iniciativës private dhe Qeverisë Shqiptare ka nevojë për mbështetje dhe përmirësim. Shuma që këto projekte përfitojnë sot është 16.433.715 lekë.

Pyetje nga Top-Channel : Znj. Ministre, pse pikërisht këto projekte?

Përgjigje: MZHETTS bëri thirrje të hapura për projekte, thirrje që kishin kërkesa për ide dhe kërkesa juridike. Një aplikim duhet të plotësonte edhe kërkesat juridike. U ngrit Komiteti i Vlerësimit të Projekteve, me urdhrin e Kryeministrit në Korrik 2016 kohë në të cilën u mblodh  për herë  të parë.  Pa të gjitha projektet dhe bëri verifikimin e dokumenteve të paraqitura, si dhe të çdo dokumenti juridik që shoqëronte projektet. Më pas ato u mblodhën për të parë gamën e të gjithë iniciativave që ka ministria për të zhvilluar turizmin. MZHETTS mbështet iniciativat që lidhen kryesisht me përdorimin më të mirë të natyrës dhe krijimin e produkteve turistike, me zhvillimin e sipërmarrjes dhe forcimin e kapaciteteve njerëzorë për ta bërë më mirë shërbimin turistik. Por aplikantët duhej të plotësonin kushtin që të garantonin deri në 50 për qind të shpenzimeve të mbulimit të projektit të tyre. Të gjithë fituesit e kanë garantuar financiarisht gjysmën e vlerës së projektit dhe prandaj sot janë fitues. Por, vlen të theksojmë se edhe iniciativat e tjera që erdhën ishin iniciativa vërtet me ide, por jo të plotësuara nga pikëpamja e të gjithë kërkesave juridike që kishte kjo thirrje. Ne natyrisht që kemi bërë informime të vazhdueshëm për aplikantët, kemi njoftuar dhe i kemi informuar për gjithë hapat e procedurave që po ndiqeshin. Prandaj sot janë këto 5 projekte, por edhe vitin që vjen, ne kemi planifikuar sërish fonde në mbështetje të sipërmarrjes turistike.

Pyetje nga TVSH : Fondi i vënë në dispozicion është i ndarë në mënyrë të barabartë për këto projekte?

Përgjigje: Jo, është sipas aplikimeve që kanë bërë, sipas ideve që kanë sjellë, e cila shoqërohet me një buxhet dhe çdo iniciativë sipas mundësive për të mbështetur vlerën e projektit.

Pyetje nga Scan TV: A do të ketë më fonde të tilla gjatë këtij viti?

Përgjigje: Do ta shikojmë këtë gjë sepse jemi në procesin e rivlerësimit të mundësive për hapjen e një thirrje të dytë.

Të dhëna për projektet e shpallura fituese:

1-)Projekti “Platforma all in one booking online ‘Visit Albania Now’”

Aplikanti: Skikuli Dot Com

Statusi Ligjor: Person Fizik

Fondi i përfituar: 2.330.000 lek

Përmbajtja e projektit: “Visit Albania Now” është një Website që i ofron turistëve të huaj, mundësinë e prenotimeve të shërbimeve të ofruara nga biznese shqiptarë në fushën e turizmit. Nëpërmjet këtij Website vizitorët do të kenë mundësi që të rezervojnë/prenotojnë dhoma hotelesh/hostelesh, camping, makina dhe biçikleta me qira etj.

Në këtë mënyrë operatorët turistik kanë mundësinë që të rrisin të ardhurat e tyre.

2-) Projekti “Korça me biçikletë”

Aplikanti:  Prefekti i Qarkut Korçë

Statusi Ligjor: P.J /Institucion Publik

Fondi i përfituar:1.962.302 lek

Përmbajtja e projektit: “Korça me Biçiklete” ka si qëllim promovimin e turizmit në Bashkinë Korçë nëpërmjet pedalimit.

Ky project synon nxitjen e turizmit nëpërmjet eksplorimit të natyrës të mrekullueshme të rajonit, vlerave të trashëgimisë kulturore si dhe nxitjen e grup moshave të ndryshme të përdorin biçikletën.

Broshura pedaluese “Korça me biçikletë” do të përmbajë 19 itinerare me një total prej 864 kilometra në formën e një guide.

3-) Projekti “Rritja e Konkurueshmërisë së Turizmit Rajonal nëpërmjet rritjes së kapaciteteve njerëzore të bizneseve turistike”

Aplikanti:  BiznesAlbania

Statusi Ligjor: OJF

Fondi i përfituar:7.602.300 lek

Përmbajtja e projektit: Është formimi intensiv i personelit të 10 hoteleve turistike  dhe 10 restoranteve në Pogradec si dhe 15 hoteleve dhe 10 restoranteve në Durrës për shërbime cilësore turistike, që çojnë në përmirësimin e tipareve të produktit turistik ofruar dhe rritjen e konkurueshmërisë së ofertës turistike në këto rajone.

4-) Projekti “Korridori Ali Pashe Tepelena”    

Aplikanti :ART KONTAKT

Statusi Ligjor: OJF

Fondi i përfituar: 2,050,000 lek

Përmbajtja e projektit: Ka si qëllim të krijojë kushtet për krijimin e korridorit/itinerarit kulturor turistik të Ali Pashë Tepelenës, bazuar në rrjetin e kalave, urave dhe  dhjetëra vendbanime objekte etj, të ndërtuara gjatë sundimit të Ali Pashës.

Projekti parashikon studimin e fizibilitetit të këtij turizmi tematik, krijimin e brand-it të Korridorit Ali Pashë Tepelena.

Hartimin e një linje produktesh tipike lokale, shërbimesh turistike, hartimin e një plani komunikimi dhe promovimi Brenda dhe jashtë kufinjve.

5-) Projekti “Projekt ide për promovimin e Shqipërisë si destinacion Turistik ne Itali”

Aplikanti: Elona Pinguli

Statusi Ligjor: Person Fizik

Fondi i përfituar:2,489,112 lek

Përmbajtja e projektit: Është të promovojë Shqipërinë si destinacion turistik në tregun Italian dhe të krijojë një treg të strukturuar turistik mes Italisë dhe Shqipërisë.

Të promovojë Shqipërinë në mënyrë profesionale operatorëve turistik Italian që kanë target turizmin Ballkanik. Të promovojë Shqipërinë si destinacion turistik që ofron shumë opurtuinitete me kosto të ulët dhe sadisfaksion të lartë për turistin Italian.

SHKARKO APP