Mbetjet dhe një pamflet i Sufitit

Nga Feti ZENELI/Të gjitha sqarimet dhe arsyetimet që e trajtojnë ligjin e ri të importit të mbetjeve si “…një hap i duhur për një Shqipëri të pastër” dhe si një masë me karakter ekonomik që “…shpëton industrinë e riciklimit nga falimentimi”, më kujtojnë një pamflet të famshëm të Xhonatan Suiftit, ku ai në rolin e një budallai të djallëzuar propozon, përdorimin për mish të fëmijëve të varfër, duke i therur, kriposur dhe konservuar ata, si një mënyrë për të futur Anglinë në rrugën e begatisë. Suifiti rendiste llogari të sakta që vërtetonin se ç’përfitim të madh do të kishin, po qe se qeveria nuk do të smbrapsej përpara asnjë mjeti. Natyrisht që ideja e këtij krijimi letrar nuk mund  të kuptohet nga kushdo pasi qëndron e fshehur prapa sarkazmës së Suiftit, ndërkohë që  objekti i zbatimit të ligjit të mbetjeve urbane është i drejtpërdrejtë dhe nuk ka nevojë për figura letrare apo shfaqje teatrale. Por edhe perifrazimi i shprehjes popullore: “Mirë kali që na ngordhi, por s’të lënë rehat as mizat”, nuk do të ishte pa vend në një rast të tillë, pare si një valvul e shfryrjes së inatit nga përfaqësuesit e shoqërisë civile, të cilëve u duhet ta fillojnë sërish nga e para misionin e tyre për të bllokuar materializimin e vendimmarrjes për mbetjet, ndërkohë që kryeministri i vendit dhe gjithë përkrahësit e tij e kanë bërë të qartë, se nuk ka kthim prapa!?…

Fundjava e kaluar regjistroi protestën e parë të shoqërisë civile kundër rikthimit të ligjit për importin e mbetjeve urbane nga e njëjta qeveri, që e anuloi atë qysh ditën e parë të ushtrimit të mandatit të saj, pas zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2013. Përkrah aktivistëve të shoqërisë civile është rreshtuar dhe opozita aktuale, ndonëse kur qe në pushtet kishte tjetër mendim, i cili u materializua në miratimin e ligjit Nr. 10463, datë 22.09.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, që i hapte rrugë importit të “çdo substance ose objekti, të cilin mbajtësi e hedh, ka ndër mend ta hedhë ose i kërkohet që ta hedhë”, sikundër përkufizohet fjala mbetje urbane. E njëjta gjë ndodhte 4-5 vite më parë edhe me pushtetarët e majtë kur ishin në opozitë. Arsyetimi që është përdorur në të dy rastet e iniciativës qeverisëse për miratimin e një ligji të tillë, nga Berisha në 2011-ën dhe nga Rama në 2016-ën, është për t’i ardhur në ndihmë industrisë ricikluese, gjë të cilën të dy palët nuk e mendojnë kur janë në opozitë, madje as kur i bëjnë opozitë njeri-tjetrit. Të dy partitë e mëdha bëhen me qytetarët, vetëm atëherë kur duan të vijnë në pushtet. Vetëm në këtë moment i lëpihen deri-diku shoqërisë civile, e cila përfaqëson interesat qytetare, ndryshe nga sa ndodh kur janë në pushtet, që nuk lënë gjë pa i thënë e pa i bërë asaj. LSI, e cila është gjithmonë pjesë e pushtetit këto vitet e fundit, duke qenë herë patericë e demokratëve, herë e socialistëve, përpiqet ta mbajë mirë me të gjithë, ndaj nëpërmjet propozimit, që “organizatat e shoqërisë civile të kenë të drejtën e monitorimit në pikat doganore të caktuara për kontrollin dhe zhdoganimin e mbetjeve”, kërkon t’i “punësojë” ato në shtet, siç ndodh me anëtarët e partisë së saj. Pjesa tjetër e pushtetit, përfaqësuar nga PDIU, pas angazhimit në zgjedhjet lokale në Dibër, tashmë është duke zbërthyer deklaratën e Komisionerit të Zgjerimit të Bashkimit Europian, Johanes Hahn, se “…Çështja Çame ka mbetur e diskutueshme në mes të Shqipërisë dhe Greqisë…”, ndaj nuk ka kohë të merret me “plehrat”. Ndërsa ambasadorët kryesor në Shqipëri kanë marrë “pushimet” e Reformës në Drejtësi, dhe e shumta që mund të bëjnë është të këshillojnë qytetarët e tyre të mos hutohen nga fjalimet e Lavdosh Ferunit para protestuesve të shoqërisë civile dhe ngatërrojnë pastaj rrugën e kthimit për në banesë. Ndërkohë anë e mbanë vendit vazhdon me ritme të larta fushata e korrje-shitjeve të kanabis- sativa, gjë që duket se ndikon në rrudhjen e dukshme të numrit të protestuesve të shoqërisë civile para kryeministrisë.

Kjo është pak a shumë situata politiko-shoqërore në prag të dekretimit dhe vënies të jetë të ligjit për importin e mbetjeve urbane, i cili vjen pikërisht në një moment kur një pjesë të mirë të njerëzve i ka vënë në gjumë hashashi dhe një pjesë tjetër pafuqia për të reaguar si rezultat i varfërisë ekonomike gjithnjë në rritje. Në këto kushte, kur ekzistojnë shumë vështirësi për t’u thënë njerëzve të vërtetën për ligjin e importit të mbetjeve të riciklueshme, ose ligjin e importit të plehrave siç jemi mësuar ta quajmë rëndom, ekzistojnë të gjitha mundësitë që shteti dhe qeveria t’i mashtroj dhe manipuloj ata, siç ka ndodhur jo pak herë në rastin e zgjedhjeve elektorale, ku ua ka marrë votën me një thes miell apo me 20 mijë lekë të vjetra. Vështirë se mund të gjendet rast tjetër më i mirë se sa ky i mbetjeve urbane për të ilustruar papërgjegjshmërinë e politikës në raport me publikun shqiptarë dhe tentativën e saj për ta manipuluar atë kudo qoftë, në zonat urbane apo rurale, madje ca më tepër në këto të fundit.

Historia e riciklimit të mbetjeve urbane në Shqipëri është po aq e vjetër sa dhe demokracia shqiptare, pasi përmes gjithfarë formash të saj ka nisur të aplikohet në vendin tonë qysh në fillim të viteve ’90. Djegiet, groposjet, depozitimet apo forma të tjera përpunimi e riciklimi të mbetjeve urbane të importuara nga Italia filluan të kryeheshin në Shqipëri qysh në vitin ‘93. Dhjetë vjet më vonë ishte biznesmeni italian Francesko Beketi, i cili nëpërmjet një projekti gjigant synonte shkatërrimin e mbetjeve shqiptare, por që ky projekt të ishte fizibël, duhej të importonte edhe mbetje nga Italia, që t’ vinte në punë me kapacitet të plotë impiantet përkatëse. Qeveria e Fatos Nanos i hapi dritën jeshile propozimit të biznesmenit italian, por ky projekt prej miliona eurosh nuk u realizua sepse hasi në një kundërshtim të fortë të shoqërisë civile, e mbështetur fuqishëm edhe nga mediat e biznesmenit të njohur shqiptar, Koço Kokëdhima. Vërtetë projekti Beketi u pengua, por importi i mbetjeve vijoi normalisht dhe askush nuk dinte të thoshte me saktësi, se çfarë futej dhe përpunohej në Shqipëri, në kuadrin e korrupsionit dhe kaosit të atyre viteve. Vetëm në vitin 2008 pati një rast, kur mediat franceze njoftuan se në Shqipëri kishte hyrë një sasi mbetjesh radioaktive tejet të rrezikshme, por euforia e pranimit në NATO, liberalizimit të vizave e të tjera zhvillime pozitive të kësaj natyre, bën që të mos dëgjohet as zëri i shoqërisë civile, jo më i politikës opozitare që ishte e zënë me transportin e militantëve nga i gjithë vendi për të mbushur radhët e protestuesve të majtë në Tiranë. Shoqëria civile dhe opozita e asaj kohe u kujtuan për plehrat vetëm pas 2-3 vitesh kur Berisha vendosi ta kthente mbi baza ligjore importin e mbetjeve urbane, duke e kufizuar atë në vetëm 45 zëra për industrinë ricikluese. Nisur nga argumenti i opozitës së majtë dhe shoqërisë civile, se importi i mbetjeve në kushtet e doganave shqiptare mund të kthehej në fatalitet për shëndetin e popullatës, arritën që në vitin e zgjedhjeve të përgjithshme të mbledhin plotë 65 mijë firma për referendum, i cili u vendos të zhvillohej në dhjetor 2013. Por shfuqizimi i këtij ligji nga qeveria “Rama” në tetor 2013, e bëri të pavlefshëm referendumin për rrjedhojë edhe debatin rreth kësaj çështje. Tashmë, me vendimmarrjen më të fundit të Parlamentin, ligji i importit të mbetjeve urbane dhe “antiligjit” të plehrave është rikthyer sërish në rend të ditës, duke befasuar gjithkënd. Mesa duket gjatë kohës që shoqëria civile ia kishte futur gjumit, përfaqësuesit e industrisë ricikluese, por jo vetëm, kanë lobuar fuqishëm në këtë drejtim. Vetë kryeministri e pohoi me gojën e tij së ka plotë dy vjet që po punon për këtë ligj. “Nuk bëhen ligjet tak-fap, jemi përgatitur dhe kemi ndërtuar gjithë planin si do bëjmë pjesën tjetër…”, tha midis tw tjerash ai i ftuar në “Opinion”.

Natyrisht që në ekonominë e tregut biznesi duhet ta ketë patjetër edhe mbështetjen e shtetit, por asnjëherë kjo mbështetje nuk duhet të jetë në dëme të interesave të të gjithë shoqërisë. Në këtë rast duhen bërë mirë llogaritë që të përfitojnë të gjithë dhe duhen balancuar drejt interesat, në mënyrë që jo vetëm të zgjerohen hapësirat ku punojmë, por edhe të mbrohet mjedisi ku jetojmë. Edhe sipas parimeve të sakta të BE-së, duhet të menaxhojmë dhe riciklojmë njëherë mbetjet tona e pastaj të shikojmë për interesat e një apo disa bizneseve, që realizohen nëpërmjet importit të mbetjeve. Por problemi më i madh qëndron tek “cilësia” e mbetjeve që do të importohen, sepse sot më shumë se kurrë, ky fenomen është në qendër të vëmendjes me rastet e përsëritura. Ka ndodhur që në plehrat e Napolit, për shembull, që u dërguan në Gjermani të kontrolluara të paktën dy herë nga qeveria italiane, strukturat kufitare gjermane gjetën mbeturina toksike dhe radioaktive në to. Sipas statistikave të BE-së , “ekomafia” në Itali trajton  mbetje të rrezikshme me një faturë prej 6 miliardë euro në vit dhe nuk do të jetë e vështirë që me shifra shumë më “modeste”, mbetje të tilla të hyjnë ilegalisht edhe tek ne. Le të kujtojmë po ashtu se sipas të dhënave të Agjencisë Europiane të Mjedisit, gati 50%  e mbetjeve europiane eksportohen ilegalisht, por edhe qeveritë “mbyllin” njërin sy. Një vendimmarrje e tillë e qeverisë shqiptare mund të jetë diktuar edhe në këmbim të blerjes së një vote për statusin e vendit kandidat, nisur nga eksperienca e krijuar këtu brenda për brenda për blerje e vjedhje votash. Por pasojat do të jenë katastrofike, për kushtet në të cilat ndodhet demokracia e brishtë shqiptare për të kontrolluar respektimin e standardeve që i hapin rrugë importit të plehrave. Vendi ynë nuk garanton sot asnjë standard europian lidhur me trajtimin e mbetjeve urbane. Kjo është arsyeja pse mafia u drejtohet vendeve si Shqipëria për të dërguar mbetje të kësaj natyre. Natyrisht ligji i parandalon kontratat “mafioze” që mund të lidhen, por nuk parandalon dot veprimtarinë mafioze për importin e plehrave të të tjerëve, pasi kësaj të keqeje nuk kanë arritur t’ia dalin mbanë as vetë vendet anëtare të BE-së me ligje e konventa të forta si ajo e Bazelit për transportin ndërkufitar të mbetjeve. Në vendet e Europës, për mbetjet urbane ka vite që përdoret shprehja: “Nuk i dua plehrat e të tjerëve në oborrin tim!”.  Është rasti që shoqëria civile t’ua kujtoj çdo ditë shtetarëve tanë këtë shprehje dhe jo vetëm atëherë kur ata e kanë bërë fakt të kryer shndërrimin e Shqipërisë në kazan plehrash. Çështja e importimit të plehrave apo mbetjeve urbane nuk është vetëm çështje mjedisore dhe as çështje e majtë, siç përpiqen të filozofojnë disa të djathtë në Shqipëri. Ajo është para së gjithash dhe mbi të gjitha çështje e sigurisë së jetës. Sipas Forumit Botëror Ekonomik që tregon shkallën e vdekshmërisë për shkak të ndotjes nga mbetjet në 10 vende të botës, ku Shqipëria renditet e pesta kemi 171.4 raste vdekjesh për një popullsi prej 100 mijë banorësh. Ndaj, politizimi i çështjes së mbetjeve është po kaq i dëmshëm sa dhe indiferentizmi i treguar ndaj saj.

SHKARKO APP