200-vjetori i Vaterlosë, përplasja që vendosi fatet e Europës

Teksa tymi që dilte nga grykat e topave dhe mushqetave ngrihej lart në Vaterlo, fati i Europës ishte vendosur. Artur Ueleslej, Duka i Uellingtonit, kishte mposhtur armikun e tij, Napoleon Bonapartin – i cili i vetëm e kishte zhytur Europën në luftë. Ulur mbi kalin e tij, tek shihte diellin që po perëndonte në një panoramë të mbushur me trupa të vdekurish, Uellingtoni nuk ndjeu as triumf dhe as gëzim. Një ndjesi zhgënjimi kishte mbështjellë udhëheqësin, që kish parë të shkatërrohej makineria e luftës e Napoleonit. Duke reflektuar zymtas, gjenerali deklaroi: “Ta hajë dreqi ta hajë, ai është thjeshtë një shtypës!” Reputacioni i Napoleonit i kish paraprirë atij vetë. Gjithçka që Uellingtoni kishte dëgjuar për Napoleonin – gjeninë e tij në taktikë, aftësitë në manovrim, aftësinë për të lexuar fushëbetejën – kish rezultuar e pavërtetë. Ai ishte thjeshtë një shtypës, një që hidhte pa pushimushtarë në betejë, për t’u bërë shoshë prej armëve të britanikëve. Rivaliteti mes tyre kishte vrarë mijëra vetë, personalitetet e tyre kishin magjepsur dhe neveritur njëri-tjetrin. Po cili prej këtyre komandantëve të mëdhenj ushtarakë do ia kalonte tjetrit sa i përket trashëgimisë?

Cuditërisht, të dy nuk ishin ndeshur asnjëherë në betejë përpara Vaterlosë, por jetët e tyre kishin kaluar nëpër koincidenca dhe rrethana në periudhën para 1815. Të dy kishin lindur në të njëjtin vit dhe do të ndiheshin si të flakur tej prej bashkatdhetarëve të tyre, teksa Uellingtoni ishte rritur në Irlandë, Napoleoni në Korsikë – shumë larg prej nyjeve kozmopolitane të Britanisë dhe Francës.

Megjithatë, Uellingtoni kish qenë më me fat; familja e tij ishte e pasur dhe kishte lidhje. Ai mund të përballonte të shkonte në shkollë private si dhe të “blinte” pranimin në ushtri. Ai u ngjit në radhët e ushtrisë duke blerë autoritetin, një qasje të cilën ia mbështeste edhe familja, e cila e konsideronte atë si “ëndërrimtar, të plogët, të turpshëm” – shumë larg nga luftëtari që mban mend historia.

Napoleoni, nga ana tjetër, nuk mund të përballonte ta arrinte kaq shpejt një pozicion kaq prestigjoz. Familjes së tij i dhanë aq para sa i nevojiteshin për ta dërguar në shkollë në Autun, Francë, dhe më pas në një akademi ushtarake ku komanda e tij e parë ishte një detashment artilerie; një kontrast i thellë me detyrat e lavdishme që i ofroheshin Uellingtonit në Indi.

Kjo ishte historia klasike e fisnikut që siguronte shpërblime përmes lidhjeve, ndërkohë që borgjezi i varfëruar vuante, duke punuar fort, për t’u njohur e për t’u pranuar. Këto përpjekje do të dominonin ideologjitë e të dy këtyre burrave në vitet që do të vinin. Vitet e formimit e kishin bërë Uellingtonin të varur nga establishmenti dhe nga rrjeti i patronazhit të fisnikëve, ndërkohë që Napoleoni ishte një fëmijë me ideale të ndricuar, i cili fitonte vlerë për arsye se punonte fort dhe kërkonte njohje të gjithckaje që kish arritur. Të dy këta personazhe kishin ambicie, por ambiciet e tyre kanalizoheshin përmes sfondeve të ndryshëm klasorë: njëri vinte theksin tek establishmenti, tjetri tek një këndvështrim i ri për botën.

Revolucioni, kryengritja e radikalëve dhe gijotina do i detyronte që të merrnin anë në luftërat që po përhapeshin në gjithë Europën. Napoleoni pa me sytë e tij turmën në Francë që vërshonte në pallatin mbretëror në Tuileries, duke vrarë rojat zvicerane, teksa këta dorëzoheshin. Ndërsa turma “copëtonte” pallatin, ai magjepsej me fuqinë e popullit francez, kur ishte në kulmin e motivimit; më vonë, do të sigurohej që ushtarët në ushtritë e tij të mos e humbisnin asnjëherë këtë lloj entuziasmi idealist. Për Napoleonin, Revolucioni francez ishte shpresa për “mendimtarët e duhur” dhe “shekuj të tërë barbarizmi feudal dhe skllavërie politike” do të merrnin fund në Francë, teksa drita e lirisë përshkonte të gjithë kombin.

Uellingtoni kishte një këndvështrim të kundërt, që e shprehte në ditarin e tij: “Revolucioni, sic e quajnë… ka rritur të keqen duke sjellë e duke ngritur në sytë e publikut njerëz më të papërvojë… krejtësisht të papërshtatshëm me natyrën e punës që bëjnë”. Për të , Revolucioni Francez dhe terrori që e pasoi përfaqësonin atë që do i ndodhte Britanisë, nëse shoqëria nuk mbante nën kontroll njeriun e rrugës. Këto pikëpamje do të forcoheshin teksa Franca hodhi poshtë një herë e përgjithmonë pushtetin e monarkisë. Pra, teksa Napoleoni mbështeste regjimin e ri, pasi e shihte si hapin e radhës në qytetërim, Uellingtoni spekulonte se ai do të shkatërronte shoqërinë e qytetëruar.

Idealet radikalë që iu ngulitën Napoleonit në moshë të re do të dilnin në sipërfaqe gjatë viteve të fushatave ushtarake. Atij i erdhi në majë të hundës me natyrën e korruptuar të direktoratit francez që mori në dorë drejtimin pas monarkisë, duke u vetëshpallur konsull dhe më pas perandor në 1804. Ambicia dhe personaliteti i tij i zjarrtë sheshuan shtete të tërë dhe sollën një rend të ri – rendin e tij. Njerëzit që i shërbenin e adhuronin qëndrimin e tij dhe e ndiqnin duke brohoritur “këmbëzbathur, edhe pa furnizime. I tillë ishte entuziasmi, apo më mirë fanatizmi, që Napoleoni frymëzonte tek trupat e tij”, sic thuhet në kujtimet nga fushata e tij në Gjermani.

Uellingtoni e luftoi përmes ushtrive të tij në Spanjë dhe, duke reflektuar dëshirën e tij për rendin e vendosur, stërviti fort ushtrinë e tij të britanikëve, portugezëve dhe spanjollëve të demoralizuar, duke i shndërruar në një forcë që mund të fitonte beteja. Ishin dy stile komande shumë të ndryshëm dhe publikisht, të dy liderët do të tallnin dhe shanin njëri-tjetrin.

Napoleoni do të atakonte karrierën e hershme të Uellingtonit në Indi, duke thënë se ai nuk ishte asgjë më shumë se sa një gjeneral ushtarësh indianë, i mirë për t’u dukur madhështor në vende ekzotikë, por asgjë më shumë. Ndërkohë që kundërshtari i tij do ta kritikonte rëndë Napoleonin si një diktator, duke shtuar se cdo gjë që ai bënte përmbante një element të së ligës. Ai tallej me pushtetin e Napoleonit duke thënë: “Pushteti i tij ngrihet mbi korrupsionin, ai nuk ka admirues në Francë, përvec oficerëve kryesorë të ushtrisë së tij”.

Megjithatë, privatisht dhe me miq të ngushtë, këto sjellje ndryshonin. Pas betejës së Tuluzës në 1814, Napoleoni komplimentoi talentin ushtarak të Uellingtonit dhe guximin e trupave të tij, para një grupi të ngushtë oficerësh. Për Uellingtonin, emocionet ishin edhe më të thellë, teksa siguroi një bust të madh të Napoleonit, me qëllim që ta shihte në sy gjatë viteve që qëndroi në Angli. Ai komentonte: “Më mirë të dëgjoja që 40 mijë burra i janë shtuar ushtrisë franceze, se sa që ai ka marrë komandën”. Kjo përzierje emocionesh tradhëton një tërheqje që të dy kishin për njëri-tjetrin (dallimet radikalë në besimet politikë dhe ideologjikë që tërhiqnin të dy të komentonin veprimet e njëri-tjetrit, madje deri në atë pikë sa Uellingtoni të ndiente nevojën për ta patur kundërshtarin pranë gjatë gjithë kohës, duke i bërë vend edhe në dhomën e tij), megjithëse një pëlqim vetëm në dukje.

Dashuria dhe intriga romantike nuk ka qenë asnjëherë larg prej oficerëve të pashëm ushtarakë, që komandonin ushtritë e perandorive. Jetët personale të të dy gjeneralëve përfaqësonin një përzierje triumfesh dhe disfatash po aq dramatike sa edhe aktet e tyre heroikë në fushëbetejë; jeta dashurore kishte gjithashtu një ndikim të madh tek të dy.

Uellingtoni u martua për shkak të detyrës me një grua të cilës më parë i kish rrëfyer dashurinë, Kethrin Pekënham, në 1806. Për Uellingtonin ishin tejet acaruese natyra depresive e bashkëshortes si dhe paaftësia e saj për të mbajtur nën kontroll shpenzimet. Shumë shpejt ai nisi të largohet prej saj dhe, sic thonë zërat e shumtë, zuri një të dashur – Herriet Erbuthnot. Më vonë, kjo e fundit do të komentonte një portret të Uelingtonit në rroba civile, duke e përshkruar si dicka që të tjerët rrallë e kishin parë, si një “butësi dhe ëmbëlsi të shprehjes së tij”. Megjithatë, edhe nëse kish rënë në dashuri, rrallëherë Uellingtoni e shfaqte pasionin e tij, sidomos në publik.

Krejt në ndryshim me atë pamje të jashtme, Napoleoni – tashmë në Francën post revolucionare – u martua me të dashurën e tij, Zhozefinën. Napoleoni e dashuronte marrëzisht bashkëshorten e tij të re; thuhej se pak gra kishin më shumë sharm dhe letrat e tij të dashurisë ishin të famshme për kohën. Në një letërkëmbim pasionant, ai betohej se do i jepte një mijë puthje, por i kërkonte Zhozefinës që “të mos më japësh asnjë, sepse ato më ndezin zjarr gjakun tim”.

Një komentator spekulonte se një prej faktorëve kryesorë që nxiste natyrën e tij agresive në betejë ishte që t’i bënte përshtypje asaj përmes aftësive ushtarake. Por, kjo dashuri nuk do të zgjaste. Në një letëkëmbim të dhimbshëm me vëllanë që iu dërgua kur ndodhej në fushatë në Egjipt, ai zbuloi se Zhozefina nuk ishte besnike. Kur mësoi lajmin, nisi të dridhej i tëri dhe përplaste grushtet pas kokës, gjë që e bëri gjithnjë e më të brengosur për jetën dhe njerëzit që e rrethonin. U divorcua në vitin 1810, pas një serie të dashurash që i mendonte si hakmarrje për tradhëtinë e Zhozefinës. Napoleoni gjeti pak ngushëllim tek bashkëshortja e dytë, Mari Luizë, Dukeshë e Austrisë, që ai e përshkruante si një “mitër që ecën” për qëllime politike.

Të dy këta burra ishin të pafat në dashuri, por ka një ndryshim të madh: Jeta personale e Napoleonit pothuajse shkatërroi ambicien e tij dhe e tronditi shumë thellë, ndërkohë që Uellingtoni i kontrollonte emocionet, gjë që i shkonte për shtat mënyrës angleze si ishte rritur.

Humbjet ushtarake, problemet politikë dhe pushtimi i Francës nga Britania dhe aleatët e saj detyruan Napoleonin që të hiqte dorë nga froni dhe të dërgohej në mërgim në Elbë, një ishull i vogël i Mesdheut. Pak ditë para se të nisej për në Elbë, ai i shkruajti një letër gruas që nuk kish sosur asnjëherë së dashuruari: “Mos e harro asnjëherë atë që nuk të harroi asnjëherë, dhe që nuk do të të harrojë asnjëherë”.

Ky ishte një njeri që reflektonte për humbjet dhe zemërthyerjen e tij. Si poshtërim përfundimtar, atij iu lejua të mbajë titullin perandor – perandor i një ishulli të vogël të Mesdheut me një popullsi prej jo më shumë se 12 mijë vetësh. Zhozefina nuk e vizitoi asnjëherë në Elbë; ajo do të vdiste në 1814, ndërkohë që ai ndodhej në mërgim, i zhytur në mjerimin e tij.

Përpiqej të zinte kohën duke nisur një seri reformash në ishull në dobi të popullsisë së tij, por shpesh herë lëshohej në biseda zemërake dhe ulërima depresive, duke thënë se gjeneralët e tij e kishin tradhëtuar, se kishte besuar njerëzit e gabuar, se kishte humbur gjithcka.

Në kontrast me të, Uellingtoni ishte triumfues. Ai udhëtoi në Paris pasi ishte bërë Dukë dhe, në një shfaqje të fuqisë së tij, u emërua ambasador i Britanisë në Francë. U dha i gjithi pas kënaqësive të Parisit – tashmë një qytet i lirë, takoi të dashurën e tij në rrethinat romantike të qytetit dhe në vendin e tij shihej si një hero i vërtetë britanik. Vazhdoi të shkruajë kujtimet, por i erdhi në majë të hundës me gazetarët dhe shkrimtarët, sidomos kur qarkullonin zëra në lidhje me jetën e tij private.

Ishte besimi që Uellingtoni fitoi pas vitit 1814 dhe vetëreflektimi depresiv i Napoleonit në Elbë, që do të diktonin betejën epike, nga e cila njëri prej të dyve do të dilte fitues dhe tjetri humbës.

Pasi nuhati që pushteti mbretëror i rivendosur në Francë po dobësohej, Napoleoni vendosi të hedhë zarat një herë të fundit në një përpjekje për të marrë pushtetin final. Gjatë një arratie të guximshme ai iu përvodh rojeve dhe, me ndihmën e disa ndjekësve besnikë, lundroi drejt Francës kontinentale për një betejë të fundit me Uellingtonin. Në Vaterlo, personalitetet, lufta e fjalëve, studimi dhe kritikimi i pafundëm i aftësive të njëri-tjetrit erdhën e u mblodhën në zjarrin e betejës.

Napoleoni besonte totalisht në trupat e tij; ushtarët e tij kishin pushtuar gjithcka në vitet e parë të atij shekulli dhe, në sytë e tij, kjo betejë nuk kish përse të ishte ndryshe. Megjithatë, në Vaterlo gjykimi i tij ishte i mangët; nuk kish një goditje mjeshtërore sic kish ndodhur në Austerlitz në vitin 1805. Viti i kaluar në mërgim, humbja e Zhozefinës së dashur dhe trauma e humbjes së perandorisë së tij kishin thyer më në fund aftësinë e Napoleonit për të lexuar fushëbetejën, duke sjellë shembjen e ndërtesës së gjenisë së tij ushtarake.

Edhe shëndeti i tij ishte i dobësuar pas stresit të dhjetë viteve të fundit; vuante nga dhimbjet therëse të stomakut, që nuk e lejonin të jepte urdhëra të qartë për trupat e tij. Në vend të sulmonte menjëherë, ai nguroi, fillimisht nga frika se mos humbiste ushtrinë, që ishte e vetmja gjë që i jepte legjitimitet. Më tej ndryshoi mendje, duke urdhëruar sulme direktë ndaj topave dhe mushqetave britanike. Në vend të kontrollonte ambicien, ai u verbua prej saj – dëshira për të fituar dhe rimarrë pushtetin e dikurshëm la në hije aftësitë e tij për të drejtuar betejën.

Uellingtoni gabohej, Napoleoni nuk ishte thjeshtë një “shtypës”: ishin disfatat e tij personale që po shfaqnin pasojat. Ai ishte një njeri i dëshpëruar – i dëshpëruar për t’u mbyllur gojën kritikëve dhe për t’u bërë sërish perandor – pavarësisht kostos. Uellingtoni e shfrytëzoi këtë gjendje emocionale të kundërshtarit të tij. Ai kishte vetëbesimin, pasi i kishte mposhtur një herë më parë trupat e Napoleonit, kishte karizmën pasi kishte fituar lavdi dhe famë në Angli, kur kishte cliruar Portugalinë dhe Spanjën, si dhe kishte vullnetin e hekurt për të fituar. Në fund, temperamenti i qëndrueshëm dhe i fortë i Dukës së Hekurt kish triumfuar mbi personalitetin e dalldisur dhe gjithë luhatje të Napoleonit.

Si një personazh tragjik në një epikë greke, Napoleoni kish kërkuar perandorinë e tij, ishte mposhtur dhe tani vuante përuljen në mërgim të detyruar – këtë herë, një herë e përgjithmonë. Ambicia e kishte kushtëzuar, duke e bërë të humbasë përballë një njeriu që nuk e kish tepruar asnjëherë në kërkimin e pushtetit.

Hidhërimi i ish perandorit u përshkrua në kujtimet e tij, që i shkruajti gjatë kohës që ndodhej në ishullin e Shën Helenës në Atlantik, duke pohuar se plani i Uellingtonit në Vaterlo “në sytë e historianëve nuk do i japë ndonjë meritë Lordit Uellington si gjeneral… Plani i tij nuk tregonte talent”. Megjithatë, ai vlerësonte trimërinë dhe qëndresën e trupave të Uellingtonit.

Në sipërfaqe, do të ishte e lehtë për Uellingtonin të pretendonte trashëgiminë më të fortë, duke parë fitoret që arriti dhe ta injoronte Napoleonin si asgjë më shumë se sa një humbës. Megjithatë, triumfet e Uellingtonit i dhanë atij vetëm atë cfarë shoqëria britanike i lejonte të merrte. Në fund, karriera e tij politike pas Vaterlosë u bë copë, sepse establishmenti – për të cilin kish derdhur gjak – nuk e toleronte më. Napoleoni e kish krijuar nga zeroja establishmentin e tij, në formën e perandorisë së tij europiane që, në kulmin e vet, shtrihej nga Spanja deri në dyert e Moskës. Dëshira e tij e ethshme për jetë dhe liri, plus pasioni për një botë më të mirë ku ai të udhëhiqte ishin “raison d’être” për të.

Një herë ai tha se pushtimi i Rusisë do ta bënte “zot të botës”. Duke mos u mjaftuar të merrte atë që të tjerët ishin të gatshëm t’i jepnin, Napoleoni e donte botën për vete. Pushteti i tij nuk do të zgjaste, por megjithëkëtë ambicia e tij paraqet një imazh mbresëlënës të aspiratës, duke qenë se, përmes forcës së vullnetit, ai luftoi për të patur gjithcka.

POLITIKA

Në vitet e hershëm, Napoleoni tha se Kodi i tij Napoleonik – një seri e kodifikuar ligjesh që mbronin liritë civile dhe të drejtat e pronës – ishin arritja e tij më e madhe, përderisa betejat e tij do të harroheshin pas Vaterlosë. Në të vërtetë, ai e ndryshoi një herë e përgjithmonë Francën dhe vazhdon të ekzistojë në sistemin ligjor francez si dhe në disa sisteme ligjorë nëpër Europë – teksa idealet e tij reformistë dhe vizioni për një shoqëri të re kanë vazhduar shumë më gjatë se sa ai. Pasioni për reformim që shtynte Napoleonin nuk ishte i pranishëm tek Uellingtoni. Si pjesë besnike e establishmentit britanik, ai u kap pas kulturës britanike, me atë që vetë e quante “zell të paepur dhe gëzim të pamasë”. Ai regoi kundër një sërë reformash liberale përfshirë Ligjin e Lehtësimit Katolik, që ishte projektuar për t’u dhënë katolikëve më shumë përfaqësim politik në Angli.

Ai iu kundërvu gjithashtu Ligjit të Reformës parlamentare gjatë mandatit të parë si kryeministër (1828-1830) – një ligj që do i jepte peshë më të madhe politike Dhomës së Ulët. Këndvështrimi i tij i pakompromis se konservatizmi ishte e vetmja mënyrë për të mos lejuar që gijotina të shfaqej në Pikadilli dhe rrezikun nga njerëzit e zakonshëm, që i shihte si “të kalbur deri në zemër” do të sillnin fundin e karrierës së tij politike, kur një epokë e re liberalizmi pushtoi politikën dhe shoqërinë britanike në përgjithësi.

LIDERSHIPI

E tepërt të thuhet që të dy, si Napoleoni edhe Uellingtoni kishin aftësi të konsiderueshme komandimi dhe aftësitë ushtarake të këtyre dy burrave ndryshuan kursin e historisë, por qasja e tyre ndryshonte shumë.

Uellingtoni njihej se bazohej në disiplinën strikte – dicka që e shihte si celësin e fitores. Një herë, ai komentoi në vitin 1813 se trupat e tij ishin “llumi i Tokës”, të pamotivuar dhe dicka më shumë se kriminelë, që ai do t’i stërviste e do i shndërronte në heronj. Për ushtarin mesatar britanik ai ishte një figurë e tmerrshme dhe jeta brenda ushtrisë së tij ishte një rutinë e ashpër stërvitjesh pa fund.

Ndërkohë që Uellingtoni mund të ketë fituar prestigj si një gjeneral i madh në pallatet e qeverisë, njerëzit e tij nuk do ta falënderonin për eksperiencat e tyre. Në kontrast me disiplinën e tij të hekurt, Napoleoni preferonte të shfaqej madhështor përpara trupave të tij, për t’i frymëzuar drejt bëmave të mëdha të kurajës. Ushtari francez – i trazuar tashmë prej ngjarjeve të Revolucionit Francez – brohoriste dhe këndonte “Vive l’Empereur!”, teksa natyra pasionante dhe gjaknxehtë e Napoleonit, qëndronte të kontrast të thellë me natyrën e ftohtë dhe konservatore të Uellingtonit. Napoleoni do të kapitalizonte nga ky entuziasëm duke kryer shumë pushtime me trupat e tij besnike.

TRASHEGIMIA

Ambicia e ftohtë e Uellingtonit, natyra  joemocionale dhe vendosmëria e tij e palëkundur janë ajo cfarë ne kujtojmë, prandaj dhe ka marrë nofkën: Duka i Hekurt. Ai ishte heroi i madh ushtarak që u qëndroi stoikisht ambicieve tiranike të Napoleonit “të keq” dhe, përmes zgjuarsisë britanike, frenoi Armatën e Madhe, duke e mundur në lojën e vet. Ajo që është harruar është sakrifica e trupave britanikë, përmbysja e madhe e fateve dhe konservatizmi i paepur që zhbëri karrierën e tij politike. Napoleoni shpesh herë shihet në anën e kundërt. Kujtohen humbjet e tij, vihet theksi në historinë tragjike të mërgimit në Shën Helenë, dhe pushtimet që i ka bërë shumë shtete shihen si luftëdashje. Mund të argumentohet se, që kur ai humbi gjithcka në një bast spektakolar në Vaterlo, është Uellingtoni që fiton në fund betejën e trashëgimisë.

Por, një vështrim më nga afër i skenës politike të pas Vaterlosë tregon një tjetër histori. Fitoret e Napoleonit në shtete si Spanja, Prusia dhe shtetet e Italisë sollën idealet iluminuese të një sistemi të kodifikuar ligjesh, që garantonte të drejtat e qytetarëve si dhe parimet demokratike – ndonëse nën dominimin francez – në shtete që më parë kishin ekzistuar nën zgjedhën e monarkive diktatoriale. Këto ideale do të vazhdonin të jetonin, po kështu edhe Napoleoni.

bota.al

SHKARKO APP