21 janari njollë e zezë për politikanët
Nga Zef Shtjefni –
Kush i mban mend mirë ngjarjet e para 21 janarit, e di se ajo ditë nuk erdhi kot, nuk erdhi si një rrufe në qiell të hapur. Ajo as kishte shkak banal një bunker simbolik, të cilit iu sulën si të tërbuar demokratikasit tanë para ca ditësh, duke u paraqitur si egërsira në sy të botës. 21 janari erdhi pas vjedhjes dy herë të zgjedhjeve me komisionarë sharlatanë, që sot na mbajnë leksione në Parlament për ndershmërinë e drejtësinë. Na erdhi pas grevës së urisë para Kryeministrisë, e cila shkoi afër flijimit të jetëve njerëzore. Erdhi pas mashtrimit të Saliut dhe dështimit të ndërkombëtarëve te “Krokodili”. Erdhi pas autovideos diskredituese të Dritan Priftit. Erdhi pas një mijë e një djallëzive të keqqeverisjes së Sali Berishës, i cili e konsideronte selinë e Kryeministrisë si pronën e vet, si firmë private dhe e kishte katandisur shtetin tonë në një gërmadhë, ku nuk kishin mbetur më as gurë e tulla për tu vjedhur. Shqiptarëve si Aleksi, Faiku, Hekurani, Ziveri me shokë u kishte ardhur shpirti në majë të hundës dhe çdo ditë e kuptonin se jeta po u shkonte dëm, ashtu siç ishim katandisur, ndaj vajtja në Tiranë për të protestuar, ishte gjëja më e vogël që ishin gati të bënin.
Politikanëve tanë vrasës nuk mund tua heq askush njollën e gjakut të 4 dëshmorëve të demokracisë. Se ata janë vërtetë dëshmorë, pasi ranë jo vetëm pa pasur asnjë faj, por ranë për një kauzë të madhe. Për të drejtën që ka një popull europian për të protestuar kundër keqqeverisjes së tij. Ata aty në bulevard, ranë dhe do të mbetën pishtarë ndriçues të mendjes për breza të tërë, sepse kur qeverisësit na vjedhin votën, zyrën e postin qeveritar dhe pastaj e konsiderojnë atë si pronë të tyren, jo vetëm duhen rrëzuar por domosdoshmëritë edhe dënuar.
Ka qenë Lul Basha, ministër i Brendshëm atë ditë dhe Sali Berisha Kryeministër. Vetëm për faktin se fshinë provat e atij krimi të zi dhe nuk lejuan Prokurorinë shqiptare të bënte punën që i takonte me ligj, ata duhen dënuar dhe u duhej hequr përjetë e drejta të merren me politikë. Nuk mund ta justifikojë njeri shkrehjen e armëve kundër popullit në rrugë. Vetëm mendjet e lajthitura e gjuajnë me plumba në shesh popullin e vet. A ju kujtohet se çfarë bëri Fatos Nano, kur Sali Berisha organizoi grushtin e shtetit pas vrasjes së Azem Hajdarit? Nuk i la një m2 pa ia biruar me plumba Kryeministrisë dhe gjë pa djegur e plaçkitur brenda.“Iku frikacaku”, i thanë Saliu me trimat e tij dhe vrapuan të marrin RTV shtator dhe institucionet e tjera. Por nuk kaloi as dhe një ditë dhe u ngriu gëzimi në buzë. Nano doli se nuk kishte ikur se qe frikacak, por se qe i mençur. Godina Kryeministrisë, edhe me paratë e atyre që e prishën, u ribë për dy javë më mirë seç qe dhe ata që e shkatërruan nuk gjenin brimë ku të fusnin kokën.
Fakti pse nuk e burgosi atëherë Sali Berishën mbase ha diskutim frikë sepse Bënçën e kishte hak dopio. Nuk e çuan atje dhe ja la më 11 janar 2011 e bëri më të madhe gjëmën. Ka dhe një pikë të errët debati i 11 janarit, që të gjithë i sillemi vërdallë rrotull: atë të mbrojtjes së institucioneve nga dhuna. Grupet e dhunshëm mund të përfitojnë në çdo rast nga protestat e ligjshme që të shkatërrojnë institucionet e destabilizojnë vendin. Përdorimi i dhunës kundër institucioneve nuk është normë demokratike dhe përjashtohet si e tillë. Në demokraci institucionet konsiderohen si pronë e gjithë popullit dhe jo vetëm e asaj pjese që proteston para tyre çdo muaj. Këtu përpiqet të kacavaret pas xhamave Sali Berisha. Në fakt po qe se ata katër njerëz të qetë dhe të pafajshëm, që u vranë në mes të bulevardit do të ishin vrarë brenda rrethimit ose më keq brenda mureve të godinës, zërat e fjalisë së gardianëve dhe politikanëve që i shtynë në krim, do të ishin shuar shpejt. Është realisht detyrë e qartë ligjore e tyre mbrojtja e institucionit edhe me armë. Por vrasja e njerëzve në trotuar dhe p.sh., jo e atyre që shkallmuan derën e rrethimit me një makinë, i fundos Berishën, Bashën, Prendin me shokë. Ata kanë dhe do të kenë gjithmonë emrin: vrasës të fajshëm, sepse kanë vrarë e plagosur njerëzit e pafajshëm në shesh.
Pika tjetër e errët e 21 janarit është organizimi i një proteste të dhunshme nga Opozita e asaj kohe. Askush nuk mund të thotë se kjo protestë ishte paqësore. Motivet e arsyet e dhunës mund t’i gjejmë pa fund, por dhuna kundër policisë dhe Selisë së Qeverisë dukej sheshit. Askush nuk e mbulon dot diellin me shoshë. Është tjetër gjë se Sali trimi e Lul servili u treguan trapa, që urdhëruan të gjuhet me armë dhe më pas të fshihen provat e krimit. I vinte marrë Saliut të ikte si Nano dhe preferoi të bëjë luftë me turmën, i ngujuar në Kryeministri! Mbase i dukeshin të gjithë serbë, që i kishin rrethuar “Vuçidolin”..!
Është e qartë se Rama do e mbrojë tani e tutje Kryeministrinë nga demokratikasit, me gra e vajza police dhe do i lerë ndoshta t’ia djegin e shkatërrojnë dhe zyrën, siç bënë me bunkerin me qëllim që t’i diskreditojë në sytë e botës. Por askush nuk mund të thotë se 21 janari ishte brenda standardeve të një proteste demokratike. Nuk rrëzohet qeveria në një vend të NATO-s me dhunë e shkatërrim të një apo disa godinave. Edhe Berisha, që na dukej përbindësh, iku “me bisht nëpër shalë”, kur shqiptarët e fshikulluan me votë. Nuk e lanë të vidhte më 5 e 10% të votave, se e groposën. Por, për ironi të fatit tonë, prapë sot ai edhe pse në gërhamat e pleqërisë, ka kurajë të tallet me 21 janarin, në vend që të kërkojë falje. Kjo, sepse në kullat e drejtësisë së fëlliqur shqiptare, ka lënë njerëzit e vet besnikë. Ama edhe qeverisësit e sotëm nuk i bien aspak krahut të protestës së dhunshme dhe nuk kanë as kurajë ti shpallin martirë të demokracisë të rënët, e bile as tu ngrenë një përmendore të merituar. Po të kisha gjë në dorë, të paktën faturën e dëmeve të asaj dite do ua kisha kërkuar ta paguajnë me çdo çmim sepse dënimet e tjera i ka në dorë populli me votë dhe drejtësia që na mungon.