21 Qershori, prova e madhe e PD-së

Nga Roland Qafoku

Për Partinë Demokratike 21 qershori nuk është thjesht dita e votimit për ata që do zgjidhen kryetarë të 61 bashkive. Janë një numër të konsiderueshëm çështjesh që do përcaktojnë shumë dilema brenda kësaj force politike vetëm një ditë pasi të dalë rezultati final i këtyre zgjedhjeve. Më të rëndësishmet janë:

1. 21 qershori është beteja e parë e Partisë Demokratike që nga koha kur kaloi në opozitë. Si do jetë rezultati i këyre zgjedhjeve ashtu do të jetë edhe situata e kuotuar e kësaj partie që nga 23 qershori 2013 kur pësoi humbjen e thellë pas 8 viteve në pushtet.

2. 21 qershori është njëkëhësisht beteja e parë politike e madhe e kryetarit Lulzim Basha. Nëse ai arrin të fitojë këto zgjedhje, afërmendsh Basha stabilizon dhe çimenton pozicionin e vet në krye të kësaj partie. Ai do jetë një kryetar i fortë dhe gjithnjë e më pak do jenë zërat që do ta kontestojnë atë apo veprimet që ai ka ndërmarrë deri më sot. Por ama nëse PD humbet, numri i kundërshtarëve brenda PD do të jetë i madh. Nëse bëhen bashkë deputetët e pakënaqur, ata që prisnin të ishin në grupin drejtues të PD, ata që prisnin të ishin kandidatë të zgjedhje dhe ata që u përjashtuan duke mos I vënë kandidatë për deputetë në zgjedhjet e vitit 2013 nuk janë pak. A e imagjinon kush Jozefina Topallin të mos reagojë ndaj Bashës nëse PD humbet zgjedhjet?

3. 21 qershori është një provë e madhe edhe për organizimin e ri të PD. Në një formë apio tjetër në këto dy vjet në këtë parti ka patur shumë prurje të reja. Përjashto grupin parlamentar që është zgjedhja e kryetarit të dikurshëm Berisha, pothuajse çdo strukturë e re e PD është realizuar dhe vulosur nga vetë Luzim Basha. A do marrin ata ok për të vijuar të besuar si lidership i ri i PD? Natyrisht duhet të shikohen me kujdes bashkitë ku PD do fitojë dhe bashkitë ku PD do humbë.

4. Nëse në 21 qershor PD fiton lideri i saj hisorik Sali Berisha do jetë gjithnjë e më larg nga kjo parti. Që nga dorëheqja e tij nga drejtimi i PD në qershor 2013 ai nuk ka marrë pjesë në fushatë apo në drejtimin e situatave që ka kalur kjo parti. Por a mund të themi se Berisha është larguar plotësisht nga PD? Natyrisht që jo. Zëri i tij në parlament ka qenë i tillë sa nëse nuk do ishte mësuar lajmi i dorëheqjes dy vjet më parë të jep përshtypjen se ai është ende kryetari i PD. Por, nëse PD fiton zgjedhjet, Berisha dhe lidershipi i ri i PD do jetë gjithnjë e më larg njëri tjetrit. Dhe këtë e vendos fitorja.

5. Nëse PD humbet zgjedhjet padyshim që zërat për rikthimin e Berishës pritet të rriten. Nuk kanë qenë sporadike rastet kur në PD është ngritur nën zë dhe me zë të lartë që Berisha duhet të rikthehet në krye të kësaj force politike. Dhe ky nuk është një opsion i pamundur nëse masa e atyre që do e kërkojnë Berishën do jetë e tillë që përmbys raportet e pritshmërisë së Bashës me ato që kanë ndodhur. Një pjesë brenda PD thotë se Berisha nuk kthehet më. Por përgjigja më e mirë ndaj tyre është me një pyetje: Kjo lidhet me faktin se nuk do Berisha apo nuk e lejon kryetyari Basha. Fakti që vetë Berisha nuk e ka dashur këtë, nuk do të thotë që një ditë ky mendim të ndryshojë.

/Oraenews.tv/

SHKARKO APP