26 mijë punonjës me gabime në sigurimet shoqërore
Një auditim i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit për të dhënat e punonjësve në sistemin e sigurimeve shoqërore, zbulon shifra të frikshme sa i përket gabimeve në emra, datëlindje dhe të dhëna të tjera për gjeneralitetet. I autorizuar nga KLSH, si audit për Teknologjinë dhe Informacion nga verifikimet që janë bërë
janë gjetur një seri problematikash që nisin nga sistemet e back-up e deri tek mosrakordimi i emrave mes Tatimeve, ISSH dhe Gjendjes Civile. Në fund të kontrollit, janë 26 314 punonjës, të cilët rezultojnë me gabime në emër ose mbiemër në sistemin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, kur këto të dhëna kryqëzohen me regjistrin e Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile.
Gjetjet
Nga auditimi i mbyllur një muaj më parë, është konstatuar se të dhënat (NID, emër, mbiemër) e punonjësve të importuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, me ato të regjistrit të gjendjes civile u identifikuan disa problematika lidhur me informacionin e importuar nga DPT, janë identifikuar 669 punonjës të cilët nuk gjenden në regjistrin e DPGJC. Këta punonjës nuk gjenden as në regjistrin e personave që kanë ndërruar jetë. Bashkëlidhur.
Po ashtu, janë identifikuar 26 314 raste kur emri ose mbiemri i punonjësit të deklaruar nuk është i njëjtë me atë të DPGJC për të njëjtin ID, si dhe janë identifikuar 80 raste kur të dhënat për emrin dhe mbiemrin janë të ndryshëm, çfarë do të thotë se këta persona janë të ndryshëm. Nga kontrolli i të dhënave për NID-et e “sakta në format” me regjistrin e personave që kanë ndërruar jetë të DPGJC, rezulton se DPT i dërgon ISSH informacion për 4 028 persona të cilët kanë ndërruar jetë prej kohësh.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka vërejtur se ka pasur gabime edhe në disa të dhëna të tjera që janë importuar ndër vite si në: përllogaritjen e kontributeve shoqërore për punëmarrësin; përllogaritjen e kontributeve shoqërore për punëdhënësin; përllogaritjen e kontributeve për pagat që janë mbi pagën maksimale dhe nën pagën minimale duke pasur parasysh që pagesat nën pagën minimale janë kryer edhe kur punëmarrësi ka 22 ditë pune ose më shumë si dhe deklarime të pasakta në lidhje më numrin e ditëve të punës (ditët e punës janë më shumë se 31 ditë). Lidhur me këtë situatë KLSH ka rekomanduar që nga ana e ISSH të ndiqen të gjithë hapat e nevojshëm, për saktësimin dhe ndjekjen deri në zgjidhje të pasaktësive mbi të dhënat e importuara në vite. Njoftimin e punëmarrësve nëpërmjet kanaleve të komunikimit, sipas problematikave që ata kanë.
Rekomandimet
Nga auditimi i kontrollit automatik mbi listëpagesat, të implementuar në shërbim të ISSH, rezultojnë pasaktësi. Në këto kontrolle janë përfshirë dhe kontributi shëndetësor, një element jo i domosdoshëm për ISSH, kur jashtë kontrollit kanë mbetur element të rëndësishëm të listë pagesës, si për shembull, numri i ditëve të punës, përllogaritjet e kontributeve brenda pagës minimale dhe maksimale si dhe jashtë kufijve minimalë dhe maksimalë. (Trajtuar më hollësisht në faqen 33 të raportit të auditimit).
Lidhur me këtë situatë, Kontrolli i Lartë i Shtetit i rekomandon ISSH-së të sistemojë procedurat e kontrollit automatik të listëpagesave për të dhënat e importuara nga DPT. Të shtohen fusha kontrolli të tjera mbi të dhënat e listëpagesave si: ditët e punës duke i kategorizuar sipas kodit të punës, formati i NID-it si dhe elemente të tjerë të nevojshëm për kontroll. Të ndërtohen raporte periodike mbi të dhënat e identifikohen me pasaktësi në: NID, ditë pune, përllogaritje kontributi shoqëror mbi maksimumin dhe nën minimumin, përllogaritje gabim të kontributit shoqëror edhe për pagat midis minimumit dhe maksimumit./Shekulli/