4 banka padisin tatimet – Në gjykatë për gjoba e detyrime deri 1 milion dollarë

Gjobat e detyrimet e kripura deri 1 milionë dollar, të vendosura nga njësia e bizneseve VIP te tatimeve ka përplasur administratën tatimore me disa prej bankave më të rëndësishme në Shqipëri.

Televizioni Scan ka zbardhur të paktën 4 padi të ngritura nga banka të nivelit të dytë kundër tatimeve.

Njëra prej padive kërkon shfuqizimin e detyrimeve të vendosura nga njësia e bizneseve VIP me vlerë 97 milionë, të cilat bashkë me gjobat e kamatëvonesat arrijnë vlerën e 119 milionë lekëve.

Një bankë tjetër kërkon shfuqizimin e një gjobe prej 4.5 milionë lekësh, afërisht 45 mijë dollarë.

4 bankat i shtohen listës së gjatë të bizneseve të cilat kanë ngritur padi ndaj administratës tatimore.

Televizioni SCAN ka zbardhur një raport zyrtar të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, sipas të cilit aktualisht ka arritur në 426 numri i bizneseve që kanë paditur administratën tatimore për vlerësime, gjoba apo kamatëvonesa të padrejta.

Shfuqizimi i vlerësimeve tatimore të kryera nga Drejtoritë Rajonale është edhe motivi kryesor për të cilën bizneset i drejtohen gjykatës.

Sipas bizneseve, këto vlerësime janë joreale, duke u shoqëruar edhe me gjoba e kamatëvonesa të kripura.

SHKARKO APP