400 të rinj i bashkohen nismës për të njohur punën e Bashkisë së Tiranës në një ditë

Për të dytin vit radhazi, afro 400 të rinj, gjimnazistë dhe studentë, janë bërë pjesë e nismës së Bashkisë së Tiranës për të ndjekur një ditë nga puna e saj e përditshme. Në nisje të këtij projekti ata janë pritur në një takim të veçantë nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili u kërkoi që të shfrytëzojnë këtë mundësi për t’u njohur me punën që bën çdo drejtori në Bashkinë e Tiranës, ndërsa i ka ftuar ata që në fund të kësaj eksperience të ofrojnë idetë e tyre për atë që duhet të ndryshojë në funksionimin e administratës dhe të jetës së qytetit.

“Më vjen mirë që e kemi nisur këtë traditë fantastike, ku një ditë në muaj ftojmë të rinjtë që të bëhen pjesë e stafit të Bashkisë”, tha kryebashkiaku. Ai theksoi se falë suksesit të kësaj nisme vitin e shkuar, Bashkia e Tiranës ka mundur të përfitojë disa nga idetë që ka nisur t’i vërë në zbatim, siç është projekti për zbatimin e një plani orientimi për gjithë studentët e rinj që vijnë në Tiranë.

“Një nga idetë që na u dha vjet e që do ta fillojmë javën tjetër, është që studentët që vijnë në Tiranë, kanë nevojë për një orientim. Një nga arsyet që javën tjetër do jemi në çdo fakultet, por edhe në Qytetin Studenti, është që për studentët që vijnë për herë të parë në Tiranë, të ketë një sens orientimi. Është një ankth i cili të merr javë, derisa të adoptohesh me jetën në Tiranë. A mund ta bëjmë këtë më të shkurtër? A mund ta bëjmë këtë proces më të lehtë, a mund ta bëjmë integrimin më të kollajtë? Kjo është arsyeja pse po bejme javen e orientimit për të gjithë studentët që vijnë për herë të parë në Tiranë”, tha Veliaj.

Kryetari i Bashkisë evidentoi vullnetarizmin si një nga fushat ku të rinjtë mund të japin kontributin e tyre. Ndaj, ai shtoi se nje mundësi e mirë për të dhënë kontribut është Maratona e Tiranës që zhvillohet të dielën më 15 Tetor. “Ne besojmë shumë tek vullnetarët dhe tek puna vullnetare. Ne kemi të atashuar 500 vullnetarë vetëm këtë vit për maratonën e Tiranës. Nëse doni të jeni vullnetarë edhe nëse nuk do të vraponi me mua, atëherë mund të na ndihmoni duke qenë entuziast dhe duke inkurajuar të gjithë ata që po vrapojnë për qytetin. Është një mundësi fantastike, vijnë qindra turistë për maratonë, pra jo vetëm dikush që vjen që vrapon, kështu që me këtë sens edhe për qytetin është një oportunitet ekonomik, një mundësi komunikimi për t’i treguar që Shqipëria nuk ka namin e keq që ka pasur në vitet 90, përkundrazi statistikisht është një vend shumë më i sigurt se shumë qytete të tjera në BE”, tha Veliaj.

Një tjetër ide e ardhur nga të rinjtë gjatë vitit të shkuar dhe që është përqafuar nga Bashkia e Tiranës është edhe ajo për transformimin e Piramidës në një qendër multifunksionale kryesisht në shërbim të të rinjve. “Prona më e shtrenjtë e Tiranës është si një karkasë e vdekur në mes të bulevardit, që është Piramida. Kështu që aty na lindi ideja: A mund ta rikonstruktojmë Piramidën? Pra ta bejme me teatër, filma, me bibliotekë, me kurse digjitale, pra të kodimit, apo të programimit, që dikush mund t’i ndjekë pa qenë detyrimisht profesionist në atë fushë. Kjo është iniciativa që morëm këtë vit dhe do e buxhetojmë që ta transformojmë”, u shpreh Veliaj.

Gjithashtu, ai bëri të ditur se një nga idetë që u dha vjet për tu ndryshuar në Bashkinë e Tiranës ishte ideja për të ndihmuar me vullnetarë në mëngjes pranë shkollave. “Siç keni vënë re në shumë prej kryqëzimeve të shkollave janë vullnetarë. Një ide e dhënë nga të rinjtë vitin e shkuar dhe po e implementojnë vet për të ofruar më shumë siguri sidomos në orët e para të mëngjesit ku dhe ka trafik edhe ku ta pranojmë nuk janë të gjithë shoferët mirëkuptues”, u shpreh Veliaj.

Nisma “Një ditë në Bashkinë e Tiranës” organizohet për vitin e dytë radhazi, ku të rinjtë ftohen për të kaluar një ditë në Bashkinë e Tiranës, për të parë se çfarë bën një drejtues i bashkisë në një ditë pune të zakonshme. Këtë herë ka pasur një numër të madh aplikimesh, rreth 400 të rinj kanë kërkuar të jenë pjesë e kësaj nisme. Për muajin tetor do të jenë 120 të rinj të cilët do të kalojnë ditën me një nga drejtorët e Bashkisë Tiranë sipas përzgjedhjes së tyre në aplikim.

SHKARKO APP