5 perimet kryesore të prillit, zgjidhni të duhurat

Të ushqehemi shëndetshëm, të ushqehemi sipas stinëve dhe të njohim ushqimet që konsumojmë, do të thotë të përfitojmë më shumë prej tyre, në shije dhe vlera.

Agroweb ka përgatitur një listë të perimeve që duhen konsumuar sipas stinëve të prodhimit të tyre. Guida jonë ju instrukton se si të përzgjidhni perimet më të freskëta në treg dhe ofron këshilla praktike mbi mënyrat më të mira për ruajtjen e tyre.

Brokoli
Brokoli nuk duhet të mungojë në dietën tuaj ushqimore. Koha e rritjes së tij? Fatmirësisht është relativisht e gjatë. Gjysmën e vitit, nga muaji dhjetor, në muajin maj ju mund të zgjidhni mënyra të ndryshme për të gatuar këtë “super ushqim”. Lavdet nuk i ka të kota. Brokoli ka pak kalori dhe është tejet i pasur në vitamina e minerale si dhe shumë fibra.

Përse është i mirë brokoli?

Brokoli përmban vitaminat K, C, acid folik, potasium dhe fibra. Është gjithashtu i pasur në beta-karoten dhe sulforofan, një lëndë e cila po studiohet nga shkencëtarët për vetitë anti-kancerogjene. Vitamina K që brokoli përmban është thelbësore për funksionimin e proteinave që ndikojnë në koagulimin e gjakut. Vitamina C ndikon në krijimin e kolagjenit, lëndës që formon indet trupore, kockat dhe ndihmon në shërimin e shpejtë të të prerave apo plagëve. Brokoli përmban edhe fibra, të cilat ndihmojnë sistemin tretës dhe ndikojnë në uljen e sasisë së kolesterolit në gjak. Ndërkohë që acidi folik që brokoli përmban është i nevojshëm për prodhimin e qelizave të reja në trup.

Si ta zgjidhni brokolin?

Zgjidhni brokolin lulet e së cilit janë ngushtësisht të lidhura me njëra tjetrën, pra janë të mbyllura dhe kanë një ngjyrë të gjelbërt në blu. Bëni kujdes të mos zgjidhni brokolin lulet e të cilit kanë ngjyrë të verdhë apo të gjelbërt të hapur. Ndërkohë as brokoli që ështe pjekur më shumë seç duhet nuk duhet përzgjedhur. Do të jetë shumë i fortë për t’u kafshuar dhe do të ndahet në copëza kur ta gatuani.

Si ta ruani?
Brokoli është një perime që prishet shumë shpejt. Për këtë arsye mbështilleni mirë dhe vendoseni në sirtarin e poshtëm të frigoriferit. Përdoreni sa më shpejt të jetë e mundur, nëse dëshironi që brokoli që konsumoni te jetë i freskët dhe i pasur me lëndë ushqyese.

Karrota
Prej Shkurtit deri në Korrik, ja se kur duhet t’i konsumoni karrotat. Kjo perime, që besohet se për herë të parë është kultivuar në Afganistan mijëra vite më parë është thjesht e mirë për të gjithë! Konsumojeni me bollëk, pa u ndier në faj. Është e varfër në kalori, sheqer dhe karbohidrate. Por ama është e pasur në lëndë ushqyese.

Çfarë përmban karrota?

Është e pasur në vitaminë A, vitaminë C, kalcium dhe hekur. Ngjyrën portokalli karrotave ja jep beta-karoteni, që përthithet nga zorrët dhe kthehet në vitaminë A gjatë procesit të tretjes. Karrotat përmbajnë gjithashtu fibra, vitaminë K, potasium, acid folik, magnez, fosfor, vitaminë E dhe zink.

Studime tregojnë se disa karotenoide mund të luftojnë qelizat kancerogjene, falë aftësisë së antioksidantëve për të zvogëluar radikalët e lira në trup. Një tjetër studim ka dalë në përfundimin se duhanpirësit që nuk konsumojnë karrota në dietën e tyre ushqimore rrezikojnë 3 herë më shumë që të preken nga kanceri në mushkëri, krahasuar me ata që konsumojnë karrota të paktën një herë në javë. Në vitin 2011 u publikua një studim që shkruante se karrota vriste qelizat e leucemisë dhe ndalonte rritjen e mëtejshme të tyre.

Si t’i zgjedhim karrotat?

Mënyra më e mirë për të zgjedhur karrota të freskëta është duke parë bishtat e tyre. Sa më jeshile të jenë bishtat, aq më të freskëta janë karrotat. Gjithashtu edhe rrënjët e karrotave duhet të kenë ngjyrë të fortë dhe nuk duhet të jenë të thata e me vijëzime. Çarjet në lëkurën e karrotës tregojnë që ato janë të vjetra.

Si t’i ruajmë karrotat?

Karrotat duhet të mbështillen dhe të vendosen në sirtarin e poshtëm të frigoriferit. Duhet të kujdesemi që t’u presim gjithmonë bishtat që ndodhen në pjesën e sipërme të tyre, pasi kjo pjesë thith gjithë lagështirën nga rrënjët dhe bën që karrotat të prishen më shpejt.

Lulelakra
Lulelakra prodhohet prej muajit dhjetor deri në muajin maj. Gjatë kësaj periudhe mund të konsumoni lulelakër të freskët, në sasi të moderuara, pasi vlerat ushqyese të saj janë shumta. Por mos e teproni, pasi konsumi në sasi shumë të mëdha, shkakton fryrje të barkut.

Çfarë përmban lulelakra?

Sipas databazës kombëtare të ushqimit të Departamentit për Bujqësinë të SHBA lulelakra është e pasur në vitaminë C, K, B-6 dhe acid folik. Ajo përmban gjithashtu kalcium, hekur, magnez, fosfor dhe një sërë vitaminash të tjera të dobishme për organizmin.Lulelakra përmban antioksidantë që parandalojnë mutacionet e qelizave dhe ulin stresin oksidativ që formohet nga radikalet e lira. Pra konsumi i lulelakrës ul mundësinë e shfaqjes së qelizave kancerogjene. Studime tregojnë se lulelakra ul rrezikun e shfaqjes së kancerit të gjirit, apo formave të tjera tëkancerit si tek femrat ashtu edhe tek meshkujt. Lulelakra është e pasur në fibra dhe ujë. Për këtë arsye ajo lufton sëmundjet e lidhura me aparatin tretës. Ajo ndihmon dhe në parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare, diabetit dhe obezitetit. Një tjetër përbërës i lulelakrës, kolina, ndihmon në forcimin e memorjes, të muskujve si dhe ndihmon me problemet e gjumit.

Si të zgjedhim lulelakrën?
Për ta konsumuar gjithmonë të freskët, duhet të kujdesemi që kurora e lulelakrës që zgjedhim, njësoj si ajo e brokolit, të jetë e mbyllur dhe lulëzat e saj duhet të jenë të pozicionuara shumë afër njëra tjerës. Varieteti i bardhë duhet të jetë shumë i zbehtë dhe nuk duhet të ketë asnjë pikë, apo njollë të zezë në sipërfaqe. Duhet të keni kujdes të mos përzgjidhni lulelakra që janë të buta në pjesën e sipërme, pasi kjo është shenjë e prishjes.

Si të ruajmë lulelakrën?

Edhe pse në pamje lulelakra duket jetëgjatë, në të vërtetë ajo prishet shumë shpejt. Për ta ruajtur sa më gjatë, mbështilleni dhe vendoseni në sirtarin e poshtëm të frigoriferit.

Domatet e vogla (qershizë)
Duke filluar prej prillit e deri në fund të muajit qershor mos i kurseni vetes kënaqësinë e konsumimit të domateve të vogla (qershizë). Shtojini pak vaj ulliri organik, pak djathë të bardhë dhe pak bukë integrale dhe të jeni të sigurt se do t’ju shtohen dhe disa vite jetë… të paktën nga kënaqësia! Por domatet qershizë janë quajtur gjithashtu edhe “ushqime funksionale”, që na japin më shumë se thjesht elementët bazikë ushqyes. Këto fruta apo perime, quajini si të doni, parandalojnë sëmundjet kronike dhe zhvillimin e qelizave kancerogjene.

Çfarë përmbajnë domatet?

Domatet janë burim i pasur për vitaminën A, C dhe acidin folik. Ato përbajnë dhe shumë antioksidantë si beta-karoten, luteinë, kolinë etj. Të pasura me vitaminë C dhe antioksidantë të tjerë, domatet ndihmojnë në parandalimin e formimit të qelizave kancerogjene. Ato përmbajnë lycopene, një lëndë që është lidhur me parandalimin e kancerit të prostatës. Fibrat, potasiumi dhe vitamina C janë lëndë të cilat ndihmojnë në shëndetin e zemrës. Konsumi i tyre rekomandohet edhe për personat që vuajnë nga diabeti, pasi domatet kanë sasi të madhe fibrash. Domatet ndikojnë dhe në parandalimin e dëmit që mund të shkaktohet në lëkurë nga dielli, ndotja dhe tymi, parandalojnë rrudhat dhe përmirësojnë teksturën e lëkurës. Acidi folik që përmbajnë domatet është shumë i rëndësishëm, veçanërisht për femrat shtatzëna. Ky element parandalon, ndër të tjera, edhe prodhimin e një lënde që shkakton depresionin.

Si të zgjedhim domatet qershizë?

Zgjidhni domate me ngjyre të kuqe të fortë, pa rrudha apo pjesë të zbutura.

Si të ruajmë domatet qershizë?

Sa prej jush nuk i fusin domatet në frigorifer? Shpresojme të jeni të shumtë, pasi kjo gjë nuk duhet bërë asnjëherë. I ftohti prish shijen e domatëve dhe për këtë arsye ato duhet të ruhen gjithmonë në temperaturën e dhomës.

Hudhrat e njoma
Hudhrat e njoma paralajmërojnë ardhjen e pranverës. Prezenca e tyre në tregjet e fruta-perimeve tregon se stinët e ngrohta po afrojnë. Nga marsi në maj, kjo është periudha e tyre. E ndërsa shumë prej nesh stepen për konsumin, duke menduar aromën jo fort të këndshme, nutricionistët i rekomandojnë për shkak të vetive që hudhrat kanë për organizmin tonë. Nuk është e thënë të konsumohen të gjalla, përdorini në gatime, për të marrë të gjitha benefitet që ato ofrojnë.

Çfarë përmban hudhra e njomë?

Hudhra e njomë, ashtu si hudhra e thatë përdoret për të kuruar gripin e thjeshtë e deri për parandalimin e sëmundjeve të rënda. Përdoret për të kuruar probleme që lidhen me sistemin e gjakut dhe zemrën, përfshirë kolesterolin e lartë, parandalimin e atakut të zemrës, sëmundjeve koronare dhe hipertensionin. Disa e përdorin për të parandaluar kancerin e mushkërive, të prostatës, të gjirit e të stomakut.

Një lëndë përbërëse e hudhrës shërben si lëndë kuruese për sëmundjet e zemrës dhe e mbron atë. Hudhra ndikon edhe në përmirësimin e parametrave lipidë të gjakut, forcon potencialet antioksidante dhe shkakton ulje të tensionit. Në fjalë të tjera hudhra ndikon në uljen e kolesterolit dhe kurimin e hipertensionit. Një studim lidh hudhrën me uljen e rrezikut të lindjes së parakohshme, si pasojë e lëndëve antimikrobiale dhe prebiotike që ajo përmban. Studime të tjera tregojnë se hudhra përmban një lëndë që mbron mëlçinë nga dëmtimet që shkaktohen nga përdorimi i alkoolit.

Si ta zgjedhim hudhrën e njomë?

Hudhra e njomë duhet të ketë kërcell të fortë, pa pjesë të zbutura dhe gjethet e saj duhet të kenë ngjyrë jeshile të fortë. Në rast se rreth pjesës së kërcellit është formuar një shtresë e butë, ajo duhet të hiqet gjithmonë.

Si të ruajmë hudhrën e njomë?

Mbështilleni mirë dhe futeni në frigorifer. Kini kujdes gjatë mbështjelljes pasi aroma e saj e fortë do të përhapet kudo.

SHKARKO APP