6 javë aksion – 1405 subjekte ndryshojnë përgjegjësinë tatimore. Regjistrohen 762 punonjës

Aksioni anti informalitet ka mbyllur javën e gjashtë të tij. Nga raporti i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve rezulton se kjo e fundit ka përmbyllur 12 558 kontrolle, ku 77 për qind e tyre janë kontrolle të kryera nga zyra.

Kështu, shumë subjekte kanë ndryshuar përgjegjësinë e tyre tatimore, që nënkupton se janë ri klasifikuar në një hallkë tjetër. Kështu, nga të dhënat numërohen rreth 1 405 subjekte të cilat e kanë bërë këtë kapërcim në javën e gjashtë anti informalitet.

Ashtu si në e javët paraardhëse, numrin më të madh të subjekteve që kanë ndryshuar përgjegjësinë tatimore e ka Tirana me 762 subjekte, pasuar nga Durrësi me 183 dhe Vlora me 102. Nga të dhënat e DPT, rezulton se janë verifikuar 16 657 subjekte, nga të cilat 22 për qind e tyre kanë rezultuar në shkelje.

Sa i përket punonjësve të padeklaruar, gjatë kësaj jave janë futur në skemën e sigurimeve shoqërore 762 punonjës. Ndërsa nga kontrollet e kryera janë mbyllur 421 subjekte të paregjistruara dhe janë regjistruar 3 763 subjekte të reja.

Lidhur me detyrimet e prapambetura, nga raporti i DPT rezulton se 2400 subjekte kanë reaguar pozitivisht, për një vlerë totale prej 1 miliard e 775 milionë lekë. Ndërkohë, vazhdon procesi I fshirjes së detyrimeve dhe nga të dhënat rezulton se shuma e detyrimit të falur ka kapur shifrat 16 003 lekë.

Përdorimi i kredisë për shlyerjen e detyrimeve në javën e gjashtë numëron rreth 1 667 miliardë lekë, nga 1 516 që ishte në javën e pestë. Sa i përket tatimpaguesve të kontaktuar për ligjin e faljes, kjo javë numëron rreth 7 808 të tillë.

SHKARKO APP