“6 këshilltarë të paligjshëm në Këshillin Bashkiak”, këshilltari i PD fiton gjyqin me Veliajn
6 këshilltarë të Këshillit Bashkiak të Tiranës janë të paligjshëm. Ky është vendimi që ka marrë ditën e sotme Gjykata Administrative e Tiranës, në lidhje me padinë e bërë nga Këshilltari i PD-së në Bashkinë e Tiranës, Fabian Topollaj.
Ky i fundit kishte hedhur në gjyq kryebashkiakun Erion Veliaj dhe sot gjykata i ka dhënë të drejtë. Sipas gjykatës, mënyra e betimit të këshilltarëve është e paligjshme kështu që edhe ata janë të paligjshëm.
Pas këtij vendimi, të gjitha vendimet që ka marrë Këshilli Bashkiak i Tiranës, bashkë me votat e 6 këshilltarëve, janë të paligjshëm.
Pak ditë më parë Fabian Topollaj i ftuar në studion e SYRI.net tregoi për këtë gjyq.
“Sot kemi 6 individë që sillen si këshilltarë nga korriku i 2017, pa pasur mandat, dhe kjo do të thotë se të gjitha vendimet e marra nga Këshilli Bashkiak është nul.
Çështja është në gjykatën administrative dhe rrëzimi i këshilltarëve pa mandat do të çojë në rrëzimin zinxhir të të gjithë vendimeve të marra nga Veliaj.
Sot Erion Veliaj është në minorancë, pas rritjes së numrit të këshilltarëve të opozitës, si rezultat i bashkëpunimit të PD me LSI’, tha vetëm pak ditë më parë në studion e SYRI.net këshilltari i PD-së në Bashkinë e Tiranës, Fabian Topallaj.