60% e popullsisë shqiptare ka një pasuri nën 10 mijë dollarë
Pasuria për çdo të rritur shqiptar në mesin e vitit 2017 ishte 11,061 dollarë sipas të dhënave të publikuara nga banka Credit Swisse, në raportin “Të dhënat për pasurinë globale 2017”, ku jepen të detajuara shifrat për pasurinë e të rriturve në vendet e të gjithë botës, shkruan Monitor.
Nga shuma prej 11,061 dollarë, 2,012 dollarë është pasuri financiare dhe 9,801 dollarë është pasuri jo financiare. Në krahasim me një vit më parë, kur ishte 9,997 dollarë, pasuria rezulton në rritje me 10.6%, por këtu është dhe efekti i kursit të këmbimit, teksa dollari është zhvlerësuar ndaj lekut këtë vit.
Pasuria totale e shqiptarëve ishte 24 miliardë USD në mesin e vitit 2017, nga 22 miliardë USD në fund të 2016-s. Sipas shpërndarjes së të ardhurave rezulton se për Shqipërinë, 59.3% e personave kanë një pasuri nën 10 mijë dollarë. Pjesa tjetër prej 40.3% e popullsisë ka një pasuri midis 10 deri në 100 mijë euro.
Por sa milionerë ka Shqipëria? Sipas raportit të Credit Swisse, vetëm 0.3% e popullsisë ka një pasuri mbi 100 mijë dollarë deri në 1 milionë dollarë. Në vlerë absolute, me numrin e të rriturve, që sipas raportit është rreth 2.2 milionë persona, në Shqipëri ka vetëm rreth 6500 persona që kanë një pasuri mbi 100 mijë dollarë deri në 1 milionë dollarë. Ndërsa raporti thotë se në Shqipëri nuk ka asnjë person që ka mbi një milionë dollarë pasuri, teksa kjo përqindje është zero (shiko tabelën në fund).
Ndërsa kanë një pasuri prej rreth 11 mijë dollarësh, çdo i rritur shqiptar ka një borxh prej 752 dollarësh, deri në mesin e vitit 2017, nga 680 dollarë që ishte borxhi mesatar një vit më parë. Nga shtetet e rajonit, pasurinë më të lartë mesatare e kanë të rriturit e Kroacisë dhe Malit të Zi.
Pasuria mesatare e një të rrituri në Bosnjë Hercegovinë është 12,516 USD; në Kroaci 25,756 USD; në Maqedoni 9,044 USD; në Mal të Zi 19,607 USD; në Serbi 8,035 USD. Credit Swisse i mbledh të dhënat nga informacionet kombëtare nga buxheti i familjeve, vrojtime direkte dhe në ato vende ku mungojnë vrojtimet përmes llogaritjeve indirekte ekonometrike nisur nga informacioni mbi pabarazinë e të ardhurave.
Që nga 2010, Raporti mbi Pasurinë Globale nga Instituti i Kërkimeve të Credit Swisse ka qenë referencë për sa i përket pasurisë së ekonomive familjare në mbarë botën. Raporti përmban gjetjet më të krahasueshme dhe më të përditësuara mbi pasurinë globale për sa i përket të gjithë spektrit të pasurisë, që nga baza e “piramidës së pasurisë”, në të cilën përfshin 3.5 miliardë të rritur që kanë një pasuri poshtë 10 mijë dollarëve, deri tek maja e piramidës, e cila përgjigjet për një pjesë të vogël të popullsisë, por që zotërojnë një pjesë të konsiderueshme të pasurisë.