7 duelet e forta të 21 qershorit

 

Nga Alfred Lela

Duma-Dako, a mund të kthehet në një jopërballje?

Dueli Grida Duma-Vangjush Dako rrezikon të mos jetë dyluftim, por më shumë një jopërballje. E shkathtësuar me mjetet dhe teknikat e komunikimit televiziv, Duma rrezaton një siguri e cila do ta trembë rivalin e saj të Partisë Socialiste. Arsyet pse Dako do të jetë i munguar në aksionin e debatit nuk kanë të bëjnë vetëm me pasiguritë përballë kundërshtarit, por edhe me një jobilanc në punët e qytetit. Durrësi është më kaotik dhe më i betonizuar, dhe jo më i çliruar e më harmonioz se sa kur e mori ai në dorë drejtimin. Për të gjitha këto mungesa nga Tirana do të zbresë për kompensim artileria e rëndë e kryeministrit Rama, i cili ka preferuar vetëm Dakon dhe Sejdinin ndër një shpurë kryebashkiakësh që garonin për një mandat të tretë. Kjo mund të prodhojë zhurmë, por do të shmangë debatin për çështjet e Durrësit. Duma do të përdorë median për ta sjellë aty debatin dhe për të kapur veshët dhe mendjet e publikut. Pala tjetër, si kundërpërgjigje, do të mbajë gati makinën e baltës, puna e së cilës ka nisur ndërkohë kundër kandidates së PD. Durrsakët e kanë dëshmuar disa herë se nuk janë votuesit tipikë dhe shumë politizim kombinuar me ‘ikje në drejtim të paditur’ të kandidatit të majtë mund të prodhojë pikërisht atë që i duhet Dumës për fitoren.

Deromema- Leli, një vlonjat dhe një ‘i dërguar’?

Rasti i Vlorës është një eksperiment më vete i të dyja palëve politike. Genc Deromema është një inxhinier i ri nga një familje e vjetër vlonjate, që demokratët e kanë nxjerrë alternativë edhe ndaj vetes. Në kuptimin e heqjes dorë nga stofi blu i të djathtit për një kandidat, xhaketa e të cilit mund t’i rrijë edhe vlonjatit pavarësisht ideve të tij ideologjike apo animeve politike. Kjo duhet të jetë edhe retorika e Deromemës duke e patur tashmë traditë dijeninë se vetëm si i djathtë në Vlorë nuk fitohet. Për arsye që dihen. Në ndihmë i vjen edhe rekordi i mbrapshtë i kryetarit aktual socialist, Gjikës, i cili ka imituar Tiranën dhe Durrësin duke preferuar betonin në vend të një zgjidhjeje më ‘bregdetare’ dhe më ‘mesdhetare’ për qytetin. Për të mos harruar mjekun Dritan Leli, i cili do të shihet si ‘me shërbim’ nga Tirana apo ‘mëkëmbës i Kokëdhimës në Vlorë’.

Ademi-Bazhdari, e ftohta përballë së ndritshmes?

Zonjat e të dy krahëve i pret spektakli i një jete. Të dyja hyjnë në një spektër të fragmentuar politik të krahut të vet, pra pa një mbështetje unanime dhe solemne. Bazhdarit i duhet të llogarisë ‘faktorin Tomë Doshi’ dhe çdo minimizim i tij për të kënaqur veten dhe mbështetësit është një gabim strategjik, ndërsa Ademit, një Shkodër që nuk është më bastion i PD dhe as dinasti e një shenje apo emri. Rubikoni religjioz është një tjetër rrafsh i interesantes: Bazhdari është katolike, ndërsa Ademi myslimane e martuar me një katolik. Shkodra i ruan fërgëllimat fetare në sëndukun emocional. Emocioneve mund t’u shtojë megjithatë një Keti që duket më e butë dhe më e hapur, përballë një Voltane më të ftohtë, një stalaktiti të cilit nuk i mjafton bluja demokrate për t’u parë si llolli pop elektoral. Shkodra megjithatë nuk është më as ajo e vjetra dhe as ajo e para. Se si ka ndryshuar, mbetet për t’u parë të nesërmen e 21 qershorit.

Alibeaj-Subashi; në Myzeqe ku nuk ka rënë komunizmi

Ky i Alibeajt është një rikthim. Në Partinë Demokratike të cilën pothuajse ‘e humbi’ pas një ‘pakënaqësie territoriale’. Meqë nuk deshi Memaliaj-Tepelenën si i dërguar i PD, i dhanë edhe më shumë: Fierin, për ta marrë ose jo si kandidat për kryetar bashkie. Një jurist i sprovuar dhe një politikan që u rendit i dyti në votimin për sekretar të përgjithshëm të Partisë Demokratike, Alibeaj zbret në Myzeqe, një zonë që sa ç’është ‘hambar i Shqipërisë’ është edhe rezervuar votash të majta. Përballë tij, Armando Subashi një tjetër jurist, i cili ka dorëzuar mandatin e deputetit për prospektin e kryebashkiakut. Sidoqë të jetë, nuk është ndeshja vetëm mes atyre të dyve kjo e kësaj radhe. Në Fier ndeshen të gjitha radhët e tjera që nga viti 1991, dhe që nga ajo kohë në teksturën e asnjërës prej partive nuk ka ndryshuar asgjë e madhe që t’i bëjë myzeqarët të mendohen thellë. Toka nuk do ndahet më dhe as reformë agrare nuk do ketë. Gjasat janë që Fieri të rrijë në ‘bunkerin e majtë’, si ai ushtari japonez në ishull, në padijeni të faktit se komunizmi ka rënë.

Mero-Filo, për Parisin që nuk bëhet dot kurrë Amerikë

Të marrësh Korçën është si të kesh marrë Parisin. Të paktën korçarëve iu pëlqen kjo metaforë, ky shikim nga brenda i vetes, kjo autostimë. Qyteti juglindor që është kthyer nëcivik pikërisht prej mërgimit, pikërisht emigrantin brenda vetes nuk e pranon. Këtu i ngjan Francës paksa dhe Amerikë ndoshta nuk do të bëhet kurrë. (Në fund të fundit s’mund të ketë më shumë se një Amerikë). Te ky mospranim është shtrirë fati i të gjithë atyre kandidatëve që nuk kanë qenë mjaftueshëm ‘korçarë’. Për të mos folur për një hundë nazelie religjioze që gjithashtu, ata që e njohin Korçën nga brenda, thonë se ky qytet e ka. Në këtë rremb të historisë dhe politikës shtrihet edhe fati i Gjergj Meros, kandidatit të artisë demokratike. Mero ofron skeptrin e një rektori ose të një njeriu të arsimit, dafinë viktore që e ka përkëdhelur gjithmonë sedrën korçare. Sotiraq Filo është pothuajse pa profil. Ai ngjan me dikë të cilit i kanë dhënë një shkop magjik diku në cep të letargjisë.

Kosova-Veliaj, secili e ka një hendek

E Tiranës mund të konsiderohet si kryepërballje. Dy profile të spikatura, edhe pse kaq shumë të ndryshme, Halim Kosova e Erion Veliaj janë në një garë politikisht piktoreske. Kosova vjen me maturinë e atij që ka moshë, profesionalizëm dhe humanizëm, kurse Veliaj me vrullin dhe zhurmën e atij që do t’i bëjë të gjitha edhe nëse nuk e lejon mosha, profesionalizmi apo humanizmi. Kosovës i duhet të përballet me një makinë propagandistike të stërmadhe në timonin e së cilës rri herë Veliaj, herë kryeministri e ndopak edhe një maverik i komunikimit si Alastair Campbell. Veliajt m’anë tjetër i duhet të marrë parasysh atë që në politikë mbetet ende thelbësor, stili kolokial (bisedimor) i komunikimit. Doktori ka një repertor më të gjerë të këtij dhe duket më gjenuin. Kë do të përqafojë elektorati: koncertin live apo superpozimin? Tirana nuk do të ndahet vetëm në nivel komunikimi, sidoqoftë. Një hendek i gjerë prej 90 mijë votash i ka dalë në pritë Halim Kosovës që herën e fundit të zgjedhjeve kur ai kandidonte si deputet. Qeveritë kanë zakonin t’i ngushtojnë vetë hendeqet, por sa?

 

Turku-Sejdini, një mur Hadriani për Elbasanin

Ardian Turkut i duhet puna e madhe e ngritjes së murit të Hadrianit. I ngritur nga perandori romak me të njëjtin emër për të penguar kalimin nga Britani drejt territoreve romake, të barbarëve, muri është kthyer në simbolikë të pritës ndaj një vërshimi të padëshiruar. Vërshimi do të ishte një fitore e tretë e Qazim Sejdinit, i cili ushtron në Elbasan pushtetin e një beu të butë. Elbasani ka një simbolikë politike për të djathtën që lidhet me rrugën e re, një shpëtim nga ferri i kthesave të Krrabës, një përpjekje e qeverisë Berisha për një Rrugë Kombi 2. Ardian Turku është megjithatë një rikthim, duke qenë se e ka qeverisur njëherë Elbasanin. Kështu që ai i di kthesat e forta të Krrabës për te pushteti lokal, shtoji kësaj njohuritë e reja të fituara si nënkryetar parlamenti dhe deputet. Qazim Sejdini kësaj radhe nuk është vetëm një sprovë e vetes. Tek ai dhe Dako i Durrësit do të sprovohet edhe emblema qeverisëse e Ramës.

"Mapo"

SHKARKO APP