7 Marsi dhe politika
Kreu i shtetit, Bujar Nishani, mesazh publik në Ditën e Mësuesit gjithë arsimtarëve në rang vendi
Presidenti: Mësuesit mbajnë të ndezur shpirtin e kombit
Kreu i shtetit, Bujar Nishani, u ka dërguar dje një mesazh publik në Ditën e Mësuesit gjithë arsimtarëve në rang vendi. Duke i vlerësuar si një kategori fisnike e popullatës shqiptare dhe me një mision të nderuar. Dëshiroj t’ju drejtohem me një urim të veçantë me rastin e ditës së 7 Marsit, Ditës së Mësuesit. Në përkujtim të festës së 7 Marsit që është e dashur për të gjithë ne shqiptarët, dhe që sivjet përkon dhe me 128 vjetorin e vitit të hapjes së shkollës së parë shqipe, unë ju përcjell urimet më të përzemërta në gëzimin e festës suaj!”, iu është drejtuar dhe ai gjithë arsimtarëve. Duke pohuar sakaq se arsimi, kultura dhe gjuha janë shpirti i një kombi dhe se ata janë ata që e mbajnë ndezur shpirtin e kombit shqiptar. “Sot ne kujtojmë me respekt e krenari mësuesit e parë të Mësonjëtores shqipe, pasi vetë hapja e shkollës ishte një fitore e madhe e Rilindjes sonë Kombëtare.
Dita e Mësuesit është dita kur ne i kujtojmë të gjithë mësuesit tanë që nga çasti kur u ulëm për herë të parë në bankat e shkollës, dhe më pas, mësuesit e të gjithë brezave, sepse e gjithë jeta është një shkollë pambarim”, ka pohuar gjithashtu Nishani në mesazhin e tij të urimit drejtuar gjithë arsimtarëve. Duke përfunduar me faktin se çdo 7 mars i falënderojmë ata për punën e vyer, por edhe të vështirë që bëjnë duke arsimuar, edukuar, reformuar dhe transformuar nxënësit e tyre në profesionistë të zotë dhe qytetarë të denjë për t’i shërbyer atdheut tonë të përbashkët. “Dëshirat e reformave edukative në jetën tonë mësimore, nuk mund të sigurohen pa përparimin dhe zhvillimin e personalitetit të mësuesve, në pikëpamjen metodike dhe didaktike. Mësuesi i epokave si kjo e jona, duhet ta shkrijë energjinë dhe kujdesin e tij jo vetëm brenda mureve të ngushta të shkollës. Lufta e gjithë jetës së sotme shoqërore për edukim, e cila dita-ditës lipset të bëhet më e organizuar dhe më e qendërzuar, i ngarkon mësuesit dhe pedagogut detyra më të rënda, më delikate, por dhe më të shenjta. Po nga ana tjetër, pikërisht falë këtij misioni që i cakton koha, mësuesi duhet të jetë në qendër të përkujdesit dhe mirë-trajtimit që duhet të ndjekë ndaj tij politika jonë arsimore”, konkludoi Nishani.
KUJTESA
“Në Ditën e Mësuesit, një urim të veçantë shkon edhe për një plejadë mësuesish në pension, të cilët kanë qenë modele të shkëlqyera dhe një pasuri e vyer e intelektualëve shqiptarë, të cilët shërbyen me dashuri e përkushtim dekada e dekada me radhë”, pohoi dje gjithashtu kreu i shtetit, Bujar Nishani.
APELI
Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë
Veliaj: Arsimi, arma për të ndryshuar botën
Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, ka uruar dje festën e mësuesve nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook. Konkretisht, ai i ka uruar arsimtarët në të gjithë Shqipërinë, nëpërmjet një shprehje të Nelson Mandeles: “Arsimi është arma më e fuqishme për të ndryshuar botën” , shkruan ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj.
OPOZITA
Kryetari i Partisë Demokratike, kritika lidhur me gjendjen e arsimtarëve
Basha: Mësuesit, nën trysni të vazhdueshme nga qeveria
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, përmes një deklarate, ka uruar gjithë arsimtarët në rang vendi me rastin e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit, duke shprehur rezervat e tij lidhur me gjendjen e tyre aktuale. “Çdo 7 mars është një thirrje për kujtesën dhe ndërgjegjen tonë, se sa u detyrohemi mësuesve tanë.Unë dua t’i uroj nga zemra për festën sot, por dua të ndaj gjithashtu shqetësimet e mëdha që ata kanë”, tha Basha. Duke argumentuar sipas tij se mësuesit shqiptarë janë sot nën një trysni të vazhdueshme nga qeveria, nën një pasiguri permanente që ka krijuar terror dhe ka hequr qetësinë e nevojshme që ata të ushtrojnë profesionin. “Testimi i tyre sipas tekave të qeverisë, nuk është gjë tjetër vetëm se një mjet për të larguar masivisht mësuesit nga puna, dhe për të krijuar vende për militantët e pushtetit. Në krye të drejtorive arsimore janë vendosur persona që nuk kanë asnjë lidhje me vlerat e edukimit e arsimimit. Rasti i Lushnjes e tregoi se punësismi i mësuesve jo vetëm është kthyer në biznes për drejtuesit e korrupsionity rilindas, por për fat të keq edhe në skllavëri seksuale. Nuk ka ditë më të trishtë për arsimin se dita ku e ka sjellë kjo qeveri gjendjen e mësuesve.Prej gati 2 vitesh paga e tyre nuk rritet. Prej 2 vitesh ka vetëm marifete e mekanizma shtypjeje e shantazhi për të vështirësuar jetën e tyre. Prej 2 vitesh nuk ka një investim të vetëm në insfrastrukturë e krijim kushtesh për të rritur cilësinë në mësimdhënie”, pohoi gjithashtu Basha. Duke përfunduar se urimet e 7 marsit do të ishin hipokrizi pa vënë në pah vështirësitë dhe sfidat e mësuesve, jo për shkaqe objektive, por për shkak të padrejtësisë, korrupsionit dhe papërgjegjshmërisë së qeverisë.
QËNDRIMI
“Ne jemi dhe do të jemi në krah të mësuesve, dhe kur ora e përgjëgjesisë sonë qeverisëse të vijë do të ketë trajtim dhe vëmendje për ta cdo ditë të vitit. Ky është 7 marsi më i keq për ta, por shqiptarët dhe mësuesit e tyre do të dinë ta ndalin të keqen”, tha kryeopozitari Basha.