7315 shtetas kanë tentuar të ikin jashtë Shqipërisë në dy muaj, Kuko: Shanset për azil janë zero, mos tentoni
36 shtetas shqiptarë janë riatdhesuar sot në aeroportin “Nënë Tereza”, pasi iu ishte refuzuar kërkesa për azil në Francë e Belgjikë. Policia Kufitare vijon zbatimin e masave shtesë për parandalimin e tentativave për azil në vendet e BE-së.
Zv/Ministrja e Brendshme Romina Kuko u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve që të mos tentojnë , pasi shancet për azil janë zero.
“Riatdhesimi i sotëm i shtetasve azilkërkues në vendet e BE-së, dëshmon edhe një herë angazhimin e Qeverisë Shqiptare dhe Policisë së Shtetit, për të trajtuar të gjitha rastet e riatdhesimit për azil, dhe gjithashtu është edhe një thirrje për qytetarët shqiptarë, të cilët nuk duhet të marrin iniciativa kërkim azili, pasi do të rezultojnë të pasuksesshme. Policia e Shtetit ka marrë masa shtesë për kontrollin e të gjitha pikave të kalimit kufitar, për parandalimin e këtyre rasteve. Kjo është një thirrje ndaj gjithë shqiptarëve të cilët tentojnë të kërkojnë azil, për t’ju thënë që shanset e tyre janë zero”.
Drejtoresha e Departamentit për Kufirin dhe Migracionin Aida Hajnaj theksoi se duke iu referuar statistikave, numri i shtetasve që kërkojnë azil në vendet e BE-së, është në ulje të vazhdueshme.
“Duke filluar që nga 1 gushti i vitit 2017, datë në të cilën filloi edhe zbatimi i këtyre masave, trendi i shtetasve që kanë kërkuar azil në vendet e BE-së ose në Schengen është në ulje. Janë ndaluar për të ikur jashtë territorit të Shqipërisë, shtetas që nuk plotësojnë dokumentacionin e kërkuar, gjithsej 7 315 shtetas. Nga këta janë 6 630 shtetas të rritur dhe 682 janë minorenë, kjo për periudhën Gusht deri në Tetor 2017. Të gjithë shtetasit që thyejnë rregullat e Schengenit, do të kthehen dhe nuk kanë shansin për të përfituar azil në vendet e BE-së ose në Schengen”.
/SCAN