75 milionë euro të ardhura nga investimet jashtë

Ekonomia shqiptare përfitoi 35 milionë euro të ardhura nga investimet jashtë vendit në tremujorin e dytë të vitit. Statistikat tregojnë se, pavarësisht mjedisit ekonomik ende të zymtë, kthimi nga investimet jashtë vendit paraqitet në rritje me 25% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë.

Bilanci është pozitiv edhe llogaritur për të gjithë gjashtëmujorin e parë, kur të ardhurat nga investimet kishin vlerën e 75 milionë eurove, në rritje me 50% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ecuria pozitive e të ardhurave nga investimet ka ngushtuar pozicionin e jashtëm neto të ardhurave nga investimet, që mat diferencën mes të ardhurave hyrëse dhe atyre dalëse.

Për 6-mujorin e parë të vitit, ky rezultat ishte negativ për vetëm 19 milionë euro, ndërkohë që për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar defiçiti i të ardhurave nga investimet ishte shumë më i lartë, në 63 milionë euro. Për një ekonomi të vogël si ajo shqiptare rezultati negativ i të ardhurave nga investimet është mëse i kuptueshëm, megjithatë fakt është që hendeku negativ i të ardhurave është në rënie të ndjeshme.

Duke qenë se kapitali shqiptar nuk regjistron shumë investime madhore biznesi jashtë vendit, mund të supozohet se përmirësimi i të ardhurave të ekonomisë shqiptare ka ardhur kryesisht nga investimet financiare jashtë. Është fakt që bankat në vitet e fundit kanë rritur investimet jashtë vendit, në pamundësi për të rritur kreditimin në euro të ekonomisë shqiptare.

Megjithatë, të ardhurat e shtuara nga investimet jashtë mund të lidhen edhe me investime financiare të kompanive të mëdha shqiptare jashtë vendit. Për shembull, kompania Telekom Albania siguron të ardhura të konsiderueshme nga investimi në obligacionet e grupit mëmë OTE. Së fundmi, të ardhurat nga investimet jashtë përfshijnë edhe interesat që shqiptarët me pasuri të madhe sigurojnë nga depozitat apo titujt jashtë Shqipërisë.

SHKARKO APP