78 vjet më parë në Shqipëri u hodhën për herë të fundit në qarkullim, monedhat prej argjendi
78 vjet më parë, në Shqipëri, u hodhën për të fundit herë në qarkullim, monedha prej argjendi.
Konkretisht, Më 22 gusht 1939, Banka Kombëtare e Shqipnis (1925-1945), hodhi në qarkullim për herë të fundit, monedha prej argjendi dhe ato ishin të prerjeve prej 5 dhe 10 lekë.
Në bazë të Dekretit të Mëkëmbësit dhe Ligjit të ri për rregullimin monetar të vitit 1939, ato zëvendësuan monedhat e argjendit 1 dhe dy franga ar, emetime të viteve 1927, 1935 dhe 1937. Më pas, monedhat e qarkullimit u shtypën vetëm në metal të thjeshtë.
Faqja e këtyre monedhave, siç përshkruhet në ligj, mban bustin në profil të Mbretit Viktor Emanueli III me mbishkrimin “MBRET E PER VITT EM III RE E IMP”. Shpina mban shqiponjën dykrenare të Skënderbeut dhe dy fasha liktoriane anash saj, si dhe mbishkrimet: SHQIPNI – ALBANIA Lek 5; SHQIPNI – ALBANIA Lek 10. Burimi: Banka e Shqipërisë