8 Marsi, Manastirliu: Rritje page për mjekët dhe infermierët

Liridona Cani është infermiere në qendrën shëndetësore Ostren në Bulqizë. Vetëm pak ditë më parë shpëtoi një foshnje 6 muajsh pasi kishte ecur për orë të tëra mes dëborës.

“Unë bëra atë që me siguri do të bënte secila prej jush që jeni sot këtu, shpëtova një jetë”, tha Liridona në takimin e organizuar nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu me mjeket dhe infermieret e urgjencave mjekësore nga e gjithë Shqipëria.

“Jam e bindur se Liridona, e cila eci me orë në këmbë, në mes të dëborës, në një fshat të thellë të Bulqizës, siç na tregoi, nuk është menduar dy herë për të sfiduar vështirësitë ekstreme, për t’i shpëtuar jetën foshnjes 6 muajshe. Mosha e saj e re më mbush me besim se ka ende shumë mjekë, infermierë që i janë dedikuar këtij profesioni me mish e me shpirt”, tha Ministrja Manastirliu. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale deklaroi gjithashtu se mbështetja e qeverisë për stafin mjekësor do të jetë maksimale.

“Zemra ma donte të ishim të  gjitha bashkë sot, të 12 mijë  e 47 punonjesit gra të sistemit tonë shëndetësor për t’u përulur përballë  punës tuaj. Ju meritoni më  të  mirën dhe me shumë  përulësi ju them se mbështetja ime personale por mbi të  gjitha e qeverisë shqiptare nuk do të mungojë.  Ne do të vijojmë të  përmirësojmë  kushtet e punës në qendrat tona shëndetësore, në spitalet tona, që ju ta kryeni më  mirë profesionin tuaj. Do të vijojmë me politikën e rritjes së pagave edhe në vitin 2018 për personelin mjekë dhe infermierë. Angazhimi ynë  është  i përditshëm në këtë drejtim dhe për një arsye tjetër, sepse ju jeni shembuj frymëzimi jo vetëm sepse keni lartësuar pozitat e grave në  shoqërinë  shqiptare por sepse ja dilni që çdo ditë  të  shpëtoni jetë  dhe ky është  më  i larti i misioneve”, tha Manastirliu.

Ministrja Manastirliu u shpreh gjithashtu se që nga vitit 2019 do të plotësohen nevojat me mjekë specialistë në shumë spitale të vendit.

“Një ditë më parë takova brezin e parë të specializantëve që pritet të diplomohen në vitin 2019, shumica prej tyre vajza, gra, që kanë vendosur të shërbejnë në spitalet ku ka nevojë për mjekë të specializuar. Disa prej tyre punojnë edhe në sektorin privat aktualisht por kur I pyeta nëse do të duan të punojnë në spitalet rajonale në përfundim të specialiteteve, nuk kishin dyshime që do bënin këtë zgjedhje. Kjo është sa frymëzuese aq edhe shpresëdhënëse për shëndetësinë që duam të ndërtojmë, së bashku”, tha Manastirliu.

Ministrja Manastirliu dhe zv/Ministret e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ndanë disa çmime mirënjohje për mjeket dhe infermieret e vitit, të cilat I janë dedikuar këtij profesioni me përkushtim e sakrifica.

U nderua me çmimin e mirënjohjes Liridona Cani, infermiere në qendrën shëndetësore Ostren në Bulqizë; dr. Zana Hoxha, mjeke gastrohepatologe në spitalin e Shkodrës; dr. Gjyzede Zalla, pediatre në spitalin e Durrësit; Sadete Gjeçi, infermiere e urgjencës në spitalin universitar të Traumës dhe prof. Eli Foto, shefe e shërbimit infektik në QSUT.

SHKARKO APP