80 vitet e lumtura, të një gruaje që njohu dashurinë
Nga Rudina Xhunga –
Dje ishte Shën Valentin. Një ditë për dashurinë dhe shumë lajme, si të përgatisësh dhuratën e minutës së fundit, si të bësh sex të paharrueshëm, si të, si të, si të.
Dhe foto plot dekolte, fundshpina dhe fotoshop, që të bëjnë të mos ndihesh pjesë e kësaj bote. Një gazetare e re, e dritare.net, ndryshe nga gjithë lajmet me si të, zgjodhi të trokasë në një derë shtëpie arti.
Në shtëpinë e Muntaz Dhramit. Takoi të shoqen, Lumturinë dhe e pyeti për kuptimin e 80 viteve dhe një dite Shën Valentini. Bisedoi orë të tëra me të dhe kur u ngrys, doli nga ai apartament dhe më tha: Kam mbi veshje dhe lëkurë, aromën e asaj shtëpie, është aroma e dashurisë.
Asaj me D të madhe. Që nuk e gjen dot në asnjë manual. Janë njerëzit që nuk i vëmë re, kur kalojmë, njerëz që nuk e dimë fare se jetojnë, njerëzit e një kohe tjetër, që ne e kemi fshirë dhe zhdukur me vetëdije, në emër të rinisë, të like-ve, fejsbukut dhe ritmit që nuk të lejon të lexosh, tregosh dhe jetosh, histori dashurie, por të lë kohë vetëm për pilula me këshilla, si të , si të, si të.
Veç, nëse nuk e takon Lumturi Dhramin, nëse nuk shikon çdo punë të 30 viteve të saj, çdo grafikë, çdo pikturë, çdo bocetë që la përgjysmë, kur i digjej gjella, kur qante vajza e vogël, kur djali i vinte flakën shtëpisë, nëse mungonte ajo, kur burri ikte me shërbime të gjata, që nuk mbaronin kurrë, dhe vetëm kur të gjithë flinin, ajo kthehej te muza, te arti, derisa një çast, më ‘86 , vendosi dhe e la një dashuri që quhej Art, për dashurinë tjetër që quhej nënë, grua, familje.
Pa e mbajtur kokën pas. Vetëm, kur mbushi 80 vjet, fëmijët dhe burri, fshehtas, pa i thënë, ia mblodhën bashkë gjithë punët, ia nxorën nga pëlhurat dhe pluhuri dhe ia ekspozuan në Galerinë Kombëtare të Arteve. Si një kthim pas, në kohë, i 30 viteve punë dhe 80 viteve grua. Grua në art, grua në dashuri.
Ajo shtëpi dashurie, te Pallati i Aviacionit, nuk është e vetmja që ka një histori për të ndarë. Ajo shtëpi që i ngjan një galerie, nuk është e vetmja për t’u treguar. Ka të tjera si ajo, ka shumë histori ky vend, ka njerëz, ka fate, ka sakrifica, ka ndjenja, ka art, ka shpirt, ka aq shumë rrëfime të bukura që presin të tregohen, për të mos vdekur bashkë me të zotët.
Nëse ato do të tregoheshin dhe do mbushnin gazetat tona, në vend të, babai përdhunoi vajzën, burri i preu veshin burrit në sy të gruas dhe fëmijëve, nipi vrau tezen, se kishte lekë, nuk e keni idenë sa më e bukur do të ishte Shqipëria. Shqipëria tjetër, që fshihet pas historive të patreguara, në emër të mungesës së klikimeve. E patreguar, ngaqë nuk tërheqin historitë e bukura dhe njerëzore. Është gjaku, dhuna, krimi që bëjnë lajm
. E pra, 80 vitet e lumtura të Lumturi Dhramit, janë lajmi më i bukur që kam lexuar këtë javë. Dhe nuk jam e vetmja./ Dritare.net