+850 maturantë nga e gjithë Shqipëria të regjistruar në të dy konkurset e Kolegjit Universitar “TBU”

Më shumë se 850 maturantë janë regjistruar në konkursin kombëtar Sipërmarrësit e së Nesërmes, Edicioni 8 dhe/ose Juristët e së Nesërmes, Edicioni 4 organizuar nga Tirana Business University College, duke e kthyer këtë aktivitet në eventin më të madh organizuar ndonjëherë në Shqipëri me pjesëmarrjen e gjimnazistëve.

Të dy konkurset janë mirëpritur nga maturantët, pasi konsiderohen një mundësi e mirë për të vlerësuar vetëveten, për t’u aftësuar në situata reale të sipërmarrjes apo çështjeve juridike, apo për të përfituar ndihmën e nevojshme në realizimin e projekteve të tyre të biznesit nga TBU dhe/ose partnerët. Numri i lartë i të regjistruarëve i dedikohet angazhimit të vazhdueshëm të mësuesve, drejtuesve të gjimnazeve, përfaqësuesve të DAR/ZA-ve, partnerëve të biznesit, si dhe ekipit organizativ të mrekullueshëm të TBU.

Tek Sipërmarrësit e së Nesërmes ekipet ftohen të prezantojnë ide biznesi të hartuara në formën e planit të biznesit, ndërsa tek Juristët e së Nesërmes ekipet ftohen të trajtojnë një çështje ligjore në rolin e palës së paditur apo palës paditëse në formën e gjyqit imitues.

Faza tjetër, ajo e prezantimit përpara jurisë, për ekipet e regjistruara tek Sipërmarrësit e së Nesërmes ka nisur në datën 10 Prill dhe parashikohet të përfundojë me dt. 23 Prill, ndërsa për ekipet e regjistruara tek Juristët e së Nesërmes është planifikuar të nisë me 24 Prill dhe të përfundojë me datë 28 Prill. Juria ndërtohet e kombinuar nga biznesmenë, menaxherë, pedagogë, profesionistë dhe/ose studentë sipërmarrës.

Konkurset mbështen nga partnerët kryesorë, Banka Credins, RTV Scan dhe Balfin Group, si dhe partnerë të tjerë si Local Web, Abkons, EHW, Çelësi Media Group, Agna Group, F&M Reklama, MAD Bazar, MoneySmart Albania, Business Magazine Albania, URBANUS Blog, Airis Solutions, La Perla, Neocharger, etj. të cilët kontribuojnë në formën e suportit financiar, teknik dhe/ose logjistik. TBU për individët dhe ekipet që do të spikasin do të ofrojë bursë studimi 100% deri në 3 vite, ndërsa partnerët janë ftuar të idejojnë çmime speciale.

SHKARKO APP