90 milionë euro grante për investime publike/ Ja ku shkojnë fondet e BE, KFW dhe qeverive të ndryshme
Projektbuxheti i vitit 2018 parashikon një total prej 30 miliardë lekësh investime me financim të huaj të destinuara për investime publike, prej ku 12 miliardë janë në formë grantesh.
Pjesa më e madhe këtyre granteve vijnë nga programet e Bashkimit Europian, si IPA, i cili është një instrument asistence për vendet që nuk janë anëtarësuar ende në union. Krahas BE-së, financuesit e tjerë të mëdhenj janë Qeveria Gjermane, Banka Gjermane për Zhvillim KFW dhe financimet e ndryshme të qeverisë suedeze, italiane dhe Kombet e Bashkuara.
Përgjithësisht skemat e granteve shtrihen në sektorë ku qeveria nuk ka leverdi të investojë, ose për mbështetjen e aktiviteteve e shërbimeve të ndryshme si bujqësia, peshkimi apo hekurudhat.
Për vitin 2018, siç shihet edhe në grafikun e mësipërm, pjesa më e madhe e investimeve të huaja përmes granteve do të shkojë për furnizimin me ujën dhe ndërtimin e kanalizimeve. Projektet në këtë fushë vijojnë tashmë prej vitesh dhe kanë sjellë përmirësime si në jetën e qytetarëve, ashtu edhe në cilësinë e ujërave larës. Nga investimet në këtë fushë do të përfitojnë një pjesë e madhe e bashkive të vendit.
Sektori i dytë me përfitimin më të madh nga fondet e huaja është bujqësia, ku do të investohen rreth 1.4 miliardë lekë. Shembuj të projekteve në këtë fushë janë ai i mbështetjes së bujqësisë për zonat që kanë vuajtur nga përmbytjet, me fonde IPA dhe të Komisionit Europian, si edhe projekti SARED, i mbështetur nga Projekti Danez dhe GIZ për të mbështur bujqësinë në zonat e pafavorizuara të Shqipërisë.
Sektori i energjisë do të shfrytëzojë 1 miliardë lekë investime të huaja, të cilat do të shkojnë në projekte për mbështetjen e sektorit të energjisë së rinovueshme, për ngritjen e kapaciteteve për infrastrukturat e mëdha të gazit dhe për projektin e rehabilitimit të godinave të Qytetit Studenti.
Gati 900 milionë lekë grante do t’i shkojnë Policisë së Shtetit, kryesisht për blerjen e automjeteve e ngritjen e rrjetit të radiove, por edhe për asistencë teknike e për programin e policimit në komunitet.
Si pjesë e prioriteteve të qeverisë, edhe arsimi i mesëm profesional do të përfitojë nga gati 800 milionë lekë fonde, grante të dhëna kryesisht nga qeveria italiane e Bashkimi Europian.
FSHZH do të përfitojë nga 744 milionë lekë grante, ku pjesa më e madhe shkon për furnizimin me ujë të zonave rurale.
Programe të tjera që përfitojnë nga fondet e huaja janë ai i transportit hekurudhor, planifikimi urban dhe programi i menaxhimit të mbetjeve urbane. Vlen të përmendet se mbështetje do t’i jepet edhe sektorit të peshkimit, shërbimit të kujdesit parësor, emergjencave civile dhe kullimit e ujitjes.