A do të kemi zgjedhje të lira vitin e ardhshëm?

Nuri Dragoj/Këto janë dy pyetje që besoj se shqetësojnë çdo shqiptar. Pas përfundimit të reformës në drejtësi, politika shqiptare do të angazhohet me Kodin Zgjedhor për të hyrë në zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm pa tension politik. Ende nuk e dimë nëse do të ketë ndryshime në atë kod dhe cili do të jetë qëndrimi ndaj partive të vogla parlamentare, por dhe ndaj atyre partive, numri i të cilave është treshifror, që ndonëse nuk kanë fare elektorat, shpenzojnë qindra milionë lekë nga buxheti i popullit, parti që nuk ndihen për vite me radhë, por gjatë krijimit të aleancave parazgjedhore përmenden emra të disa kryetarëve anonimë. Nuk dimë nëse do të hyjmë në zgjedhje me një politikë të dekriminalizuar, me politikanë që nuk do të shoqërohen më nga banditë, hajdutë, njerëz të “forte”, me të cilët darkojnë e qeshin me të madhe, me ata që nuk e ndajnë armën nga brezi, prej të cilëve dhe policët ulin kokën.  Gjithë çështja është nëse do të mundim të bëjmë zgjedhje të lira dhe të ndershme, që vota të lexohet ashtu siç dëshiron qytetari, që të mos bëhet presion para tyre, të mos u jepem thasë me miell apo zarfe me para. Vetëm atëherë partitë nuk do të kenë detyrime për individ të veçantë dhe në administratë mund të hyjnë njerëz të aftë, që kanë mundësi t’i japin shtysë zhvillimit ekonomik e shoqëror të vendit. Deri tani asnjë prej partive të mëdha nuk ka hedhur ndonjë hap konkret drejt lirisë së votimit, përballjes me votën direkte dhe shmangien e votimit me lista, ku elektorati nuk di çfarë fshihet brenda tyre. LSI e ka shfaqur mendimin e vet për një votim të hapur, ku kandidati për deputet të jetë përballë zgjedhësve të vetë dhe ata të shkojnë para kutisë së votimit për të, dhe jo thjeshtë për subjektin politik.

Në këtë aspekt duhet të japin më shumë ndihmesë intelektualët, të cilët duket se janë ende të kontrolluar, njëlloj si në diktaturën komuniste, e cila ndiqte jo vetëm veprimet, por edhe mendimet e tyre. Por tashmë diktatura totalitare që e burgoste mendimin e lirë apo e shuante mbartësin e tij, duke bërë t’i harrohej emri, por jo vepra, nuk është më. Intelektualët janë të çliruar në një farë mase nga e drejta për të folur e shkruar, ndonëse përsëri ndihen të kontrolluar me forma dhe metoda të tjera, prej nga mund të dilet vetëm me sakrifica dhe mundime. Dje përballej me burgun nëse kritikonte mangësitë e pushtetit, ndërsa sot përballet me bllokada të tjera që shkojnë deri në papunësi. Sot kritika kundër imoralitetit politik, dyfytyrësisë, korrupsionit pa konotacione politike, babëzisë për para të fituara sipas parimit makiavelist se qëllimi justifikon mjetin, është fare e zbehtë dhe pa ndikimin e duhur, pasi bëhet e përgjithshme, pa objektiv të qartë dhe në këtë “përgjithësi” njerëzit e korruptuar janë të mbrojtur, në një kohë që ndoten ata që ende ruajnë një farë ndershmërie. Kjo ndodh sepse kemi harruar apo nuk shqetësohemi fare për faktin që turpi dhe nderi nuk plaken kurrë.  Nëse do të mund të garantohen zgjedhje të lira, atëherë do të ketë më shumë liri për të aftët dhe do të rritet garancia për të dobëtit. Ai që di të notojë mund të lundrojë në dete dhe oqeane të pafund dhe le të mbërrijë atje ku dëshiron, por çështja është që të ndihmojmë të mbërrijë në brigjet e lirisë dhe atë që nuk e njeh mirë notin. Partitë politike shqiptare janë në krizë të thellë dhe prej këtij bataku ku janë zhytur, mund t’i nxjerrë vetëm një forcë e tretë politike. Ajo është në radhë të parë LSI, por nuk përjashtohet mundësia që në krahë të saj të renditet dhe ndonjë parti tjetër, që mund të nxjerr krye në kohën e përshtatshme, për t’u thënë një herë e mirë ndal dy partive të mëdha që janë bërë shkak për frenimin e zhvillimit ekonomik e social në Shqipëri. Puna është se deri tani, partitë politike në vend të bashkëpunimit për çështjet madhore që preokupojnë Shqipërinë, kanë synuar të groposin njëra-tjetrën, të përbaltin sa më shumë palët dhe mbi të gjitha të krijojnë një detantë midis partive të mëdha. Ky ekuilibër ishte arritur para daljes në skenë të LSI, por pas kësaj vërehet një farë tronditje dhe nevojë e madhe për liderët e partive të mëdha që të krijojnë aleancë me forcën e tretë, që është LSI.

Pse thuhet që LSI është shpresë e së nesërmes?

LSI është produkt i frymës rinore të Forumit Eurosocialist Shqiptar (FRESH), frymë, e cila e trembte Partinë Socialiste (PS) që në hapat e parë, jot ë lindjes, port ë ndërrimit të emrit të saj. Krerëve të PS-së, në vetvete, nuk ua donte zemra t’i kishin në gjirin e tyre ata njerëz të rinj në moshë dhe mendim, por nga ana tjetër e ndjenin të domosdoshëm afrimin e tyre, me qëllim që të krijonin një baraspeshë me lëvizjen studentore që u dynd në radhët e PD-së. Me një fjalë, PS kishte nevojë të afronte në radhët e saj njerëz që mund t’i ndryshonin imazhin e partisë, mbushur me komunistë fanatikë, e cila për shkak të rrethanave iu desh të kthehej brenda natës në socialiste.

PS dhe kryetari i saj Nano ditën t’i përdornin të rinjtë e FRESH, ku bënin pjesë Ilir Meta, Ilir Zela, Ndre Legisi, Pandeli Majko, Monika Kryemadhi etj. I përdorën për imazh, por e patën të vështirë t’i ulnin në tryezë. Madje edhe tentuan t’i goditnin. Në pranverën e vitit 1993, kur PD kërkoi heqjen e imunitetit të Ilir Metës  për disa protesta të ndodhura në Poliçan, shumica e deputetëve socialistë heshtën. Përse vallë? Edhe pse sulmi e kishte bazën te PD, dukej se kjo i shkonte për shtat grupit të vjetër të PS-së, pasi arrestimi i Metës do t’u shërbente si një fakt për të zhvilluar një fushatë elektorale me të gjallë, por edhe për t’u ulur kokën freshistëve të tjerë. Mirëpo ky moment u shmang dhe freshistët po bëheshin përditë e më shumë faktorë. Debatonin hapur, nuk shfaqnin frikë, hidhnin ide për një të nesërme më të mirë, bashkëpunonin me të rinj nga vende të zhvilluara të Europës, arritën të krijonin lidhje me Internacionalen Socialiste, gjë të cilën nuk e bënin dot kostumet e vjetra të PS-së. Të gjitha këto bënë që grupi i të rinjve në radhët e partisë së majtë shqiptare të vinte duke u konsoliduar. Pra siç shihet Ilir Meta militoi në radhët e Partisë Socialiste me vokacionin e të rinjve shqiptarë që përqafonin idetë e të majtës europiane, të eurosocializmit, ëndërr të cilën nuk e pa të materializuar në PS. Ishte kjo arsyeja që vendosi t’i zhvillonte më tej ato ide, në partinë që krijoi vetë, pra në Lëvizjen Socialiste për Integrim.

Shkaqet e çarjes së të majtës

Këtu nuk kemi ndërmend të bëjmë analizën e thellë të shkaqeve të çarjes së madhe brenda radhëve të PS, pasi do të duheshin faqe të tëra, por dua të përmend vetëm një moment: konfliktin midis Metës dhe Nanos, sepse pas këtij dueli punët në të majtën shqiptare pësuan regres.

Meta deklaroi atëherë se situata e krijuar në në PS ishte përgjegjësi e kreut të partisë dhe e një grupimi të papërgjegjshëm që po e fuste atë parti në një proces vetëshkatërrimi dhe vetëmohimi. Pikërisht vetëshkatërrimi i institucioneve, vetëmohimi i forumeve dhe vlerave më të mira, kërkonte zgjim të anëtarëve të saj, për të mos e lënë veten peng të asnjë personi. Nga ana tjetër, Ilir Meta shprehej kundër bojkotit, pasi bojkoti thoshte ai “nuk ka qenë dhe nuk do të jetë në kulturën time politike”. Sipas tij kështu mendonte dhe pjesa më e madhe e socialistëve. Madje kjo mendësi vijoi edhe me Ramën, i cili bëri grevë urie me 200 vetë dhe braktisi parlamentin për gati dy vjet.

Me rikonfirmimin e Metës kryeministër, pas zgjedhjeve të vitit 2001, Nano u ndie i harruar. Rama që pati hyrë në politikë nga një derë e padukshme, i bënte fresk dhe elozhe Metës si shef i qeverisë, me synim largimin e Nanos nga politika dhe punonte nën rrogoz, duke ushqyer ndëshkimet radikale në vend të korrigjimeve të gabimeve njerëzore. Synimi i tij nuk ishte fuqizimi i Metës, por dobësimi i Nanos, largimi i tij nga kreu i PS-së dhe marrja e partisë në një kohë të afërt.

Përballja e Nanos me Metën erdhi për shkak të xhelozisë së tij, të dëshirës për ta venë politikanin e ri nën kontroll. Por këtij qëllimi nuk ia arriti, pasi lufta midis tyre qe luftë brezash, dhe nuk mundet që e vjetra të triumfonte mbi të renë, gjë të cilën lideri i së majtës nuk e mbajti parasysh. Nano nën parzmoren e kryeneçësisë dhe të indiferencës, ndonëse në dukje, synonte të zbulonte se çfarë mendonte Meta në të vërtetë, çfarë zhvillimesh kishte në përroin e thellë të mendimeve të tij që nuk i shfaqte hapur. Përdori për këtë lloj-lloj metodash, takime kokë më kokë me të, agjentë të ndryshëm që mund të vilnin diçka nga vëzhgimi heshtës dhe zhbirues i Metës, dhe kur e pa se nuk mund të depërtonte në atë thellësi me të panjohura, nxiti betejën politike brenda PS, të cilën e emërtoi me fjalën greke “Katharsis”.

Në kohën kur Ilir Meta bëri divorc me Fatos Nanon, u shpreh hapur se bojkotin dhe vetëshkatërrimin e maxhorancës e solli vetë kreu i Partisë Socialiste. Nano mendonte të kundërtën. Ai e quante veten lider historik dhe të pazëvendësueshëm. Në të vërtetë, Fatos Nano me qëndrimin liberal të tij dhe sigurinë që kishte te elektorati “dele”, ka meritën për përpjekjet që bëri në jetësimin e institucionit të dorëheqjes, veprim ky që tregoi sjelljen politike në shoqëritë demokratike. Dorëheqjen e ka aplikuar edhe Meta kur ishte kryeministër e më pas në detyrën e ministrit të jashtëm. Ai e bëri këtë akt, sepse Nano kërkonte t’i zgjidhte mosmarrëveshjet brenda partisë me referendum, ndërsa Meta kërkonte që problemet të zgjidheshin brenda forumeve të partisë. Çështja e referendumit në radhët e PS-së në vitin 2002 synonte nga ana e Nanos të vinte në provë qeverinë e rikompozuar nga Meta. Por Meta e kuptoi që Nano nuk shqetësohej për fatet e Shqipërisë, përkundrazi kërkonte që me anë të referendumit të merrte në dorë edhe qeverinë për qëllime personale. Fakti që kryetari i PS-së kishte ekskluzivitetin e propozimit të emrit të kryeministrit dhe kryetarit të kuvendit, tregonte pikërisht këtë gjë.

Meta bëri përpjekje për ta kundërshtuar një gjë të tillë dhe pak më vonë edhe kandidimin e Nanos për president, por atëherë Nano ndihej i fuqishëm dhe e zotëronte bazën e partisë. Pati avancuar aq shumë sa pretendonte se referendumi qe i nevojshëm dhe nuk mund ta ndalte as vetë ai, që ishte lider historik i së majtës, natyrisht i bindur në fitore. Të njëjtën gjë bëri dhe vitin e fundit Rama, duke mënjanuar konkurrimin brenda partisë me anë të një referendumi, sepse e dinte që socialistët nuk do të votonin kundër alternativës së tij, pasi një gjë e tillë do të thoshte t’i kalonte pushteti Bashës. Por ndryshe nga Nano, kreu i sotëm i PS nuk pranon të bëjë shakara me dorëheqje, pasi është i sigurt se po u largua nuk kthehet më.

Nano u largua një herë nga jeta politike dhe u kthye sërish, madje me lehtësi, por e keqja ishte se ai mendonte që mund të largohej nga jeta publike aktive sa herë të donte, duke bartur me vete iluzionin se baza e partisë do ta kërkonte të vinte sërish në krye, sepse e konsideronte emrin dhe kontributin e tij më të madh se të gjithë socialistëve të tjerë.

Partia që vendos kush do të jetë humbësi

Fakti që Nano nuk mundi t’i afrohej më partisë, tregoi që Meta është më me këmbë në tokë. Pikërisht ky shpirt dhe vullnet politik e çoi atë në fuqizimin e një lëvizjeje politike që sot është kthyer në faktor të fuqishëm me ndikim në të dy krahët e politikës, pasi synon të jetë pengesë për lulëzimin e bipartizmit klientelist shqiptar. Është kjo arsyeja që liderët e PS-së dhe ata të PD-së,  përpiqen ta përbaltin sa më shumë Metën, ta akuzojnë për korrupsion dhe ta indetifikojnë me të keqen në Shqipëri, me qëllim që ta zvogëlojnë sa të mundin. E bëjnë këtë sepse dëshirojnë të qeverisin të vetëm, pa pasur në mes të tretë, gjë që e kanë të vështirë ta realizojnë. Tashmë edhe elektorati nuk pajtohet me dy polet kryesore të politikës dhe ka hedhur sytë në një pol të tretë, i cili në mos sot, nesër do të jetë në gjendje të marrë në dorë frenat e politikës.

Rritjen e LSI-së e ka ndihmuar dhe politika e ndjekur nga Rama, si aleat shpirtëror i Metës. Në prill të vitit 2008, për të larguar LSI-në e Metës nga politika, Edi Rama i dha Berishës çdo konsensus që i kërkoi, madje mori në dorë stafetën e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor në favor të partive të mëdha dhe nuk donte t’ia dinte aspak për shqetësimin e Metës. Në këto rrethana, deputetë të Lëvizjes Socialiste për Integrim kundërshtuan Kodin Zgjedhor në vitin 2008, pasi mbeteshin pa përfaqësues në KQZ. Pasi u bënë të gjitha përpjekjet e mundshme, kryetari i LSI-së Ilir Meta akuzoi krerët e dy partive të mëdha për këtë situatë dhe shpalli fillimin e grevës së urisë nga ana e deputetëve të partisë së tij, si shenjë proteste ndaj hartimit të Kodit Zgjedhor nga dy partitë e mëdha, PD dhe PS.  Sipas Metës, në atë kohë qe krijuar një klimë antikombëtare. Duke mos pasur  një Kod Zgjedhor gjithëpërfshirës, ata u detyruan të shpallnin grevën e urisë, si e vetmja rrugë për t’i thënë ndal binomit Berisha-Rama, që sipas tij, synonin shkatërrimin e zgjedhjeve.

Teksa ishin bërë ndryshimet në Kushtetutë me bekimin e Ramës dhe Berishës, marrëdhëniet midis krerëve të politikës u bënë të akullta. Gjithsesi, më pas Meta ka qenë i vetmi politikan që hodhi prapa krahëve të kaluarën, duke parë nga e ardhmja. Madje ka pranuar edhe gabimet që kanë bërë ndaj njëri-tjetrit dhe propozoi të hapej një faqe e re bashkëpunimi mes forcave politike, në dobi të integrimit të Shqipërisë.

Partitë e mëdha nuk mund të qeverisin më të vetme për shkak se LSI po rritet e konsolidohet progresivisht, duke gërryer nga PS elementët më progresivë dhe me mendësi eurosocialiste, por dhe nga e djathta ka marrë dhe vazhdon të marrë elementë liberalë e socialë. Nuk mund të dominojë asnjëra prej partive të mëdha për shkak të mbështetjes së madhe që ka LSI, sepse krahas simpatizantëve të vetë, po duartrokitet edhe nga brezi i elektoratit gri, që zë gati 30% të zgjedhësve. PS dhe PD dëshirojnë ta sulmojnë LSI-në, por dhe sytë i kanë te ajo, pasi e dinë që balanca anon andej nga shkon Meta. Është kjo arsyeja që Ilir Meta, në mënyrë graduale, u bë faktor ndikimi në politikë, në radhë të parë si individ, me punën e palodhur, me komunikimin direkt me njerëzit, me sigurinë që u jep atyre, me mbajtjen e fjalës dhe personalitetin e tij të spikatur. Të gjitha këto kanë bërë që të ketë të drejtë të marrë vendimin përfundimtar të balancës së pushtetit, të ndarjes së fituesit nga humbësi. Kjo do të thotë që rënia e peshës elektorale për të dy partitë e mëdha, duhet parë te forca politike që drejton Ilir Meta, forcë e cila po di të shmangë gabimet e njerës dhe tjetrës parti, që synojnë të jenë në maxhorancë votash përherë. Pamundësia e marrjes së pushtetit të vetme si nga PS dhe nga PD tashmë është e provuar. Zgjedhjet e vitit 2005 treguan se pa LSI e majta nuk vjen dot në pushtet. Atë e konfirmuan dhe zgjedhjet e vitit 2009, të vitit 2013 dhe e njëjta gjë do të ndodhi në vitin 2017. Pushteti do të jetë anën e asaj partie që do të arrij të realizojë aleancë me LSI-në e Metës.

Përpjekje për të denigruar LSI dhe Ilir Metën janë të shumta, por askush nuk ka mundur ta gjunjëzojë, sepse Meta ka shfaqur karakter të fortë, nuk është jargavitur para të mëdhenjve dhe ka pohuar që pranon të përulet vetëm para arsyes, të drejtës e të mirës, si në politikë, ashtu edhe në jetë e shoqëri. Nuk ka kërkuar asnjëherë të bëhet faktor, por është bërë i tillë në saj të angazhimit politik dhe përpjekjeve për të bërë më të mirën për shqiptarët. Askush nuk mund ta përjashtojë atë nga angazhimi për stabilitetin e vendit, sidomos kur ky stabilitet cenohet herë pas here për shkak të drejtimit foshnjarak në politikë. Dhe po të shohësh me kujdes akuzat që drejtohen ndaj Ilir Metës, të gjitha janë politike, prandaj dhe nuk mund t’i sjellin aspak shqetësim

Konsensusi politik garanton zbatimin e reformave

Reforma në drejtësi ishte një test për politikën shqiptare. Më duhet të theksoj se roli i Metës në miratimin e saj ishte mjaft sinjifikativ, jo pse kërcënoi me zgjedhje të parakohshme, apo sepse pranoi të “vuante burgun” për gjithë politikën, por sepse qëndroi mbi palët. Qëndrimi i Metës pro reformës u duk qartë kur ai nuk pranoi ta drejtonte vetë atë, madje me propozim të tij, kjo e drejtë iu hoq edhe Ministrisë së Drejtësisë. Këtë e tregoi dhe krijimi i një komisioni të posaçëm në Parlament. Madje do të ishte mirë që i tërë procesi të drejtohej nga Kuvendi, pasi në këtë mënyrë do të ishin fshirë shumë dyshime midis palëve, të cilat u bënë shkak për tejzgjatjen e votimit të reformës. Të gjitha këto u bënë me qëllim që në procesin e miratimit të saj të përfshihej opozita dhe të arrihej konsensusi me të. Sepse Meta mbrojti mendimin e pranimit të kritereve të Venecias, e cila shihej si gjykatësi më i mirë për cilësinë dhe standardet e reformës dhe në këtë mënyrë edhe arritja e konsensusit me opozitën ishte më i mundshëm. Gjetja e gjuhës pozitë-opozitë shihej si domosdoshmëri edhe nga ndërkombëtarët, ndaj për realizimin e saj luftuan faktorë të rëndësishëm, brenda dhe jashtë vendit, si e vetmja e rrugë që ndihmonte Shqipërinë të eci përpara. Ndihmës sekretarja Nuland erdhi në Shqipëri për të ndikuar në ecurinë normale të procesit dhe për ta futur atë në rrugën e konsensusit. Komisioneri Hahn ndërhyri në të dy krahët e politikës dhe sqaroi disa çështje të rëndësishme që e afronin konsensusin etj.

Meta nuk dëshironte ta konceptonte reformën në drejtësi si një revolucion, duke i dhënë karakter populizmi me provokime, presion e shantazhe. Ajo duhej medoemos të miratohej edhe nga opozita, madje kështu duhet të vazhdohet dhe pas saj, me miratimin e neneve të nevojshëm dhe ruajtjen e stabilitetit politik.

Konsensusi në reforma madhore është i nevojshëm, veçanërisht në kushtet e demokracisë shqiptare. Ilir Meta nuk mund të pranonte një proces të diskutueshëm dhe të dyshimtë, pasi reforma u shoqërua me ndryshime të rëndësishme në Kushtetutë. Nëse nuk arrihej konsensusi me opozitën, konflikti mund të përshkallëzohej dhe të kërcënohej stabiliteti politik në Shqipëri, duke frenuar në këtë mënyrë dhe procesin e integrimit për në BE.

Madje nuk do të ishte keq të kishim konsensus edhe për planin e zhvillimit të turizmit bregdetar dhe atij malor, për planin rregullues të kryeqytetit dhe qyteteve kryesore të vendit, sepse paratë e shqiptarëve po hidhen poshtë pa mëshirë, kur njeri krah i politikës ndërton në kohën që qeveris vendin dhe tjetri prish në rotacionin e radhës, pa dhënë aspak llogari për miliona euro të shpërdoruara. Shembujt janë të shumtë, por po përmendim vetëm dy. Rama në krye të Bashkisë së Tiranës ndërtoi mbikalimin te Zogu i Zi dhe Berisha e prishi. Basha organizoi planin në sheshin “Skënderbej” dhe shëtitoren për në Paskuqan dhe Rama e prishi dhe po bënë tjetër organizim. Nuk po hyjmë në diskutim, se kush ka të drejtë, nëse duhej nënkalim apo mbikalim te “Zogu i Zi”, se duhej bllokuar apo lenë i lirë Skënderbeu. Çështja është që kur bëhen studime madhore për këto probleme, le të ketë në komisione ekipe nga të dy palët, me qëllim që të vendosen disa piketa të përbashkëta, pasi vetëm kështu mund të bëhet Shqipëria.

Maturi edhe në diplomaci

Ilir Meta po jep ndihmesë pozitive dhe në zhvillimin e diplomacisë shqiptare, rritjen e autoritetit të saj, nxitjen e integrimit dhe bashkëpunimit në fusha me interes të ndërsjellët, të gjetjes së mekanizmave për të përmirësuar keq qeverisjen, të rritjes së nivelit të bashkëpunimit në luftë kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar, të promovimit të vlerave turistike të Shqipërisë, të prezantojë anën ekonomike, burimet natyrore  dhe bërjen atraktive për bizneset e vendeve të zhvilluara.

Në rolin parësor të Metës në përmirësimin e marrëdhënieve diplomatike, krijimin e urave të reja të bashkëpunimit, lobimeve për mbështetjen e Shqipërisë, njohjen e modeleve të ndryshme institucionale dhe legjislative, e ka favorizuar dhe mefshtësia e diplomacisë së ekzekutivit shqiptar, gabimet e vazhdueshme të kryeministrit, niveli i ulët i disa diplomatëve dhe ndihmësve të tyre, pasi përzgjidhen në bazë të kriterit të miqësisë dhe interesave të sëmura, duke lenë mënjanë interesat madhore të kombit.

Nuk ka si të ndodhë ndryshe, kur kreu i ekzekutivit të një vendi të vogël si Shqipëria, që lutet të bëhet pjesë e Bashkimit Europian, merr iniciativën të këshilloj vende me qeverisje shumë shekullore si Anglia. Kur Rama deklaron në Tiranë dhe në SHBA se e quan fatkeqësi ardhjen në krye të Shtëpisë së Bardhë të Donald Trump dhe se pot ë ndodh kjo do të cenohen marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë dhe SHBA-ve. Ndërsa për kryeparlamentarin Shqipëria ka dhe dëshiron të ketë marrëdhënie të shkëlqyera më SHBA-të, pavarësisht se kush zgjidhet president, pasi kjo është e drejtë e popullit amerikan dhe ne respektojmë në çdo rast vullnetin e tij.

Në mbajtjen e qëndrimeve politike duhet maturi, pasi politikani nuk duhet të harrojë që përfaqëson një popull. Nuk mund të thotë në emër të tij mendimin e vet, por atë kolegjial. Në këtë rast bëjmë fjalë për qëndrim diplomatik, jo për analizën e shprehjeve të veçanta që lëshon njëri apo tjetri personalitet, në SHBA apo kudo gjetkë. Në rrugë e kanale të tjera diplomatike, nuk pengohet askush të shfaq mendimin e vet, të kundërshtojë apo mbështesë njërin e tjetrin politikan.

Kryeparlamentari Ilir Meta po luan rol me rëndësi në diplomacinë shqiptare edhe falë përvojës së fituar në vite si kryeministër, zëvendëskryeministër, ministër në disa dikastere, por edhe të kontakteve të shumta që ka pasur me eurosocialistë të vendeve të zhvilluara. Në qëndrimin e tij politik ai ka ditur të përcjellë dëshirën e Shqipërisë për të forcuar paqen dhe stabilitetin në rajon, ëndrrën e saj për të qenë pjesë e Bashkimit Europian, ka ditur të vjelë mendimin e diplomacisë europiane dhe më gjerë, ka zgjedhur më shumë të dëgjojë se sa të flasë.

Meta ka udhëtuar në shumë shtete në funksion të zhvillimit të diplomacisë parlamentare me strategji dhe axhendë të qartë, me ekip të kualifikuar me dosje në duar, ka ditur çfarë të përcjellë dhe çfarë të kërkojë prej partnerëve tanë. Vizitat dhe takimet e tij kanë dhënë efekte pozitive në politikën e jashtme të Shqipërisë, pasi është përpjekur të përfshijë aktorët politik në maxhorancë dhe opozitë, ka ditur të artikulojë qartë dhe të qëlloj në shenjë, gjë që reflektohet dhe në qëndrimin e diplomatëve të huajë.

SHKARKO APP