A e ka takuar Berisha Milosheviçin dhe Gazidede Arkanin? Disa detaje mbi enigmën që i mori jetën Remzi Hoxhës

 

Andrea Dimushi ka qenë ish kryetar i SHIK-ut Pogradec nga Maj 92- Mars 93 dhe kryetar i SHIK Kavaje ‘93-‘94.

Pas botimit të intervistës së Izet Haxhisë dje në DITA, ai ka shkruar në faqen facebook një episod të gazetës një episod në të cilin ka qenë dëshmitar në detyrë.

“Në dimrin e ‘93 në fushën fare pranë liqenit të Pogradecit ulet një helikopter qeveritar me Sali Berishën, Presidentin e Shqipërisë. SHIK Pogradec u njoftua në çastin e fundit me telefon e jo me radiogram si e donte rasti. Dolëm në fushën e akullt me automatikët në sedilje të Aro-s dhe e pritëm dhe e shoqëruam… Autokollona doli nga pikëkalimi i Tushemishtit, ku oficerë me dhe pa uniformë, besoj maqedonas e serbë ngrinë gatitu e me nderim nën strehen e kapeles”– shkruan ai dhe shton:

A u takua Berisha me Gligorovin e Millosheviçin? Po. Nuk di më tej të them se përse është folur. Di që jane takuar! A mjafton kjo që po them? Jo! Izeti di më shumë se kaq. Bën mirë të kujtojë, se ka qenë atje. E njëjta skemë por me dy vetë u përsërit dhe me kthimin e Berishës në vilat qeveritare në Pogradec!

Pas këtij postimi në FB, redaksia e ka kontaktuar ish-shikasin Dimushi. Pranoi të shkëmbente vetëm dy pyetje-përgjigjet e mëposhtme:

 

DITA: Ka dëshmitarë të tjerë?

DIMUSHI: Di të them se në atë kohë në zyrat tona kishim një mik të shërbimit anglez i cili kishte autoritet të njihej me çdo info në Pogradec e Korçë, por jo për këtë. Them anglez se ashtu e prezantuan dhe ashtu fliste… Ishte i çuditshëm fakti pse ai duhej të njihej me problemet që kishim ne. Akoma s’e kam kuptuar. Nuk besoj se dhe SHIK i Korçës ka kuptuar gjë. Se atje (në Korçë) u takuam një ditë më pas.

DITA: A kini konstatuar ndonjë takim tjetër që ka lidhje me këtë histori?

DIMUSHI: Jo nuk di tjetër takim. Berisha nuk kaloi më andej. Ndonëse isha më pas në Kavajë, familjen e kisha në Pogradec e vija çdo javë. Do e kisha marrë vesh, se për disa kohe i mbuloja të dy rrethet.

Por ai dëshiron të shtojë edhe një replikë me të dhënat që jep Izet Haxhia.

“Një këshillë për Izetin: Mos i bjer në qafë Irakli Koçollarit. Unë jam autori i dosjes që e çoi në burg dhe jam penduar! Në të vërtetë e çuan shokët e tij. Këmbëngulja për ta çuar në burg ishte dramatike!”– thotë Dimushi.

Përfundimisht, me kë është takuar Sali Berisha kur kaloi pikën e Tushemishtit dimrin e 1993-it?

Dimushi thotë që Izeti di më shumë nga ç’thotë. Izeti vetë i pyetur mbrëmë nga redaksia për replikën e Dimushit, nuk është dakord me datën që ai jep, por pranon rrethanat e tjera.

“Kemi udhëtuar nga Tushemishti drejt Ohrit. Por na mbajtën larg nga vila ku ndodhi takimi, nuk kishte ndodhur kurrë më parë kështu”

Ai di që ishte Gligorovi brenda. A ishte dhe Milosheviçi?

“Se kush ka qenë brenda asaj vile nuk mund ta them përderisa nuk e kam parë” – pohon ai.

Nga intervista e djalit të Remzi Hoxhës, Ardianit, dhënë katër vjet më parë, rezulton se data e takimit mes treshes Berisha- Millosheviç-Gligorov ka ndodhur më 30 maj të vitit 1993, në Shën Naum. Ndërsa Dimushi thotë se ka qenë dimër i acartë i atij viti.

A ka gjasë të jetë takuar më shumë se një herë? Askush nuk e vë dorën në zjarr.

Nga ana e tij, bashkëpunëtori i DITA -s dhe veprimtari i njohur i UÇK-së Bedri Islami, saktëson se Remzi Hoxha nuk ka qenë pjesë e strukturave të UÇK-së, por e Shqiponjave të Zeza, një degë e shkëputur nga Lëvizja.

Gjithsesi Remziu ndodhi që e ka ndjekur takimin sekret që do t’i merrte jetën.

Në këtë pjesë vjen në ndihmë një rrëfim i furnitorit të UÇK-së Ismet Kryeziu, dhënë gazetarit Artan Hoxha para 7 vitesh. Sipas Kryeziut, goditjet të mëdha ndaj veprimtarëve të luftës, në Tiranë erdhën pas arrestimit të Mentor Kaçit, ndër drejtuesit e lëvizjes, në vitin 1993.

Kjo ka ndodhur me kërkesën e krahut Rugova-Bukoshi, dhe duket se Kaçi nën pranga do ketë dekonspiruar takimin sekret edhe hetimet kanë çuar tek Remzi Hoxha.

Ajo që mbetet, gjithsesi është një fakt i pamohueshëm: Berisha ka mbrojtur kokëfortësisht çdo të akuzuar për vrasjen e Remziut.

Veç episodit me daljen jozyrtare të Berishës nga pika e Tushemishtit për takimin në vilën e Ohrit, Dimushi tregon edhe një episod me Bukoshin:

“…Në verën e vitit 1993 Bujar Bukoshi me trimat e tij shullëhej me brekënën diellin përvëlues të plazhit të Golemit. Nuk e njihte kush dhe rastësisht konfrontohet me disa djem të Kavajes (disa prej tyre”Pishtare të demokracisë”). Nuk lanë gjë pa i thënë këta të fundit, por nuk e morën vesh kush ishte. Një radiogram urgjent kërkonte verifikimin e rastit – u thirrën disa nga ata që ishin konfliktuar dhe është raportuar në SHIK për dialogun mes dy palëve (të mos harrojmë cila periudhë ishte). Si konkluzion, Bujari i 3 përqindshit të diasporës kosovare nxihej në plazh, dhe ishte dhe gangster!” – tregon ai / DITA

SHKARKO APP