A i duhet Shqipërisë Gjykata Speciale
Nga Bedri Islami –
Krijimi i një Gjykate Speciale në Shqipëri, jashtë strukturave të saj institucionale, sigurisht është një gjë hipotetike. Në të vërtetë nuk duhej të ishte shtruar fare kjo pyetje, nëse shteti i së drejtës në Shqipëri do të kishte qëndruar në këmbët e tij dhe jo në patericat e shumëfishta: Të politikës, të korrupsionit, të frikës dhe të nënshtrimit.
Mirëpo fakti mbetet fakt: Ne i kemi të gjitha institucionet kushtetuese të drejtësisë, por drejtësi nuk kemi.
Politika dhe interesat e saj, oligarkia politike e financiare, e kanë asfiksuar sistemin tonë të drejtësisë aq keq, sa që edhe njeriu që do të duhej të ishte qartësisht më i logjikshëm në të gjithë këtë histori, është kthyer faktikisht në një ushtar politik, i cili më shumë mendon se cila do të jetë grada e tij politike kur të rikthehet në Shqup, se sa cila është e drejta e tij kushtetuese në ushtrimin e detyrës së kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Jo të gjithë gjyqtarët, prokurorët, hetuesit tanë janë të korruptuar apo e duan këtë mënyrë jetese. Mes tyre, sado të paktë, pasi sheh rrushi rrushin e “piqet”, ka edhe nga ato që në bisedat vetjake e ndjejnë këtë trazim dhe duan të dalin nga qerthulli ku i kanë futur. Por, duke qenë pakicë e papërfillshme, duke qenë, si të thuash, ujët që humbet në shkretëtirë, forca e tyre është jashtë çdo logjike, edhe pasi shteti nuk mbështetet tek këta, por tek të tjerët, të shumtët, që janë bërë pjesë e oligarkisë financiare.
Krijimi në Shqipëri i Gjykatës Speciale ndërkombëtare, si po ndodh në Kosovë, natyrisht me një drejtim tjetër, do të kishte qenë një njollë turpi për sistemin tonë të drejtësisë, por njëkohësisht një ditë gëzimi për gjithë të tjerët.
Duke qenë e pamundur ngritja e saj sipas precedentit “Kosovë”, të cilës i kanë prirë rezoluta e vendime të Këshillit të Europës dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare, tashmë ka ardhur koha që të ketë një katarsis në drejtësinë tonë, por jo nga ato që fillojnë si gjëmime të mëdha dhe përfundojnë si furtunë në një gotë uji, por që të lënë gjurmët në të sotmen e të përgatitin të nesërmen.
Nuk ka qenë sistemi dhe ligjet ato që kanë penguar deri më tash funksionimin e gjithë strukturës sonë të drejtësisë, përkundrazi, kanë qenë njerëzit që kanë minuar ligjet, i kanë hedhur ato në erë, i kanë përçudnuar, sa që nuk njihen më.
Nuk e di se çfarë faji ka pasur ligji mbi ata prokurorë, të cilët me marrëveshje të heshtur apo të ditur, vetëm se jo të shpallur, mbajtën nëpër duar me javë e muaj dosjen e Vjedhjes galopante në rrugën e Kombit, për ta paraqitur atë disa minuta pasi kishte përfunduar çdo lloj afati ligjor? Duke i hapur rrugë kështu precedentit “me procedurë” të lënies së lirë, krejtësisht të pagjykuar, të figurave shtetërore që vodhën shtetin si të ishin në mall të huaj. Nuk e di se cili ligj ka penguar gjyqtarët e Çështjes Gërdeci, që, në mos tjetër, të kishin kapur për veshi e të kishin sjellë në gjyq ata që, si skllavopronarë, përdorën si kavje fëmijët e vegjël në demontimin e armëve, jeta e të cilëve ishte e rrezikuar dhe disa nuk janë më në jetë. Cili ligj e pengoi prokurorin e çështjes që, sa për kureshtje të paktën, të kishte thirrur në prokurori birin kryeministror, Berishën e vockël, për ta pyetur se cila kishte qenë biseda e tij disa minutëshe me pronarin e Gërdecit, kur ende atje dëgjoheshin shpërthimet e vriteshin njerëz.
Asnjë proçedurë e tillë hetimore nuk ndodh në botë; aq më tepër kur thirren në cilësinë e dëshmitarët edhe përsonazhe të dorës së dhjetë dhe jo ata që dëshmohen si nxitës të krimit.
Ligji nuk është si druri që i shtrembër hidhet në zjarr dhe gatit një të ri. E vërteta është se në turrën e madhe të ligjeve ka edhe nene të shtrembëra, që duhen hedhur e përgatitur të rinj, ka gjëra që duhen ndrequr pa dhimbje që herët, por mbi të gjitha e shtrembëra qëndron tek ata që janë thirrur për të zbatuar ligjin.
Asnjëri nga prokurorët e hetuesit tanë nuk ka asnjë grimë nga stofi i Falkones; askush në sistemin tonë të drejtësisë nuk mund të marrë sot përsipër rolin e heroit, kur deheroizmi është tipari i ditës; është e vështirë, në mos e pamundur që të gjesh njerëz me përmasa të veçanta që i dalin ballas të keqes, krimit dhe ngrihen mbi to. Edhe nëse do të kishin dashur, politika, e bashkë me të edhe vetë struktura e tyre, do të kishin përbaltur gjithçka dhe, në vend të heronjve do të kishim pasur dështakët e rradhës.
Shumë kush e mban mend mbledhjen e Parlamentit, menjëherë pas Gërdecit, kur u bënë të njohur edhe emrat e prokurorëve që do hetonin ngjarjen. Sapo u thanë emrat e tyre dhe sapo rrethi po shkonte duke u mbyllur drejt familjes kryeministrore, Berisha u bë i çartur, skërmiti jo vetëm dhëmbët, por edhe armët, kërcënoi, ulëriti, hodhi idenë e pastrimit, dhe prokurorët nuk kishin rrugë tjetër: Ngritën duart dhe shkuan në punën e tyre.
Gjykata Speciale në Shqipëri, nëse do të kishte fatin të ngrihej, do të kishte para vetes disa nga ngjarjet më tronditëse të njëzet e pesë viteve të fundit. Por, pyetja e parë: Me cilët do të ngrihej?
Do të gjendej vallë një prokuror, një trupë gjykuese, e denjë dhe e guximshme, për shembull, për 21 janarin, që po harrohet dhe si po shkon puna, në kalendarët tanë do të kapërcehet nga data 20 janar në 22 janar, duke e përjashtuar Ditën e Njëzetenjëtë të muajit. Cili prokuror do të mund t’i thonte Berishës se cilat fakte sjell ai si ish-kryeministër kur deklaroi për makinat e mbushura me armë pranë lokalit të njohur “Tajvan”, cilat janë faktet e tij për njerëzit me çadra pistoletë, kush dha urdhërin për vrasjet, përse u fshinë provat nga ndërtesa qeveritare duke shkatërruar gjithë serverin në mesnatën e 21 janarit. Kush mund t’i thotë atij për grushtin e shtetit ndaj tre institucioneve kushtetuese: Presidentit, kryeprokurores dhe shefit të Shërbimit Informativ, duke i quajtur puçistë, horra e lavire bulevardi? Të jemi të qartë, askush.
Kush mund t’i thotë sot Edi Ramës se ku janë provat e reja që ke premtuar, çfartë fshehin sot institucionet nën shërbimin e tij, cilat janë faktet e reja që po sjelin pushimin e çështjes dhe përse ndodh e gjithë kjo? Të jemi të qartë, askush.
Kush mund t’i thotë thotë ministrit të Punëve të Brendshme, Tahirit se me cilat mbulesa financiare bën ai dhe familja e tij pushime të shtrenjta, luksoze, për më tepër duke pasur pranë njerëz të dyshuar për lidhje me botën e trafikut? Të jemi të qartë, askush.
Sepse të gjithë e dinë se pas kësaj do të vijë ndëshkimi i pushtetit. Dhe ndëshkimi i pushtetit do të thojë shkurt: Papunësi, si ndodhi në aq vite me Ina Ramën; do të thotë të endesh për të ripasur një liçencë avokati dhe mos të ta japin as atë. Ne i kemi thirrur prokurorët, gjyqtarët, gjithë sistemin e drejtësisë për të na mbrojtur, por ata vetë nuk i mbron askush, as ligji.
Dhe ata kanë mësuar mrekullisht ligjin e pashkruar të mirësjelljes me pushtetin. Nëse e bën këtë, e gjen veten një ditë si ai Ndreca i Kolegjit zgjedhor, si Gjin Gjoni i pasurive që nuk ia heton askush, si gjyqtarja Hajdari që bën dasma në Nju Jork; si të gjithë ata që, pasi i shërbyen pushtetit, e gjejnë edhe sot veten si anëtarë të Këshillit të lartë të Drejtësisë, anëtarë të Gjykatës së Lartë; që jetojnë në vilat superluksoze, që tallen me njerëzit ndërsa kalojnë në veturat jashtëzakonisht të shtrenjta; të cilëve një orë dore i kushton më shumë se sa rroga dy vjeçare dhe askush nuk i heton.
Dhjetë herë mund të reformojë qeveria e sotme sistemin e ligjeve të drejtësisë, dhe, dorën në zemër, bën mirë që i reformon. Sistemi i sotëm sa është i hallakatur, aq është edhe i pakujdesshëm. Për fat të keq në Shqipëri tri majat e shtetit janë kapur nga oligarkia politike, nga oligarkia financiare, nga oligarkia e drejtësisë. Që të jetë e lirë drejtësia, duhen zhdukur dy oligarkitë e para, çka nuk do të ndodhë edhe në dy dekadat e ardhshme dhe, për fat të keq, këtë mund ta bëjë vetëm oligarkia e tretë. Kështu janë të lidhura të trija dhe zhbërjen e tyre mund ta bëjë vetëm Gjykata Speciale, dhe në bashkëpunim me institucionet e specializuara jashtë Shqipërisë.
Të kuptohemi, jam i bindur se në kushtet e sotme krijimi dhe funksionimi i një Gjykate të tillë i përket më shumë utopisë se sa realitetit. Por, ndoshta është një mundësi që të tjerët do e shohin si domosdoshmëri. E pastaj, edhe ata vetë, të akredituar në Shqipëri e jashtë saj, nuk do të përsërisin deri në lodhje: Luftoni korrupsionin.
Sepse ky i fundit nuk luftohet as nga të korruptuarit e as nga të frikësuarit.
DITA