A ka ministra dhe deputetë që duhen dërguar në shtëpi?
Nga Zef Shtjefni
Ka filluar koha e turbullirave, siç duken bathët, edhe në kampin e majtë. Me forcën e dhëmbëve të mitingut të fundit, me hajnat e energjisë dhe drogaxhinjtë, Berisha sikur ua uli kokat “mistrecëve” të PD-së, të cilët tani kanë ranë në qetësi. Nuk po ndjehet më as Mesila, as Astriti, as Shehi, as Mustafa , as Ndoka e madje, as Topi e Spahia. Ndërsa Mazhoranca ka nisur të ziejë nga brenda. Krisja filloi në fakt që me Kaçin e Kadelin. Por rripat dhe grushtet e Prengës, Ndokës e Ndreut kundër Strazimiri, që u nisën për “mirë”, por më pas u kuptua se më shumë e kishin dëmtuar PS-së, se sa kishin frikësuar PD-në e Berishën. Këta të fundit dolën të fituar nga beteja me rripin dhe grushtet, sepse fituan statusin e paprekshmërisë, për çfarëdo gjëje që duan të bëjnë në Parlament, me apo pa lejen e Metës. Fituan me këtë rast edhe statusin e një farë besimi të publikut mbi çdo lloj akuze e shpifje inkriminuese kundër Pozitës. Kjo loja e rripave dhe e grushteve, ishte loje e gabuar. Tashmë në mazhorancës janë shtuar zërat e kritikave, ku më i ashpër ishte Tom Doshi.
Nuk e di nëse vërtetë shqiptarët mendojnë se gjithçka duhet ta presin apo t’ia kërkojnë Kryeministrit apo Ministrit të Brendshëm, apo vetëm një ekipi 20 vetash. Nuk e di nëse shqiptarët mendojnë se dhe deputetet janë një pjesë shumë e rëndësishme e kësaj mazhorance qeverisëse dhe kanë detyrat e përgjegjësitë e tyre në të gjitha punët e reformat e Qeverisë në të mirë të vendit. Mbase deputetët mendojnë se e kanë bërë detyrën, me një diskutim të rëndomtë, apo me ndonjë kritikë për ministrat apo Kryeministrin. E them këtë se përveç ndonjë………. Balle, të tjerët sikur flenë gjumë edhe kur Berisha i shanë me libër shpie. Një qeveri apo një mazhorancë që nuk ka nga pas një grup parlamentar luftarak, është me krahë të thyer. Por edhe një Kryeministër apo një Qeveri që nuk konsultohet me deputetët e vet, është si ai që thyen këmbën e vet. Dhe e gjithë kjo ndodh kur PD-ja dhe Berisha Opozitarizmin e kanë kthyer në luftë për bllokimin e Parlamentit dhe rrëzimin me dhunë të Qeverisë. Sa më shumë punë të mira e sa më tepër kompaktësi të ketë Pozita, aq më të gjatë do ta ketë jetën pa pushtet Opozita. Kjo dihet prej kujtdo, por nuk arrijë ta kuptoj se si nuk e dinë këta deputetët opozitarë të Mazhorancës. Kështu, normalisht me del pyetja: a janë për t’u dërguar sot në shtëpi disa deputetë, apo disa ministra të Mazhorancës? Nuk është se nuk po gabojnë edhe ministrat, Qeveria apo dhe Rama me punët apo reformat e ndërmarra. I thonë një fjale: “Kush punon dhe gabon”. Fjala vjen, mund të mos bëheshin njëherazi edhe ndalimi i vjedhjeve të energjisë, edhe ndryshimi i çmimit të saj dhe sidomos në mes të dimrit. Mund të mos bëheshin njëherazi edhe aksioni kundër drogës dhe mbyllja e shkollave të shitjes së diplomave. Mund të mos bëhej njëherazi edhe ndalimi masiv i ndërtimeve, edhe rritja e tatimfitimit në 15% etj. Ose mund të bëhej më shumë për Prokurorinë dhe Drejtësinë, për ndalimin e kriminalitetit të lartë, për ndalimin e emërimet të reja të partizanëve më erë të keqe të Pozitës dhe Opozitës në administratën publike. Por nga ana tjetër, i duhet “hequr kapelja” Qeverisë për aksionin e drogës, për ndalimin e vjedhjeve të energjisë, për ndalimin e gjuetisë e masakrimit të territorit me ndërtime, për vjedhjen e shqiptarëve me shkolla e diploma false, për rinovimin e reformimin e policisë, për likuidimin e borxheve të Qeverisë Berisha ndaj biznesit, për përballimin e vështirësive të motit të keq në Jug, për marrjen e statusit kandidat dhe riinstalimin e besimit të humbur me partnerët ndërkombëtar etj. , etj. Ndaj pyetja që bëj është: Mazhoranca, këto dy vite qeverisje, a ka prodhuar më shumë ministra apo deputetë për të dërguar në shtëpi?